TIRANA- Kriza e dikujt është një mundësi e artë për dikë tjetër. Në vitin 2022, u shënua kulmi i krizës së energjisë, me çmimet në bursa që prekën vlera të papara ndonjëherë, duke kapur në fund të gushtit vlerën 1047 euro/MWh apo 130 lekë/kWh. Nga kjo situatë përfituan treguesit privatë të energjisë, të cilët panë rritje të fortë të të ardhurave dhe fitimeve, ndërsa operatorët shtetërorë, sidomos KESH, që kishte barrën e importit të energjisë elektrike, rezultoi me humbje të mëdha.
Energjia është një treg që shënon luhatje të mëdha, në varësi të ecurisë së çmimeve në bursa. Çmimi mesatar i blerjes së energjisë në tregun e lirë gjatë vitit 2023 ishte rreth 110 euro/MWh, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), me rënie të ndjeshme nga viti 2022, kur arriti në 305 euro/MWh, gati 3.5 herë më i lartë sesa mesatarja e zakonshme që vendi importonte energjinë në periudhën para fillimit të krizës.
Në 2023, situata ishte më e favorshme për operatorët shtetërorë të energjisë, ndërsa të ardhurat e fitimet ranë për treguesit privatë, por gjithsesi vijon të mbetet një model i mirë biznesi, që kërkon vetëm kapital e shumë pak punonjës.
Në total, bashkë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, importet e energjisë në 2023 ishin rreth 70 milionë euro, sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), nga mbi 500 milionë euro që u shpenzuan një vit më parë.
Tre operatorët shtetërorë të energjisë, shpërndarësi OSHEE Group, prodhuesi KESH dhe transmetuesi OST shënuan përmirësim të ndjeshëm të aktivitetit. KESH gjeneroi fitime prej 13.5 miliardë lekësh, OST 6.1 miliardë lekë dhe OSHEE Group, 4.6 miliardë lekë.
Modeli i tregut të energjisë
Shqipëria nisi nga viti 2015 të aplikonte një model të ri tregu që bazohej te ligji “Për sektorin e energjisë elektrike”, i miratuar po atë vit. Ky model parashihte disa hallka të reja, që vinin si efekt i ndarjes së OSHEE, krijimit të Bursës së Energjisë apo përcaktimit të qartë të roleve të prodhuesve, furnizuesve apo tregtarëve privatë.
Si pjesë e Komunitetit të Energjisë dhe zbatimit të direktivave për integrimin në tregun europian, KESH nuk mund të dalë të blejë vetë energji në Bursë, apo në tregun vendas, me logjikën se do të “kursente” tarifat që paguan te tregtarët, pasi ligji i 2015-s dhe rregullat e tregut që u miratuan në 2016 nuk e lejojnë këtë.
Te këto rregulla, tregtarët nuk mund të shmangen. Ata cilësohen si “njësi komerciale që tregtojnë energji elektrike:
i) do të blejnë dhe shesin energji elektrike me shumicë;
ii) do të tregtojnë energji elektrike nga importi ose për eksportin, ose prodhuesit, ose nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik;
iii) do të shesin energji elektrike për eksport”.
Ulen ndjeshëm fitimet për tregtuesit e energjisë
Vitet e fundit, tregtimi i energjisë po joshte bizneset, pasi nëse ke njohuritë e duhura dhe kapital mund të rritesh shumë shpejt, teksa numri i punonjësve që kërkohen është minimal (shoqëritë kanë maksimumi 4 apo 5 punonjës).
Ndonëse është një biznes i paqëndrueshëm, në varësi të nevojave të operatorëve shtetërorë për të blerë energji nga importi, modeli i thjeshtë dhe pa nevojë për shumë investime (përveç garancisë bankare), nxiti hyrje të reja, që i dhanë frytet e tyre sidomos në 2022, kur për tregtuesit ishte një vit i artë, me rritje të fortë të ardhurash e fitimesh.
Por, viti 2023 shënoi rënie të këtij segmenti, ndërsa nuk ka më hyrje të reja. Të ardhurat u tkurrën dhe bashkë me to, edhe fitimet.
Fitimi në total i 6 operatorëve kryesorë në fushën e tregtimit të energjisë elektrike ishte vetëm 3.1 miliardë lekë, nga 11.4 miliardë lekë në 2022.
“Noa Energy Trade” ishte tregtuesi më i madh i energjisë elektrike në 2023, teksa shënoi rritje të të ardhurave, pavarësisht rënies së çmimeve të tregtimit dhe importeve, duke u renditur për herë të parë, më i madhi në këtë segment.
Në vitin 2023, kompania raportoi një qarkullim vjetor prej 19.2 miliardë lekësh, me zgjerim prej 29.3% me bazë vjetore.
