Në 3-mujorin e dytë të 2024-s, sipas të dhënave të INSTAT, nga totali i të punësuarve që paguajnë sigurime shoqërore, 25,3% e tyre kanë paga deri në nivelin minimal 40,000 lekë.

Nga 1 prilli 2023, paga minimale u rrit nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë, apo me 17,6%. Pas rritjes së pagës minimale, prej muajit qershor u rrit dhe ajo maksimale po me 17,6%, nga 149,954 lekë në 176,416 lekë. Në 3-mujorin e dytë të 2024-s, sipas të dhënave të INSTAT, nga totali i të punësuarve që paguajnë sigurime shoqërore, 25,3% e tyre kanë paga deri në nivelin minimal 40,000 lekë. Krahasuar me 3-mujorin e dytë të 2023, totali i punonjësve që paguhen deri në 40,000 lekë ka rënë 5,3%. Ndërsa në 3-mujorin e parë të 2024-s, pesha e punonjësve deri në pagën minimale ishte 25,8%.

Kjo kategori shënoi rritje në 3-mujorin e dytë të 2023 me 7,6% në raport me vitin paraardhës. Kjo ndodhi për shkak të ndryshimit të kufijve të pagës minimale, e cila u rrit në prill 2023 në nivelin 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë që ishte më parë. Pesha e punonjësve me pagë 40-50 mijë lekë në totalin e të punësuarve në 3-mujorin e dytë të 2024-s arriti në 20%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, pesha për këtë kategori të punësuarish u rrit me 1,8%. Kategoria e të punësuarve me pagë në fashën e 50-60 mijë lekëve është rritur 0,5%.

Rritje është shënuar te pagat e larta mbi 120 mijë lekë. Personat me nivele të larta të pagave zunë 10,4% të totalit të të punësuarve me një rritje gati 1,6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Kryetari i Shoqatës ProEksport Albania, Edvin Prençe, analizon se rritja e pagës minimale në sektorin e manifakturës së veshjeve dhe këpucëve pati efekte të dyfishta në punësim.

 

“Në një anë, rritja e pagës minimale ka çuar në një zvogëlim të mundshëm të numrit të të punësuarve, pasi disa kompani janë të detyruara të reduktojnë punësimin për shkak të rritjes së kostos së punës. Në anën tjetër, disa kompani përpiqen të rrisin produktivitetin e punës dhe të investojnë më shumë në automatizim dhe teknologji për të kompensuar shpenzimet shtesë”, pohon ai.

Sektori i tekstileve dhe veshjeve të këmbës ka qenë gjithmonë një nga sektorët më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të kostos së punës, kursit të këmbimit, duke qenë se ky sektor ka një natyrë me shumë punëtorë dhe me marzh të ulët fitimi. Sipas z. Prençe, rritja e kostos për pagat e punonjësve, përfshirë pagën minimale, ka ndikim të konsiderueshëm në këtë sektor.

Ai thotë se kompanitë po përshtaten në disa mënyra për të përballuar këto rritje të kostos, si automatizimin dhe modernizimin e impianteve prodhuese, përqendrimin në rritjen e cilësisë dhe diversifikimin e produkteve. Disa kompani po riorganizojnë strukturën e tyre të punës për të minimizuar shpenzimet e pagave.

“Kjo ka përfshirë optimizimin e numrit të punonjësve, duke bërë reduktime në pozicione që janë më pak të nevojshme ose duke përmirësuar përdorimin e stafit në procese që kërkojnë më shumë punë. Në disa raste, ka edhe shkurtime të vendeve të punës për të mbajtur kostot në nivele të përballueshme”, thotë ai.

Sektori i eksporteve të tekstileve dhe veshjeve të këmbës vijon të jetë në vështirësi për shkak të rënies së euros dhe kontratave porositëse nga vendet e Europës. Vështirësitë e sektorit kanë sjellë mbylljen e një sërë fabrikash dhe shkurtim të vendeve të punës. Edvin Prençe tha se nga muaji nëntor i vitit 2023 deri në muajin nëntor 2024, në sektor llogariten mbi 10 mijë vende pune të mbyllura dhe rreth 50 biznese që kanë mbyllur aktivitetin. Shkurtime të vendeve të punës në sektorin fason pati edhe gjatë vitit 2023, ku ndër zonat më të prekura ishin në Krujë, Fushë-Krujë, Laçi, Lezhë e Shkodër./ Monitor.al

https://monitor.al/rritja-e-pages-minimale-dhe-efekti-tek-informaliteti/

 

By Editor