Nga Enis Sulstarova

I. 28 Nëntor 1912

Disa vite më vonë nga shpallja e pavarësisë, Ismail Qemali kujton çastin e ngritjes së flamurit në Vlorë: “Ky ishte një çast i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë e krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej sikur shpirti i heroit të pavdekshëm kaloi në ato çaste si një zjarr i shenjtë mbi kryet e të gjithë popullit”. Për të dhe për shumë nga ata që e shoqëronin në ato ditë, bëhej fjalë për ringjalljen e shtetit të Skënderbeut dhe është e pritshme që në po atë datë kur ky nisi kryengritjen kundërosmane, disa shekuj më vonë flamuri i tij po sinjalizonte një fillim të ri për kombin shqiptar. Sigurisht që nuk ishte vetëm një akt solemn, ishte njëkohësisht një thirrje e dëshpëruar për mbijetesë në kohën kur pothuaj e gjithë Shqipëria e atëhershme ishte e pushtuar dhe masakra po ndodhnin ngado. Vërtet luftohej në Janinë e në Shkodër, por së bashku me ushtarët turq dhe nën flamurin osman, ndërkohë që perandoria e kishte marrë tashmë të tatëpjetën në Ballkan. Shpresa e kuvendarëve të Vlorës ishte se akti i pavarësisë do të sillte ndërhyrjen e fuqive evropiane për ta shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi i plotë.

Ndjesia se shpirti i Skënderbeut ishte i pranishëm në mesin e delegatëve dhe të popullit të Vlorës më 28 Nëntor 1912 mund ta kuptojmë si një shembull të asaj që filozofi dhe historiani Hans Blumenberg e quan “präfiguration” dhe që mund ta përkthejmë si “parapërfytyrim”. Ideja e parapërfytyrimit rrjedh nga tradita biblike, sipas së cilës ngjarjet e përshkruara në Dhiatën e Vjetër duket sikur parathonë ngjarjet që do të ndodhin më vonë dhe që janë përshkruar në Dhiatën e Re. Blumenbergu në studimin e tij për rolin e miteve në politikë, shkruan se parapërfytyrimi është një mënyrë për t’i dhënë legjitimitet një vendimi, me anë të ndjelljes së një ngjarjeje historike që duket sikur i paraprin atij. Risia, hovi drejt së panjohurës, paraqitet si një përsëritje e një ngjarjeje, apo vijim i një procesi të nisur kohë më parë. Ajo që do të vijë është tashmë e paracaktuar. Historia pajiset me një rregullsi e brendshme dhe nuk duket si rrënimtare  tekanjoze e projekteve njerëzore. Shkurt, 28 Nëntori 1912 ishte parathënë më 28 Nëntor 1443, flamuri i Shqipërisë së lirë ishte po ai që ngriti Skënderbeu në Krujë, çka e bënte Skënderbeun “të gjallë” në mesin e delegatëve. 

