Nga Ilir Seci

Këtyne ditëve të Kampionatit Botnor të Futbollit që po mbahet në Katar, tanëve ne dashamirësve të këtij sporti magjik na ka ra në sy reagimi i disa ekipeve që po përçojnë mesazhe të caktueme politike duke përzie politikën në sport. Në traditen thuejse shekullore tashma, Kampionati Botnor e ka shmangë politizimin por me gjasë kësaj here e kanë vendosë me e prish. Mendoj se nxjerrja ne spikamë e çfarëdo agjende politike në këtë festë planetare asht tendence me e prishë në mënyrë te pameritueme ngjarjen që sportdashësit anembanë botës e presin me padurim çdo 4 vjet. Ekipet që po përdorin skenën e Kampionatit me përçue mesazhe janë gabim kur e bajnë këtë gja pikerisht tani…dhe kjo për disa arsye :

– Vendimi për mbajtjen e Kupës së Botës në Katar asht marrë para 12 vjetësh… Nëse këto vendet të cilat na shfaqen sot kaq të pakënaquna për mbajtjen e Botnorit në Katar, atëherë pse nuk e kërkuan revokimin e vendimit, sidomos mbas zbulimit të korrupsionit së drejtuesve Blater e Platini?

– Meqë nuk u ba revokimi i vendimit atëherë këto vendet që përçojnë mesazhe pse nuk e bojkotuen Botnorin në Katar!? Ta kishin bojkotue për ato shkaqe që paraqesin tani në daljet e tyne publike para ndeshjeve, siç u patën bojkotue Lojnat Olimpike të vitit 1980 në Moskë për shembull, në kohën e Luftës së Ftohtë, kur disa vende nuk morën pjesë në shenjë proteste ndaj pushtimit të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik. Federatat që udhëzojnë ekipet me përçue mesazhe e kanë dite qysh para këtij Botnori se si asht Katari…nuk e mesuen tash se Katari si shtet teokratik nuk përfill plot të drejta të njeriut…

– Nëse fillohet me përçime mesazhesh në Botnor atëherë pse vetëm nji agjendë e caktueme bahet kryetitull? Pse jo mesazhe kundër luftës në Ukrainë? Pse jo mesazhe për Urinë në Afrikë!? Pse jo mesazhe kundër gjenocidit që po kryhet sot ndaj Ujgureve ne Kinë!? Apo Kina asht “off-limits”? Nëse skena e evinimentit sportiv ma të randësishëm në botë vendoset me u ba tribunë mesazhes e agjendash, atëherë le të bahet e tillë për sensibilizim publik ndaj çdo padrejtësie, jo vetëm nji padrejtësie. Padrejtësitë janë njisoj në çdo kontinent…apo jo? Përndryshe nëse nuk konsiderohen njajtë atëherë kjartazi kemi të bajmë me HIPOKRIZI…

…Dhe meqë dalim te Hipokrizia, atëherë, bash aty duhet me i gjetë fijet që mund na çojne te kuptimi i kësaj situate…Pse janë hipokrite këto Federatat e vendeve që po përçojnë mesazhe? Le ti përgjigjemi kësaj pyejte tue ia fillue me nji parantezë :

– Katari me nji popullsi prej rreth 2.2 milionë banorësh asht vendi më i pasun për frymë në botë. Ne fillimin e shekullit te 21-të Katari  vendosi me krijue “Fondin e investimeve te Katarit” dhe me ba investime në botë, kuptohet parësore ishin vendet perendimore…Tue fillue nga Anglia ku Katari ka ma shumë asete në Londër për shembull sesa vetë Mbreti i Anglisë. Por Katari në vitet e fundit ka diversifikue investimet e veta edhe në SHBA, Gjermani, Francë, Itali dhe ma tutje në Azi…Fondi i pasunisë sovrane, “Katar Investment Authority”, i themeluem më 2005, mbikëqyr rreth 338 miliardë dollarë në asete, sipas Qendrës Sovrane të Pasurisë. Asht fondi i 11-të ma i madh në botë, sipas organizatës kërkimore. Le të hedhim nji vështrim mbi disa nga asetet ma të mëdha të Katarit në mbarë botën…

…Le t’ia fillojmë me vendin e parë në botë ku Katari ka ma shumë investime, ANGLINË :

– Në Londër, subjektet e mbështetuna nga Katari kanë ble nji numër rrokaqiejsh të njoftun si “Canary Wharf”, “HSBC Tower” apo rrokaqiellin ma të naltë në Britani “The Shard.” ;

