Nga Ermal Mulosmani
Kush ka jetuar në sisteme totalitare e ka shumë të njohur fjalën “vigjilencë”. Ishte ndër më të përdorurat në atë kohë. Fjalori i Gjuhës Shqipe e përshkruan në këtë mënyrë:
“Vëmendje e madhe e kujdes për t’u ruajtur nga një rrezik, për të zbuluar me kohë një veprim të dëmshëm, një veprimtari armiqësore etj., përgjim; mbikëqyrje, vëzhgim; të qenët syhapët e i gatshëm për të vepruar në çdo rast; syhaptësi. Vigjilencë revolucionare (luftarake). Vigjilenca e masave. Trego vigjilencë. Forcojmë vigjilencën. Dobëson vigjilencën. Ruaj me vigjilencë”.
Vigjilent duhej të ishim të gjithë. Komshinjtë, kushërinjtë, shokët e shkollës për njëri-tjetrin, burri për gruan, biri për babain dhe e dashura për të dashurin. Vigjëlim për nëntekste, fjalë me ekuivok, dykuptimshme, intonacion i dyshimtë, ironi, cinizëm. Milan Kundera ka shkruar një libër sesi e dashura denoncoi të dashurin pse ai shkroi në një letër dashurie se “Optimizmi është një budallallëk me brirë”.
Vigjilenca ishte term i frikshëm. Pas një togfjalëshi si “Ji vigjilent” qëndronte një thirrje për një denoncim, një fatkeqësi në pritje. I survejuari nga vigjilenti ishte si një kafshëz në përgjim që do të goditej. Ai vigjilionte që të kujdesej nga vigjilenti personal i kudondodhur. Ai kontrollonte veten, shprehjet deri edhe mendimet. Sepse nëse mendimet liheshin ashtu, të pakontrolluara, nuk do të ishte e largët dita kur vigjilenti do të binte në kontakt me to. Ndaj luftoheshin që në rrënjë. Le të mos mendojmë fare. Ose të mendojmë si revolucionarë.
Fytyrat e zymta apo serioze nuk pëlqeheshin, ato diç fshihnin. Meritonin vigjilencë. Çfarë mendon filani për Partinë? Po për shokun Enver? Po për Bashkimet Profesionale apo anëtarin X të Byrosë Politike? Vigjëlo dhe provoko se diku do të dalin….
Duhet thënë se vigjilentët e asaj kohe urrehehshin për vdekje në ambiente ku njeriu përpiqej të ishte vetvetja. Ishin skematikë, kokëtrashë, entuziastë e njëkohësisht shumë të dëmshëm. Kishte mjaft nofka e fjalë përbuzëse për ta dhe veprimtarinë e tyre.
Ja, kështu ishte ajo kohë. Për ne janë kaq familjarë hafijet ose denoncuesit vigjilentë vullnetarë. I gjenim kudo.
Por fenomeni i “vigjilentit” ka filluar të bëhet trend botëror tani. Sigurisht nuk e ka atë tingëllimin e tmerrshëm komunist. Madje as përbuzjen që kishte shoqëria e atëhershme për ta. Përkundrazi. Vigjilentët e sotëm janë shumë modernë. Ata janë mbrojtësit e pakicave të margjinalizuara. Është kthyer në një trend botëror lëvizja “Stay woke”. Ky është vigjilenti i dikurshëm.
Po kush është Partia e sotme, dogma ndaj së cilës duhet të jemi vigjilentë se mos cënohet?!
Racizmi, barazia gjinore, homseksualiteti, hebrenjtë, fjalët joadekuate e një qerre me budallallëqe të tilla janë disa nga kufinjtë që “vigjilentët e rinj” të lëvizjes woke të zbrasin koburen. Provoni të shprehni një mendim kundër martesave homseksuale dhe do shihni se sa i përbuzur do të përfundoni. Një masë vigjilentësh do ju akuzojnë menjëherë se është viti 2022 dhe ti me këto mendime…
Pra unë ose nuk duhet të kem mendim fare ose të jem liberal dhe lëvdues. Nëse padashje shkruaj çifut, qorr, zezak apo diçka të tillë, menjëherë lëshohen vigjiluesit: “Je një racist i fshehur, prapanik e konservator”! Duhet të korrigjohesh. Vigjilentët ngazëllehen nga barazia racore, respekti ndaj minoriteteve, solidariteti, varfëria.
Një gazetare ishte lumturuar pse ishte bërë një njoftim pune për pakicat rome e ashkalinje. Ku ka më bukur! Ah, nëse ti je indiferent ti shihesh me dyshim. Konservator, madje racist i kamufluar. Komuniteti i vigjilentëve të sheh me përçmim. Titujt “Unë jam homoseksual” “Unë jam rom”, “Unë jam viktima” janë veçanërisht të pëlqyeshëm nga vigjilentët. Aty ka shumë “like” e mallëngjim kolektiv. Kjo është moda e sotme.
Padashje ti kupton se je i vjetëruar në mendime. Ja, Albio, gazetarja e njohur, sa bukur entuziasmohet për ashkalinjtë! Unë fare! Dhe të mendosh se është viti 2022! Skuqem nga turpi. Shkodrani, miku im i zgjuar, liberal e plot humor e bën për një lek një deputet që ka votuar kundër homoseksualëve. Unë hala te ura. Më vjen turp për mendimet e mia. Vigjilentët e rinj m’i transformojnë ato.
Është një presion i madh. Janë figura të njohura televizive, kanë reputacion të lartë publik. Ata të transferojnë menjëherë në koshin e të prapambeturve të shoqërisë: “Në vitin 2022 dhe akoma me këto mendime!”…
E mbaj mend edhe në vitin 1982 u thoshin kështu atyre që nuk qeshnin shumë, natyrave serioze. Duhej të ishin entuziastë, të gëzuar, të qeshur: “Ej, jetoni në vitin 82 dhe prapë të zymtë” – gërthisnin atëherë….
Bijtë e tyre sot janë në trendin e ri. Ata sheshojnë konfliktet, janë me të përparuarën, perëndimoren, modernen, amerikanen…Këta janë kufinjtë e rinj. Provo e thuaj po deshe: “Shiko se edhe Rusisë i është bërë pak padrejtësi”. Vigjilenti të sheh me keqardhje. Ti qenke putinist i fshehur. Largohet prej teje si prej një sëmundjeje për të shkuar në takimin e liberalëve.
Filani, gazetar i njohur, të diskrediton me cinizëm publik duke të cituar: “Lexoni çfarë ka shkruar dhe gjykojeni vetë”. Vigjilentët pasues lëshohen në “like” dhe komente linçuese. Ti ndihesh si mut.
Thuaj po deshe që ka një luftë të fshehur “veri- jug, se jugu është i Partisë Socialiste dhe se të gjithë drejtuesit e shtetit vijnë prej andej. “Aaaaa, ti qenke i mbaruar” – ulërin Genci dhe të publikon një hartë sipas të cilës edhe në këshillin bashkiak të Gjirokastrës ka përfaqësues blu. Shpërthejnë “liket” për Gencin dhe zemërimet për ty. Jemi njësoj si dikur. Vetëm se atëherë ishte interesante disidenca apo kundërvënia ndaj sistemit. Kundërshtuesi ishte simpatik. Ndërsa tani jo. Simpatikë janë këta vigjiluesit e djeshëm. Ata na tregojnë rrugën e duhur, Amerikën, progresin, barazinë, demokracinë.
Këta janë po aq të dëmshëm se të parët. Po e vrasin mendimin e lirë, atë që tha Volteri 300 vjet të shkuara: “Nuk jam dakord me çka thua por jap dhe jetën që ti ta thuash”! Janë kaq të indoktrinuar me modernen dhe kaq shumë në numër, sa shpeshherë e kam zënë veten duke shkruar gjëra që as i pëlqeja fare por gradualisht më kishin molepsur trurin. Aty kam kuptuar fjalën fabrikim i bindjeve.