II. 28 Nëntor 1944

Ndërsa pushtuesit gjermanë po tërhiqeshin drejt veriut, partizanët parapërfytyronin çlirimin e vendit më 28 Nëntor 1944, si për të ripavarësuar Shqipërinë dhe për të përsëritur epopenë e fitoreve të ushtrisë së Skënderbeut mbi ushtritë armike disa herë më të fuqishme. Megjithëse Tirana ishte çliruar më 17 nëntor, qeveria e re priti datën 28 për hyrjen e saj solemne në kryeqytet, për të pasur një ngjarje ku të lidhej shpallja e kësaj date si dita e Çlirimit. Ndërkohë në Shkodër, Komiteti Qarkor i Partisë Komuniste më 28 nëntor shpërndante një shpallje që fillonte me fjalitë: “Gjithë Shqipëria po e feston ditën e flamurit pa okupatorë e tradhëtarë. Gjaku i partizanëvet heroikë dhe sakrificat e popullit t’onë e dhanë frytin e vet” (Kasem Biçoku, “Data e çlirimit të Shqipërisë”, Tiranë, 2009, f. 94). Nisur edhe nga lajmet që vinin nga Shkodra, Enver Hoxha në fjalimin e mbajtur në Tiranë në po atë datë, do të deklaronte se “Dita e Flamurit u bë dy herë e shenjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar” (po aty, f. 36, kursivi ynë). Edhe pse shtete të tjerë si ditë çlirimi do të dekretonin ditën e çlirimit të kryeqytetit, dukej se regjimi i ri në Shqipëri, nën efektin e parapërfytyrimit të shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor, do të vepronte ndryshe. Hyrja e qeverisë së re në Tiranë dhe çlirimi i Shkodrës, qytetit më verior të Shqipërisë (londineze), ishin ngjarje historike që mund të qëndronin në krah të shpalljes së pavarësisë dhe fillimit të kryengritjes kundërosmane të Skënderbeut.

Gjatë vitit 1945 dukej se 28 Nëntori do të festohej dhe do zyrtarizohej edhe si festa e çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë, edhe pse 17 Nëntori i çlirimit të kryeqytetit shihej si alternativë. Me afrimin e këtyre datave duhej marrë një vendim i qartë. Më 5 nëntor 1945, në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar u diskutua për të vendosur pikërisht për të kremtet zyrtare. Anëtari Bedri Spahiu e merr fjalën dhe kërkon që në ligj të vendoset emërtimi i 28 Nëntorit si “Ditë e Indipendencës dhe e Çlirimit të Shqipërisë”. Hidhet në votim dhe me vetëm pesë vota pro nga 22 të pranishëm nuk miratohet. Menjëherë tema kalon te festat fetare dhe pastaj Kryesia bën pesë minuta pushim. Fill pas pushimit, Ramadan Çitaku e merr fjalën dhe thotë se në projekt-ligj ishte harruar përfshirja e datës së çlirimit dhe shton se “pas mesnatës së 28 Nëntorit 1944, armiku qe zhdukur nga e gjithë Shqipëria, d.m.th. dita e 29 Nëntorit u gdhi duke qenë Shqipëria e çliruar. Prandaj proponoj që të shtohet në ditët e festave kombëtare” (po aty, f. 105). Një propozim dinak ku bëhet çmos të fshihet motivi i vërtetë për zhvendosjen e datës të çlirimit prej 28-s, që tashmë ishte pranuar faktikisht, te 29-a. Më logjike do të ishte që të propozohej si datë e çlirimit të vendit 17 Nëntori, data e çlirimit i kryeqytetit, siç e kanë vendosur edhe shtete të tjera komuniste, por ajo që po ndodh në këtë mbledhje është që merret shkas nga çlirimi i Shkodrës, ngjarje e cila në krye të herës u mor në konsideratë vetëm e vetëm për ta njësuar Çlirimin me Pavarësinë dhe shpallet se në të vërtetë Shkodra qenka çliruar një ditë më vonë. Pra, duket qartë se Çitaku po propozon që pikërisht 29 nëntori të vihet në kalendarin e të kremteve zyrtare. Propozimi i tij përkrahet nga anëtarë të tjerë të Kryesisë që marrin fjalën. Midis këtyre janë Qiriako Harito dhe Tuk Jakova, të njëjtët që disa ditë më parë kishin përmendur 28 Nëntorin si ditë të çlirimit. Me votimin pro të shumicës miratohet projekti-ligji që e përmend datën 29 Nëntor 1944 si Përvjetor të Çlirimit.