Rrokaqiellin “Canary Wharf” në qendër të Londrës e ka ble bashkë me ikonen e biznesit, “Canary Wharf Group” për 2.6 miliardë sterlina, ikonë që mbas blemjes nga Katari me 2015, u ba sipërmarrje e përbashkët mes “Qatar Investment Authority”, dhe “Brookfield Property Partners” në Nju Jork… “Qatar Investment Authority,(QIA), duhet theksue fort se asht kompani shtetnore e Katarit ;

Vitin e kaluem 2021, Katari i shtoi në 20 për qind aksionet e veta në pronësinë e kompanisë britanike “British Airways” si dhe bleu 20 për qind të aksioneve në aeroportin “Heathrow” te Londrës. Nga revistat e ekonomisë mësohet se “International Airlines Group”, (IAG – Katari pra), asht hisenik në kompaninë irlandeze “Aer Lingus”, në kompanitë e Spanjës “Iberia” dhe “Vueling”.

Katari asht hiseniku, (shareholder), kryesor ne “Barclays” falë 3.8 miliardë stërlinave që “Qatar Holding” pati investue gjatë krizës financiare të vitit 2008…pos tjerash duhet theksue se “Barclays” asht sponsori i tretë kryesor i Ekipit Kombëtar të Anglisë në Futboll ;

Fondi i Katarit asht aksioneri kryesor i “Sainsbury’s”, rrjetit të dytë ma të madh të supermarketeve në Mbretërinë e Bashkueme…kjo mbasi Katari bleu në vitin 2007 shumicën e hiseve, (shares), të këtij rrjeti, mbi 2.1 miliardë stërlina ;

Katari në vitin 2010 ka ble dyqanin ma të famshëm te botës “Harrods” në mes të Londrës, per 1.5 miliardë stërlina. Përveç 330 dyqaneve, bashkë me “Harrods” u blenë gjithashtu “Harrods Bank”, “Harrods Estates”, “Harrods Aviation” dhe “Air Harrods”. 

Katari po ashtu ka edhe tjera zotnime në Angli që janë poshtë shifrës 1 miliardë dollarë si hotelet e famshme të Londres “Claridge’s,”, “The Berkeley” dhe “The Connaught”, Katari zotnon “Chelsea Barracks” që asht nji nga zonat ma të shtrenjta të banimit të Londrës…Katari ka edhe “Fshatin Olimpik te Londrës” që u ndërtue për Lojnat Olimpike Verore 2012, Katari ka edhe distriktin e famshëm të Londrës “Mayfair”, zona jashtëzakonisht e pasun që sot po mbushet me banorë nga Katari aq sa e quejnë “Lagjia e Katarit” ;

Vendi i dytë, GJERMANIA :

– Gjermania asht destinacioni kryesor për investimet e Katarit në kontinentin europian, investime që vlerësohen mbi 25 miliardë euro. Fondi i Katarit zotnon aksione në grupet ma të rëndësishme tregtare dhe bankare gjermane, ky fond asht aksioneri ma i madh i Grupit “Volkswagen” me aksione me vlerë prej 9 miliardë dollarësh…Si dihet “Volkswagen Group” asht njeni nga prodhuesit ma të mëdhenj të makinave në botë që zotnon edhe markat e kamionëve të randë “MAN” dhe “Scania”, kompanine e motoçikletave “Ducati” të cilat Audi i zotëron nëpërmjet “Lamborghini” që e ka ble qysh në vitin 1998. Gati me mësue nji fakt interesant? – Bash ky “Volkswagen” pra asht sponsori i dytë ma i randësishëm i Kombëtares Gjermane…

Po ashtu “Qatar Investment Authority” ka 21 për qind të “Siemens”, kompani e famshme gjermane e specializueme në inxhinieri, elektronikë dhe pajisje elektrike mjekësore ;

Vendi i tretë, FRANCA :

– Kompania “Katar Sports Investments” zotnon klubin e futbollit Paris Saint-Germain…e kanë 100 për qind ne pronësi këtë klub futbolli, si klub privat…

Fondi i Katarit jane pronarë të hoteleve pariziane “Raffles”,(ish-Royal Monceau), “Concorde Lafayette” “Peninsula”, të “Hôtel du Louvre”, “Martinez” dhe “Carlton” në Kanë si dhe “Palais de la Mediterranean” në Nice. Katari asht aksioner kryesor i grupit “AccorHotels”, qe ka disa mijëra metra katrore ambiente në “Avenue des Champs-Elysées” dhe pothuajse nji të katërtën e “Société fermière du kazino komunale de Cannes”,(SFCMC). 

