Nga Lutfi Dervishi
Në vendin ku shartohet djathi me dardhë dhe ku rregullisht mbetet mushka me barrë, lindi legjenda e radhës.
Ashtu si në të gjitha mitet e mëdha, ekzistenca e saj nuk lidhet me fakte, por me aftësinë unike për të sajuar dhe besuar në sajesë, me entuziazmin e fëmijës që shtrëngon fort në gjoks dhuratën e Babagjyshit.
Siç do të thoshte Yuval Harari: “Jemi bërë njësha për t’u bërë njësh rreth një miti.”
“N.A.” është kryevepra më e fundit. Është kqyrur me imtësi regjistri i gjendjes civile dhe rezulton se nuk ka as certifikatë lindjeje as certifikatë vdekjeje.
Nuk ka as llogari në TikTok, sepse ndryshe kjo platformë do të ishte mbyllur pa paralajmërim.
Por ai ekziston kudo dhe askund. Është po aq real sa bitcoin dhe po aq mitik sa drejtësia.
Gjurmët e gishtërinjve të tij nuk gjenden askund, por ai lë njolla në çdo fletë akuze.
Mosekzistenca është forca më e madhe e tij. Asnjë urdhër ndalimi nuk e ndal dot në kufi dhe asnjë gjykatë nuk e dënon, sepse deri më sot askush nuk ka dënuar halucinacionet kolektive.
Megjithatë, mu si bitcoin, fuqia e tij rritet në raport me besimin që investojnë te ai prokurorët, gazetarët dhe politikanët.
Në kafenetë e kryeqytetit, në debatet e mbrëmjes dhe në rrjetet sociale nuk flitet më për asgjë tjetër veçse për të. U harrua miti i gjallë Parashqevi. Patronazhistë që dinë gjithçka për gjithkënd janë zënë gafil.
Tani mbeten pyetjet:
A është “N.A.” një përrallë e krijuar nga SPAK, apo një figurë hyjnore që mishëron çdo mëkat që shqiptarët duan ta shohin të ndëshkuar?
Si është e mundur që “N.A.” arriti atë që nuk ka mundur të arrijë as premtimi më i madh elektoral – vëmendjen e të gjithëve?
Si gjithnjë për pyetjet e mëdha kemi ekspertët dhe analistët.
“Ai është dëshmi e gjenialitetit të Akuzës,” tha një ekspert i njohur në programin e përnatshëm “N.A.”
“Ai vërtet nuk ecën mes nesh, nuk e ka parë askush, por është meritë e madhe e prokurorëve të SPAK që e kanë marrë në pyetje. Ndoshta dhe ka shumë mundësi që e kanë bërë me një aparat izraelit, që është sekret dhe e dinë vetëm dy persona.”
“Unë parashikoj një gjë tjetër,” tha një tjetër analist i njohur për përcjelljen në opinion të gjërave që vetëm ai mund t’i shohë: “Shumë shpejt te ushtari i panjohur do të ngrihet monumenti i denoncuesit të panjohur. Aty do të bëhen homazhe ditën e drejtësisë.”
Pas sqarimeve të emisioneve të mbrëmjes, mjegulla nis dhe largohet: Ai nuk është person. Ai është monument i kapacitetit tonë të jashtëzakonshëm për të besuar dikë që nuk ekziston as në regjistra, por që arrin të regjistrojë procedim dhe regjistrohet në mendjen tonë, duke ngjallur ngazëllim e përçmim.
Ai është dëshmia që e kemi më të lehtë të bëjmë zhurmë rreth fantazmës sesa të përballemi me heshtjen para së vërtetës lakuriqe.
“N.A.” është legjendë. Për të, si për të gjithë legjendat, do të flasin të gjithë, por askush nuk do ta shohë. As prokurorët.