Nga Luljeta Isaku
Ideologu i parë i Rilindjes sonë, iluministi Naum Veqilharxhi (1797–1859), në një plan panshqiptar dhe qartësisht kombëtar, shtroi çështjen e alfabetit kombëtar. Detyra e parë sipas tij ishte të shkruhej dhe të lëvrohej gjuha amtare, të përhapet arsimi shqip dhe të zhvillohet letërsia shqipe.
Idetë e Veqilharxhit rimerrnin formë nga një grup shqiptarësh të Stambollit. Si punë paraprake u parashikua përpilimi i një alfabeti të përbashkët. Orvatje të njëpasnjëshme u bënë më 1867, 1869, 1871, 1872 dhe 1877, duke vijuar për vite me radhë takime, shkëmbime mendimesh dhe mbledhje komisionesh. Në këto takime u zhvillua një luftë e ashpër mendimesh, duke paraqitur pikëpamje të ndryshme. Që në fillim u hodh poshtë mendimi i disa feudalëve, të mbështetur nga Porta e Lartë, për të adoptuar me plotësime alfabetin arab, po ashtu edhe për të shkruar shqipen thjesht me alfabetin grek. Duke qenë se asnjë alfabet nuk mjaftonte për të dhënë të gjithë tingujt e shqipes, shfaqeshin mendime të ndryshme për alfabetin bazë, për kriteret që do të ndiqeshin për plotësimin e tij dhe për mënyrat konkrete se si do të zbatoheshin ato.
Në shtyp shtrohej gjithnjë çështja e alfabetit. Mendimet ishin të ndara, sidomos midis rrymës për alfabetin e Stambollit dhe asaj të përkrahësve të një alfabeti thjesht latin me digrame, alfabet që paraqiste variante të ndryshme, por që fitonte gjithnjë e më shumë terren për arsye praktike.
Më 1906 flitet për një kongres që do të mblidhej në Vjenë, më 1907 në Bukuresht dhe më 1908 për një kongres në Zvicër. Fan Noli thotë atë vit: “Një abece për të gjithë shqiptarët dhe si të dojë le të jetë. Kjo është thirrja e tërë shqiptarëve. Mjaft… abecera se është turp” (“Kombi”, I.5; 29.VI.1906).
Nevoja për një alfabet të përbashkët ndjehej prej të gjithëve. Iniciativën konkrete e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit. Në mbledhjen e parë, më 23 gusht 1908, klubi vendosi të thërrasë një kongres, me ftesën: “T’i japim mbarim kësaj së madheje nevojë për bashkim të gjithë shqiptarëve me një ABE”.
Kongresi filloi punën më 14 Nëntor 1908 dhe vazhdoi deri më 22 Nëntor. Morën pjesë 50 delegatë, prej të cilëve 32 me të drejtë vote dhe 18 të tjerë pa të drejtë vote. Ishte kongresi i parë ku merrnin pjesë shqiptarë pa dallim feje.
Punimet e Kongresit zgjatën nëntë ditë. Mbledhjet plenare kishin karakter të hapur për gjithë shqiptarët e pranishëm, rreth 400 veta. Kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetësh. U përfaqësuan tre alfabete kryesore:
Alfabeti i Stambollit (përpiluar nga vëllezërit Frashëri) Alfabeti i shoqërisë “Agimi” (Ndre Mjeda – Shkodër) Alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” (Gjergj Fishta – Shkodër)
Intensivisht u punua në seanca të mbyllura. Anëtarët e komisionit dhanë besën se do të ruanin fshehtësinë për bisedimet dhe se nuk do të nxirrnin jashtë komisionit asnjë fjalë para zgjidhjes së çështjes së alfabetit. Për mbledhjet e komisionit nuk u botua asgjë, as në atë kohë, as më vonë.
Në fillim u vendos që alfabeti i shqipes do të ishte i bazuar në alfabetin latin. Pyetja ishte se si do të përdoren germat latine për tingujt që nuk ekzistojnë në latinisht. U paraqitën tre mundësi:
I. Të merrej një nga tre alfabetet kryesore (Alfabeti i Stambollit, Alfabeti i Shoqërisë “Agimi” apo Alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi”) me ose pa ndryshime;
II. Të formohej një alfabet me elemente nga tre sistemet, duke i shkrirë në një të vetëm;
III. Të krijohej një alfabet i ri.
U propozua të adaptohej Alfabeti i Stambollit me pak ndryshime, dhe një i dytë, i tëri latinisht, me njëzet e pesë shkronja, ndërsa për tingujt e tjerë të shqipes të përdorej kombinimi i dy germave. Ky propozim u pranua nga gjithë anëtarët e komitetit. Gjergj Qiriazi shprehet: “Telegramet e ardhura nga Gegëria na luteshin të merrnim alfabetin e ‘Bashkimit’, dhe telegramet nga Toskëria na luteshin të përdorim atë të Stambollit ose të Frashërit. Komiteti duhej të merrte parasysh të gjitha këto letra dhe telegrame, sepse po të mos përfillnim njërën ose tjetrën anë, do të shkaktohej pengesë e madhe në përparimin e kombit. Dhe mbasi këto alfabete ishin përdorur në shkolla, njëri në Gegëri, tjetri në Toskëri, ne vendosëm me vota të plota të adaptojmë dy alfabete, atë të ‘Bashkimit’ dhe atë të ‘Stambollit’, me disa ndryshime sipas nevojës së gjuhës”.
Zgjidhja e dhënë ishte për një periudhë kalimtare. Kongresi vendosi që të mblidhej pas dy vitesh në Janinë për të vendosur se cili nga këto dy alfabete do të përdorej më shumë. Vetë jeta zgjidhi përfundimisht problemin. Alfabeti latin i papërzjerë ishte homogjen në karakterin e gërmave, i lehtë për t’u shkruar dhe praktik në shtyp, pa nevojë për shtypshkronja të posaçme. Prandaj mund të bëheshin botime kudo. “Alfabeti i Stambollit” mbeti në përdorim gjithnjë e më të kufizuar.
Kongresi i Manastirit ka rëndësi jo vetëm për historinë e gjuhës letrare shqipe, por edhe për historinë e kulturës shqiptare në përgjithësi. Takimet jashtë mbledhjeve zyrtare ndihmuan në përforcimin e bashkimit midis shqiptarëve, në vendosjen e bashkëpunimit në nivel kombëtar dhe bënë të qartë se të drejtat kombëtare nuk mund të siguroheshin vetëm me armë në dorë. Mbrojtja e alfabetit dhe e arsimit në gjuhën amtare vazhdoi të jetë një nga problemet kryesore të kohës dhe një nga kërkesat e para të lëvizjes kombëtare.
Kongresi i Manastirit i parapriu Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

