Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, u shpreh se në vendin tonë kanë hyrë ushqime të rrezikshme për shëndetin, të cilat janë ndaluar në vendet e Bashkimit Evropian.

Ai përmendi ndër të tjera rastin e kremit të orizit bio, i cili përdoret si ushqim për fëmijët.

“Me gjithë shqetësimet e ngritura dhe denoncimet e bëra, nuk ka asnjë përmirësim në sigurinë ushqimore, që është një nga elementet më të rëndësishme në jetën tonë. Është tronditëse që ditët e fundit ngarkesa të mëdha me mandarina, prodhim vendas, janë kthyer mbrapsht nga disa vende të BE-së, duke nisur nga Kroacia, për shkak të përmbajtjes së lartë të pesticideve, të cilat janë të dëmshme për jetën.

Kjo ndodh sepse fermerin tonë askush nuk e asiston, nuk e monitoron dhe nuk e ndihmon. Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) nuk funksionon.

Ato mandarina, me përmbajtje të këtyre elementeve të rrezikshme, me shumë gjasë ndodhen në tregun tonë dhe po konsumohen edhe tani që flasim. Pse? Sepse AKU, Ministria e Bujqësisë dhe qeveria nuk bëjnë detyrën.

Plehrat kimike dhe pesticidet që u ofrohen fermerëve nuk kontrollohen për përmbajtjen reale të tyre. Nuk janë të paktat rastet kur fermerët kanë zbatuar protokollet në mënyrë rigoroze, por produktet u janë kthyer në kufijtë e BE-së.

Institucionet shqiptare nuk ekzistojnë.

Sot do t’i referohemi një tjetër rasti, që lidhet me kremin e orizit biologjik, një ushqim për foshnjat.

Ky produkt, një import i futur në tregjet tona, është konstatuar në Itali se përmban arsenik, çka përbën një rast shumë shqetësues. Më 3 dhjetor, Italia ka dhënë një alarm lidhur me këtë rrezik, siç shihet edhe në këtë foto. Ata kanë njoftuar menjëherë për rrezikun.

Çfarë bën AKU?

AKU reagon pas dy javësh. Agjencia jonë u thotë konsumatorëve dhe qytetarëve të bëjnë kujdes, 14 ditë pas marrjes së alarmit.

Pra, produkti ka pasur kohën e mjaftueshme, për fat të keq, për të qarkulluar në çdo dyqan, për t’u blerë dhe konsumuar.

Ndërkohë, kemi edhe raste të tjera, që lidhen me përmbajtjen e dioksidit të squfurit në kanellë dhe praninë e kadmiumit në spinaq të importuar.

Të dyja këto raste janë raportuar nga BE-ja në tetor të këtij viti, ndërsa AKU i ka raportuar me një muaj vonesë,” – theksoi Muçollari.

By Editor