Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka paralajmëruar sfida të forta që rrezikojnë të pengojnë votimin e diasporës shqiptare për shkak të vonesave në dërgimin dhe kthimin e fletëve të votimit. Në një letër dërguar shtatë partive politike që kanë përfaqësues në Kuvend, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shprehu shqetësimet lidhur me afatet kohore të pamjaftueshme për këtë proces.

Në bazë të takimeve të zhvilluara me operatorët e shërbimeve postare ndërkombëtare, u arrit në përfundimin se periudha e kërkuar për dërgimin dhe kthimin e fletëve të votimit nga jashtë vendit varion nga 30 deri në 45 ditë, ndërkohë që KQZ ka në dispozicion vetëm 10 deri në 12 ditë. Celibashi theksoi se, në praktikë, afatet aktuale janë shumë të shkurtra dhe mund të çojnë në pamundësinë e realizimit të votimit të diasporës.

“Sipas operatorëve të postës, koha e nevojshme për dërgimin e fletëve të votimit jashtë vendit është të paktën 54 ditë, ndërsa periudha më e shkurtër, që gjithsesi mbetet e rrezikshme, është 30 ditë,” tha Celibashi në letrën e tij. Ai gjithashtu theksoi se vendet e tjera europiane që kanë aplikuar votimin nga jashtë kanë përdorur periudha kohore prej jo më pak se 45 ditësh për procesin e dërgimit dhe kthimit të votave.

Testimet që KQZ ka kryer për këtë proces kanë dhënë rezultate zhgënjyese, pasi koha e nevojshme për dërgimin dhe kthimin e fletëve të votimit brenda 10 ditëve nuk është realizuar. Kjo situatë e ka vendosur KQZ-në dhe partitë politike përballë sfidës për të gjetur zgjidhje që do të shmangin një dështim të mundshëm të procesit.

Një nga opsionet e mundshme është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, për të lejuar që votimi i diasporës të realizohet më herët se dita e zgjedhjeve, ose të lejohet që votat e tyre të mbërrijnë dhe numërohen pas zgjedhjeve. Një tjetër pengesë mbetet mungesa e konsensusit në Komisionin Rregullator për rregullat që do të përcaktojnë mënyrën e regjistrimit të votuesve jashtë vendit.

Mbledhja e fundit e Komisionit Rregullator u mbyll pa rezultat konkret, duke u shtyrë për një datë tjetër. Derisa të arrihet një marrëveshje, çështja e votës së diasporës mbetet e paqartë dhe në rrezik për zgjedhjet e ardhshme.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *