Nga Bajram Mjeku
– Po ikin turqit, po ikin turqit!, – thërriste me sa zë kishte Emin Gjika nga çardaku i konakut përballë Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
– Turqit po ikin, por edhe ushtria serbe sapo hyri në Vilajetin tonë!,- thërriste Stak Mirdita në oborrin e Çarshisë së Vjetër.
Ishte ditë tetori e vitit 1912. Përballë Bashkisë së Prishtinës ishin mbledhur dhjetëra shqiptarë çehrengrysur, veshur në tirq të zinj e plisa të bardhë.
Para turmës u shfaq mytesarifi i Prishtinës, Fejzi Alizoti. Me pamje hijerëndë, shkundi pluhurin mbi pallton e zezë dhe krijoi ndjesinë sikur i shkundi 523 vjet robëri osmane. Ai u drejtua kah turma, derisa kjo e fundit vështronte sypërhumbur e gjithë habi.
– Burra, osmanët po ikin, por edhe serbët po hyjnë furishëm në Vilajetin tonë. Kryepeshkopi i Shkupit, Lazër Mjeda sapo më telegrafoi se një betejë e madhe është duke ndodhur midis ushtrisë turke dhe asaj serbe në Kumanovë. Ai më tha se në një hendek të madh mbrapa kështjellës së qytetit janë hedhur mbi njëqind kufoma shqiptarësh të vrarë. Zona e quajtur Uji i Thartë, është bërë varr masiv i shqiptarëve… Pushtues të ndershëm nuk ka, por edhe ushtria turke është duke u mundur nga ushtria serbe… Unë po kthehem në Janinën time. Thonë Shqipëria po bëhet shtet, por edhe fuqitë e mëdha po e copëtojnë dhe po e bëjnë xhuxhe. Harta e Shqipnisë do të duket si lëkura e dhisë dhe Janina ime do të tretet nën Greqi, – tha gjithë shqetësim, Fejzi Alizoti.
– E ku po mbetemi ne?!, – thirri një zë nga mesi i turmës.
Fejzi Alizoti derisa vinte këmbën e majtë në yzenxhinë e vrançit krifehedhur për t’u nisur për Janinë tha:
– Atdheu mbrohet deri në pikën e fundit të gjakut… Edhe kësaj radhe ne po bëjmë sehir…
Turma mbeti si e nemitur, derisa Fejzi Alizoti i vetmuar nisi të largohej nga Prishtina. Mytesarifi u përcoll me vështrime të përhumbura, derisa pamja e tij mbi vrançin e zi nisi të zhdukej nga largësia.
Heshtjen e varrit midis turmës e theu Myzejen Tyrbedari.
– E tash si do të jetojmë pa turqit!, – pyeti ajo gjithë trishtim.
– I zëvendëson me serbët!, – klithi Hatixhja nga çardaku i shtëpisë së saj.
– Ik moj e përdalë!, – tha Sylejmani, farkëtari i kasabasë dhe u nis drejt saj, por Ademi mjeshtri i jorganëve i doli përpara dhe tha:
– Lëre Sylejman, grua është dhe me nam të keq!
Myzejeni u nis drejtë shtëpisë së saj, Hatixhja qëndroi edhe pak kohë si e nemitur në çardak, derisa turma e shqiptarëve pa shpresë u zhbë, sikur të mos ekzistonte pak çaste më parë.
Në kasabanë e Prishtinës njerëzit nisën të lëvrinin secili në mënyrën e vet. Lëvizjet e tyre herë ishin të çuditshme, herë tunduese. Përgatiteshin të siguronin zarzavate, sikur nga shtëpitë e tyre nuk do të dilnin me vite.
* * *
Gjenerali serb, Bozhidar Jankoviç i shoqëruar nga vojvodët Radomir Putnik e Zhivojin Mishiç, hynë triumfalisht në qytetin e shkretëruar të Prishtinës. Duke u pehatur mbi kalin e tij të bardhë rrethuar nga truprojat, mbrapa tyre vinin vërdallë ushtarët serbë të Armatës së Tretë. I frikësuar vështronte herë djathtas herë majtas, derisa dritaret e shtëpive ishin mbyllur me qepenxhe.
Megjithëse marshonte midis dy vojvodëve, gjenerali Jankoviç ndjehej edhe më i pasigurt. Për ta thyer heshtjen mortore, iu drejtua vojvodëve:
– Shqiptarët mbijetojnë njëjtë si egërsirat… Kaluan pesë shekuj nën otomanët, por as u nënshtruan as u bindën nga ata. Shfarosja e tyre është zgjidhja më e mirë…
– Gjeneral, pesë mijë shqiptarë i kemi shfarosur deri tash dhe operacioni i ushtrisë sonë është shtrirë deri në Kumanovë, – tha vojvoda Putnik.
– Nuk mjafton kjo shifër Vojvoda im. Vritni dhe mbulojini në gropa këto egërsira dhe ngulitni në hunj përgjatë rrugëve!, – tha gjenerali Jankoviç, derisa guduliste me gishtërinj mjekrën e tij të bardhë.
Shefi i Gardës, Nikolla Peroviç, fluturoi revan me kalin e tij dhe sapo mbërrijti përballë Gjeneralit, foli me zë triumfues:
– Gjeneral, Ju dhe Shtabi ynë do të vendoseni në objektin madhështor të ushtrisë osmane!
Gjenerali Jankoviç miratoi propozimin e tij me një të pehatur dore.
Nuk vonoi shumë dhe ata u gjendën përballë godinës madhështore të Ushtrisë osmane, e cila tashmë e kishte braktisur kazermën dhe nuk dihej në ç’drejtim ishte nisur. Përballë objektit madhështor, ata panë Xhaminë e Çarshisë dhe gjenerali Jankoviç i urdhëroi dy vojvodët:
– Kujdes me xhamitë. Përmes tyre do ta ruajmë miqësinë me osmanët dhe do t’i sundojmë egërsirat!
– A thua ka mbërrijtur mytesarif Fejzi Alizoti në Janinë dhe a thua është gjallë Hasan Prishtina në burgun e Beogradit?, – pyeti Stak Mirdita.
Prena, gruaja e tij rrudhi krahët dhe nisi të bënte kryq.
Mbrëmja afrohej dhe një shtjellë ere vërtitej furishëm. Paralajmëronte dimër të gjatë, ashtu si nata e parë e sundimit sllav në Kosovë.
*) Fragmentet e fundit të eseut tim të gjatë “Fituesit e betejës së humbur”.