“Këto të ardhura përfaqësojnë të ardhura nga shitja e energjisë elektrike brenda vendit, të ardhura nga tranziti i energjisë elektrike, si dhe të ardhura nga eksportimi i energjisë elektrike”, thuhet në raportin e aktivitetit. Edhe fitimet u rritën lehtë në 595 milionë lekë.
“Ener Trade”, pjesë e grupit “Gjonaj”, në vitin 2023 ka kaluar në tregtuesin e dytë më të madh të energjisë në vend, ndërsa vitin e kaluar ishte i pari. Të ardhurat ishin 10.4 miliardë lekë, me tkurrje të fortë prej 76% me bazë vjetore, e ndikuar nga ulja e çmimeve të energjisë. Edhe fitimet u tkurrën ndjeshëm me 86%, në 222 milionë lekë.
“GSA” ishte operatori i tretë më i madh i tregtimit të energjisë. Në vitin 2023, kompania gjeneroi 8.3 miliardë lekë nga tregtimi i energjisë, me rënie prej 68%, sipas të dhënave të detajuara në bilanc.
Në total, të ardhurat e kompanisë ishin 19.1 miliardë lekë në 2023, me tkurrje 54% me bazë vjetore. Pjesa tjetër e të ardhurave sigurohet nga aktivitetet e ferrokromit. Fitimet ranë me 71%, në 2.1 miliardë lekë. (nuk ka të dhëna të detajuara se sa për qind e fitimeve ka ardhur nga tregtimi i energjisë dhe sa nga shitja e ferrokromit).
“Ayen Energy Trading” pa një rënie të të ardhurave me 80%, në 1.6 miliardë lekë. Kompania raportoi humbje prej 32 milionë lekësh, ndërsa në 2022 gjeneroi fitime në vlerën e 1 miliard lekëve.
“GEN-I Tirana”, operatori slloven, ka reduktuar të ardhurat me 65%, në 7 miliardë lekë. Sipas raportit vjetor, “synimi i qëndrueshëm i ‘GEN-I Tirana’ është të fitojë konsumatorë fundorë të mëdhenj dhe për rrjedhojë, të zgjerojë fokusin e vet drejt konsumatorëve fundorë SME-Sipërmarrje të Vogla e të Mesme, në rast mundësish të mira të tregut”.
Kompania është nga të paktat në këtë segment që raporton fitime minimale, që ishin 11 milionë lekë në vitin 2022 dhe 37 milionë lekë në vitin 2023.
“Tirana International Development-TID”, një shoqëri që më herët ishte e specializuar në ndërtime, pa një rënie të të ardhurave me 80% në 2 miliardë lekë. Edhe fitimet u tkurrën me 81%, në 181 milionë lekë.
HEC-et rezistojnë, norma të larta fitimi
Investimet e kryera në ndërtimin e hidrocentraleve private si të mëdha, apo të vogla po japin kthime të kënaqshme. Historikisht, hidrocentralet e vogla janë renditur në listën e më fitimprurësve të “Monitor 200”.
Nga viti 2022 hynë në listë dhe HEC-et e mëdha si “Devolli Hydropower”, apo “Ashta”, pasi kanë mbaruar investimet dhe po kryejnë aktivitet të plotë. Ndonëse në vitin 2023, të ardhurat kanë rënë për shkak të uljes së çmimeve, fitimet vijojnë të mbeten të larta, me norma kthimi dyshifrore.
Sipas INSTAT, pesha e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet private dhe koncesionare ra me 3 pikë përqindje në raport me një vit më parë, duke arritur në 41%, për shkak të rritjes më të shpejtë të prodhimit nga hidrocentralet publike.
Gjatë vitit 2023, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti vlerën 8795 GWh, me përmirësim 25.6% nga viti i mëparshëm, si rrjedhojë i një situate më të mirë hidrologjike. Rritja më e lartë erdhi nga hidrocentralet publike me 32.7% dhe më pak nga ato private (+15.8%).
Ndonëse vitet e fundit ka pasur një orientim të madh drejt investimeve për energjinë diellore, këto sipërmarrje nuk kanë hyrë ende në prodhim, teksa në vitin 2023, prodhimi i energjisë nga fotovoltaikët zinte vetëm 1% të totalit, sipas të dhënave të INSTAT.
Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), kapaciteti total prodhues i energjisë elektrike i kompanisë publike KESH sh.a. është 1.448 MW dhe përbën rreth 56% të kapacitetit total të instaluar në vendin tonë.
Kapaciteti total i instaluar i prodhuesve të tjerë të energjisë elektrike është 1.183 MW dhe përbën rreth 44% të kapacitetit total të instaluar në vendin tonë.
Ky është një rezultat i prekshëm në aspektin e krijimit të një fuqie të instaluar hidrike me investime private dhe u realizua, kryesisht, me formën e koncesioneve BOT (Ndërto-Opero-Transfero) për projekte të HEC-eve të dhëna në periudhën 2005-2010.
Prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në 2023 ishin KESH me 5.1 milionë MWH, i ndjekur nga Devolli Hydropower me 480 mijë MWH, Kurum International (366 mijë), Energji Ashta (287 mijë) dhe Ayen As Energji (353 mijë).
Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), gjatë vitit 2023 kanë hyrë në prodhim gjithsej 12 impiante, me kapacitet të instaluar prej 26 MW.
Kjo fuqi e instaluar për vitin 2023 është shtuar në burime hidrike me kapacitet 7.00 MW dhe në Burime Fotovoltaike me kapacitet 18 MW. Prodhimi i energjisë elektrike, i realizuar nga impiantet që kanë hyrë në prodhim gjatë vitit 2023, zë rreth 0.4% të prodhimit total vendas të energjisë elektrike për këtë vit.
Hidrocentralet private të vogla me koncesion vijojnë të raportojnë norma fitimi të larta dhe të qëndrueshme. Aktorët e tregut pohojnë se biznesi i HEC-eve private jep kthime të larta, teksa pas investimit fillestar, shpenzimet e mirëmbajtjes dhe administrimit janë të ulëta.
Një tregues tjetër që shohin investitorët është kthimi nga kapitali, që sa më i ulët të jetë prodhimi (të ardhurat), aq më shumë zgjat afatin e kthimit të investimit.
Pasi kanë hyrë në prodhim, edhe operatorët e mëdhenj po rezultojnë me fitime.
“Devoll Hydropower” është prodhuesi privat më i madh i energjisë në vend, nëpërmjet dy hidrocentraleve. HEC-i i Banjës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 72 MW) filloi veprimtarinë tregtare në vitin 2016, ndërsa HEC-i i Moglicës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 197 MW) nisi veprimtaritë tregtare në tremujorin e dytë të vitit 2020.
Për të dytin vit radhazi, kompania renditet ndër 10 më të mëdhenjtë në vend, sipas fitimeve në vlerë absolute. Në vitin 2023, të ardhurat e tij ishin 16.5 miliardë lekë, ndërsa fitimet 6.7 miliardë lekë.
Norma e fitimit ishte 41%, pothuajse në të njëjtat nivele me vitin e kaluar.
“Kurum International” është prodhuesi i dytë më i madh privat i energjisë, pas Devollit, por të ardhurat e tij raportohen së bashku me aktivitetin e prodhimit të çelikut.
“Energjia Ashta”, me fuqi të instaluar 48.2 MW, kishte të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, me rritje prej 17%. Edhe fitimet pothuajse u dyfishuan në 1.7 miliardë lekë. Norma e fitimit ishte 74%.
Kapaciteti i kombinuar i të dy hidrocentraleve (Ashta 1 dhe Ashta 2) është 53 megavat (MW); 242 milionë kilovat/orë prodhohen në vit.
“Ayen as Energy” raportoi të ardhura 3.8 miliardë lekë, me rënie 64% në raport me vitin e mëparshëm. Edhe fitimet u tkurrën me rreth 69%, në 1.3 miliardë lekë. Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut. Norma e fitimit arriti në gati 40%.
“Euron Energy”, që shfrytëzon me koncesion dy HEC-e, HEC Bele 1, me fuqi 5 MW, dhe HEC Topojan 2, me fuqi 5,8 MW, gjeneroi të ardhura 555 milionë lekë dhe fitime 373 milionë lekë, me një normë prej 67%.
“Diteko”, që ka me koncesion HEC Gjoricë, me fuqi 4.18 MW, raportoi të ardhura prej 1.28 miliardë lekësh dhe fitime 600 milionë lekë, me një normë 47%.
“Alb-Energy” ka gjeneruar nga aktiviteti i saj 717 milionë lekë të ardhura, nga shitja e energjisë elektrike nga HEC Bele 1 dhe Topojan 2, në Kukës, dhe fitime prej 524 milionë lekësh. Norma e fitimit ishte 73% në vitin 2023.
Kompania është pjesë e “Alb-Building”, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të ndërtimit në vend.
“Dragobia Energy”, në pronësi të “Gener 2”, që ka ndërtuar HEC-in mbi lumin Valbonë, në vitin e dytë të aktivitetit raportoi 716 milionë lekë të ardhura dhe fitime 265 milionë lekë, me një normë prej 37%.
“GJO-SPA POWER”, që shfrytëzon me koncesion HEC Llapaj, me fuqi 13,62 MW, kishte të ardhura prej 520 milionë lekësh dhe fitime 354 milionë lekë, me normë fitimi 68%./ Monitor
https://monitor.al/energjia-shendoshet-shteti-dobesohen-tregtuesit-private-2/