Nga Besmir Lushaj

Emërtesa “Tropojë” u vendos nga regjimi komunist në ndarjen administrative të vitit 1946 si mbivendosje ideologjike ndaj Malsisë së Gjakovës.

Nuk ekziston një referencë e vetme që ndokush nga kjo krahinë para këtij viti të jetë identifiku dikund tjetër si “tropojan” apo krahina si “Tropojë”. Deri para këtij viti, bashkë me Lumën e Krumën, Malsia e Gjakovës ishte pjesë e Nënprefekturës së Kosovës.

Në regjistrimin e popullsisë të kryer nga austro-hungarezët në vitin 1918-ë nuk ka “Tropojë”, por Malsi të Gjakovës.

As në dokumentet osmane për kryengritjet e Kosovës, nuk ka “tropojanë”, por malsorë të Gjakovës.

Pra, emërtesa sllavo-komuniste e vitit 1946-ë ishte sa tëhuajsuese, aq dhe poshtruese për një krahinë të regjur në luftra me armiqtë historike të kombit shqiptar.

“K’cimi i vendit” (sipas frazeologjisë popullore) në Malsinë e Gjakovës e ka fillesën shumë ma heret se 1946-a.

Brezat që e jetësuan, e kuktivuan, i dhanë identitet – nuk e dinin çka ishte as “Tropoja” e as “tropojani”.

Pranimi i kcimit në UNESCO pa etnogjenezën e vet të përjashtuar në emërtesën çertifikuese nuk mundet me qenë lajm i mirë.

Grupi i punës në krye me koreografin, Skënder Haklaj meriton vlerësim për punën dokumentuese dhe dosjen voluminoze –  etnografisht e antropologjikisht të kopsitur – por aplikimi me një term reduktues e deri nihilist për Malsinë e Gjakovës nuk mund të jetë zgjedhja e duhur.

Padrejtësia historike nuk mundet me pasë vend në narrativën e një kulmimi artistiko-historik. Në hapësirën legjitime të suksesit iu la vend dhe absurdit e nihilizmit.

Në UNESCO kemi po ashtu Polifoninë dhe Xhubletën. Këto visare të kulturës shqiptare u çertifikuan me burimësinë e tyre, ndryshr nga “K’cimi i vendit të Malsisë së Gjakovës” i cili u vesh me rrobën e zezë ideologjike të një ish-tirani stalinist.

Cektësia dhe dritëshkurtêsia me përfundime të sojit “rëndësi ka pranimi, hollësitë nuk vlejnë” mbetet parathënia e një disfatë të paevitueshme.

Mallëngjimi kolektiv prej irracionales e dogmatikes, gjithnonë paguhet, herët ose vonë.

By Editor