Emiri i Katarit asht pronar i “Hôtel d’Evreux”, në “Place Vendôme” të famshmen në Paris, kurse i vëllai i tij ka “Hôtel Lambert”, në majë të Ile Saint Louis.

Fondi i Katarit asht shumë i pranishëm në kompanitë e mëdha aksionere franceze si  “Total”, “Vinci”, “Veolia Environnement”, “LVMH” dhe “Vivendi”, përveç se zotnon edhe dyqanet Printemps. 

Në planin ushtarak Katari asht klient i rregullt i Francës, kujtojmë këtu si porositi në vitin 2015 plot 24 avionë luftarakë “Rafale” për 6.3 miliardë euro.

Vendi i katërt, SHBA :

– Katari kane ble “Empire State Building” në Manhattan per 478,5 milionë sterlina dhe bashke me rrokaqiellin ikonik te Manhattan kane ble edhe 9,9 për qind të aksioneve në “Empire State Realty Trust”…kujtojmë se Empire State Building u ndriçue tash së fundmi me ngjyrat e flamurit të Katarit për me përkujtue 10-vjetorin e fluturimeve të “Qatar Airways” ndërmjet SHBA-ve dhe Dohas. Firma “Empire State Realty Trust” zotnon gjithashtu prona në Manhattan, Westchester County dhe Connecticut. Katari ka ble dhe qendrën e Washington D.C, “City Center D.C ;

Grupi mediatik i Katarit, “BeIN”, vjet më 2021 bleu “Miramax Studios” për një shumë të padeklarueme. Fondi i Katarit ka investue gjithashtu në “Uber” dhe ka në proçes investime edhe në Silicon Valley ;

Vendi i pestë, ZVICRA :

– “Vëllimi i tregtisë midis Katarit dhe Zvicrës kap rreth 4 miliardë dollarë në vit…

Fondi i Katarit jo ma larg se me 2 Nandor 2022 i shtoi aksionet ne bankën “Credit Suisse” duke i kalue 300 miliardë dollarë amerikanë asete që mban në atë banke duke u ba sot aksioneri ma i madh i “Credit Suisse” ;

Vendi i gjashtë, ITALIA :

– Katari në vitin 2012 kanë ble “Valentino Fashion Group” dhe janë në perpjekje me ble tjera biznese italiane të modës dhe luksit për të cilat Italia shquhet. 

Fondi i Katarit ka kontrollin e plotë mbi distriktin e Porta Nuova në Milano mbasi e bleu 100 për qind në vitin 2015. Për kureshtje Porta Nuovo asht edhe distrikti ma i pasun i çdo qyteti në Europe. Asht pjesa ma vitale e biznesit në qytetin e Milanos dhe përmban 28 ndërtesa komerciale me ma shumë se 2.6 milionë metra katrorë hapësirë me vlerë 2.2 miliardë dollarë.

Po ashtu simbas “Financial Times”, tregtia dypalëshe mes Katarit dhe Italisë asht rritë me mbi 50% në 10 muajt e parë të 2021. Pa llogaritë këtu blerje të “vogla” që ka ba qeveria e Katarit si për shembull kur bleu Palazzo della Gherardesca në Firence apo një varg hotelesh luksoze në Sardenja në Costa Smeralda, ish-pronesi e “Smeralda Holding” – hotele të famshme si “Cala di Volpe”, “Hotel Pitrizza”, “Hotel Romazzino” dhe “Cervo Hotel”. ;

Dhe në fund qershia mbi tortë, DANIMARKA :

– Federata Daneze e futbollit DBU ka qenë prej kohësh dhe vazhdon me qenë zani ma kritik lidhun me Katarin si mbajtës i Kupës së Botës 2022…Por në shkurt të vitit 2022 krejt si surprizë u publikue lajmi se Federata Daneze e Futbollit,(DBU), kishte fonde të investueme në shtetin e Katarit…Federata u mundue me u shfajësue mbasandej se ato fonde i ka investue Danske Bank pa dijeninë e tyne  por kushdo që jeton në nji vend kapitalist funksional e din se asnji fond nuk guxon me u investue pa keshillimin dhe miratimin e pronarit ;

…Tash si konkluzion pyetja 1 miliard dollarëshe :

– Në qoftë së vërtetë janë të shqetësuem për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Katar, atëherë pse kanë pranue investimet e tyne? E ne qoftë se e zamë për nji moment se nuk i paskan ditë këto gjana, atëherë pse nuk i përzanë këto investime të “Qatari Investment Authority”,(“QIA”)!?

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *