Nga Xhemail Mustafa
Rilindja 1988
Tashti është krejtësisht e qartë dhe nuk kërkohet shumë dije e mund për ta dëshmuar! Disponimi antishqiptar në një pjesë të vendit është i pranishëm vite me radhë, ithtarët e kësaj psikoze i kemi përherë e më të zëshëm në skenën e haptë të jetës, kurse kohët e fundit ky disponim destruktiv në mënyrë të veçantë po manifestohet në Kosovë. E keqja s’ka fund, dhe për të qenë e përçudshme dhe destruktive si çdo e keqe tjetër, kjo psikozë dhe ky disponim këto ditë po manifestohet dhe po artikulohet përherë e më qartë pikërisht në fushën e kulturës dhe të arsimit. Aty ku do të duhej kultivuar ndjenja për humanitetin, vetëdija për tolerancën dhe për mirëkuptimin ndërnjerëzor dhe ndërnacional, pra pikërisht në këto fusha të jetës e të veprimit, disponimi antishqiptar tash është më i pranishëm dhe më agresiv.
Legalizimi i këtij disponimi në këto sfera të jetës sonë shoqërore, njëmend, përjetohet si një paradoks i llojit të veçantë, sado që shikuar realisht, paraqitja e tij tash nuk është as e rastit dhe as e papritur. Një kohë të gjatë, në një pjesë të mjeteve të informimit në vend, disa qarqe dhe institucione kulturore dhe jo sall kulturore, sulmuan dhe po sulmojnë pothuaj të gjitha aspektet e mundshme të realitetit e të jetës në Kosovë. (…)
Konkretizimi i një euforie destruktive
Dëshmitë që e bëjnë të qartë dhe të qëndrueshëm këtë disponim të mbrapshtë, që tash mori formën e bojkotimit herë-herë të hapte”, janë të shumta dhe mund të gjenden pothuajse në të gjitha fushat e jetës e të realitetit. Nuk bën të mos thuhet, ndërkaq, se në vorbullën e këtij disponimi, në «kataraktet» e sulmeve të pareshtura që u bëhen të gjitha segmenteve të mundshme të realitetit kosovar, e në radhë të parë kombësisë shqiptare, nuk u kursyen as personalitetet dhe as vlerat e traditës së saj më pozitive. Katarzën e vet kjo fushatë e paparë e përjetoi këto ditë në Kosovë, me ç’rast në disa shkolla nxënësit serbë e malazezë po kërcënohen me bojkotimin e mësimit vetëm e vetëm pse shkollat ku ata mësojnë mbakan emrat e personaliteteve të shquara të historisë dhe të kulturës shqiptare, çfarë janë vëllezërit Naim e Abdyl Frashëri, ose Luigj Gurakuqi dhe Azem Bejta.
Legalizimi i këtij disponimi, shkallëzimi i tij shqetësues, në të vërtetë, paraqet trajtën më rrënuese të konkretizimit të sulmeve ndaj kulturës sonë, të cilat qe disa vite po i distribuojnë disa individë dhe qarqe me ndikim në krijimin e një pjese të opinionit publik të vendit. Shprehja, artikulimi dhe konkretizimi i këtij disponimi është rezultat logjik i «euforisë» antishqiptare që u ushqye me vite në një pjesë të mjeteve të informacionit masiv. Si e këtillë, kjo eufori po zgjerohet sipas rrathëve koncentrikë, kurse në sfondin e saj u gjetën jo vetëm shkollat që mbajnë emrat e personaliteve të traditës së kombësisë shqiptare, por edhe shkollat që janë pagëzuar me emrat e dëshmorëve të LNÇ-së, siç është rasti i shkollës «Halit Ibishi» në Babushin e Serbëve. Gjithnjë në këtë kontekst duhet të vështrohet edhe vendimi i strukturave të fshatit Priluzhë për përjashtimin e nxënësve shqiptarë nga shkolla e këtushme, vendim ky që e artikulon qartë dhe në mënyrën më ekstreme disponimin antishqiptar, i cili tash është i pranishëm veçmas në Kosovë.
Krijimi i këtij disponimi negativ, që në mënyrë të drejtpërdrejtë reflektohet në keqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërnacionale në Kosovë, paraqet një fenomen socio-politik me shtrirje të gjerë. Në këtë kuadër duhet vështruar edhe insistimin që t’i ndërrohet emri shkollës së mesme «Skënderbeu» në Preshevë, si dhe vetë këmbëngulja për maqedonizimin me çdo kusht të toponimeve shqipe në Maqedoni. Pra, problemi është i gjerë e tejet serioz, ai kërkon një trajtim të denjë e të argumentuar politik dhe jo vetëm politik, sepse po u përfillë logjika e kontestimeve dhe obstruksioneve të këtilla, nesër shoqëria objektivisht mund të ballafaqohet me kërkesa e me ultimatume, vërtetë as mund të pranohen dhe as të arsyetohen.
Kërkesa ultimative dhe antiteza e saj antihistorike
Nuk duhet shumë mend për të konstatuar se ky fenomen, veçmas kontestimi dhe bojkotimi i mësimit në këto shkolla, në të vërtetë është jehonë e tezës së shpifur se kinse në Kosovë ekziston tendenca për shqiptarizimin e saj të plotë, duke përfshirë këtu edhe kulturën dhe fushën e arsimit. E kemi thënë edhe herave të tjera, se antiteza e kësaj teze të shpifur, në fakt, nënkupton «deshqiptarizimin» e Kosovës, të cilin, me gjasë, e synojnë qarqet më rrënuese në një pjesë të vendit. Me vetëdije, ose pa te, në këtë «proces» rrënues dhe të parealizueshëm inkuadrohet edhe kërkesa ultimative që disa shkollave t’u ndërrohen emrat e personaliteteve të historisë dhe të kulturës shqiptare. Në të vërtetë, këta nxënës, për fat të keq, u bënë dorë e zgjatur e këtyre qarqeve dhe ideve të tyre të papranueshme për shoqërinë tonë dhe politikën e saj.
Fundja, si të kuptohet ndryshe e dhëna se këto shkolla këta emra i mbajnë me vite të tëra dhe nuk u kontestuan asnjëherë deri tash, sikundër që, nuk u kontestuan dhe nuk bën të kontestohen kurrë një varg shkollash që mbajnë emrat e personaliteteve të shquara të historisë dhe të kulturës së popullit serb. Kontestimet e këtilla, krijimi dhe përhapja e disponimit antishqiptar nuk mund të jetë në funksion të forcimit të bashkëjetesës dhe të barazisë së plotë të kombeve e të kombësive tona në Krahinë dhe në vend. Përkundrazi. Disponimi i këtillë, që nganjëherë po merr formën e bojkotimit të haptë e të «legalizuar» i ashpërson edhe më tej marrëdhëniet ndërnacionale, e kjo nuk bën të lejohet, pikërisht në frymën e përcaktimeve tona shoqërore dhe politike.
Qëndrimet dhe gjerat janë të qarta, por ato duhet të çohen deri në fund dhe pa kompromis.
Përgatiti për publikim: Agim Morina