Dy folës të tjerë në mbledhjen e 9 nëntorit 1945, Myslym Peza dhe Koço Tashko, thonë që data e çlirimit merr më shumë domethënie historike se data e pavarësisë, për faktin se u arrit me luftë e gjakderdhje, ndërsa pavarësia e Shqipërisë ishte më shumë rrjedhojë e diplomacisë ndërkombëtare. Gjergj Kokoshi ndërhyn duke thënë se përveç rolit të diplomacisë janë vrarë shumë shqiptarë për të arritur pavarësinë. Tuk Jakova përpiqet të sheshojë debatin se cila datë është më e rëndësishme, duke argumentuar se 28 Nëntori 1912 është një ngjarje e madhe në vetvete, sepse liria vjen pas pesëqind vjet robërie por edhe 29 Nëntori 1944 duhet të festohet me po aq krenari, sepse flijimet që ka bërë populli për çlirimin janë të freskëta: “Në këtë ditë do të mbahen fjalime dhe do të kujtohen sakrificat e mëdha që ka bërë populli; me këtë datë është i lidhur secili: kush ka dhënë djalin, kush atin, vëllanë etj.” (po aty, f. 107). Është interesant fakti që Enver Hoxha, edhe pse i pranishëm në të dyja mbledhjet, asnjëherë nuk e merr fjalën. Sot kuptojmë se diktatori ishte për datën 29 Nëntor, edhe për faktin se në ribotimin e veprave të tij teksti i fjalimit të 28 Nëntorit 1944 është ndryshuar kështu: “Dita e Flamurit u bë dy herë e shenjtë, dita e pavarësisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar” (po aty, f. 36). Fjala “pavarësi” ka zëvendësuar fjalën “çlirim”, duke prishur logjikën e fjalisë, sepse nuk ka kuptim që data që shënon një ngjarje të vetme, pavarësinë, të jetë dy herë e shenjtë. Në tekst nuk ka ndonjë aludim për 28 Nëntorin e vitit 1443, meqenëse si datë e bashkimit të shqiptarëve rreth Skënderbeut zakonisht kremtohet 2 Marsi i Lidhjes së Lezhës. 

Historianë dhe të tjerë ka ngritur pyetjen se përse Enver Hoxha vendosi që 29 Nëntori të kremtohej si përvjetor i çlirimit. Historiani Kasem Biçoku dhe shumë të tjerë janë të mendimit se Hoxha në atë kohë kërkonte që në kalendarin e kremteve zyrtare që ishte një datë e rëndësishme që kremtohej edhe në Jugosllavi. 29 nëntori 1943 ishte dita e mbledhjes së dytë të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ), ku u hodhën themelet institucionale të shtetit dhe u miratua qeverisja e ardhshme, ngjarje të cilën komunistët shqiptarë e imituan me Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944. Meqenëse udhëheqësit komunistë në të dy shtetet po planifikonin përfshirjen e Shqipërisë në federatën e Jugosllave, po punohej për përafrimin e dy popujve dhe kremtimi në një datë i dy ngjarjeve madhore të luftës së përbashkët kundër pushtuesve nazi-fashistë do të ishte një hap në këtë drejtim. 

Gjithashtu, dihet se udhëheqësit jugosllavë dhe, nën ndikimin e tyre, Stalini, kishin shprehur rezerva për Hoxhën, të cilin e karakterizonin si “nacionalist borgjez”. Ata parapëlqenin Koçi Xoxen, si sllav dhe “proletar”. Ka mundësi që qysh në vitin 1945 Hoxha të ketë dashur të jepte prova të besnikërisë ndaj udhëheqjes jugosllave dhe njësimi i datës së çlirimit me atë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nuk do të ishte një shenjë e mirë në këtë drejtim, aq më tepër që parashikohej shuarja e ngadaltë e sovranitetit të shtetit shqiptar. Në republikën e shtatë të Jugosllavisë përkujtimi çdo vit i Çlirimit më 28 Nëntor patjetër që do të gjallonte idenë e Pavarësisë dhe kjo nuk mund të pranohej nga udhëheqja komuniste jugosllave.

Parapërfytyrimi e “zbeh” risinë e një ngjarjeje duke e lidhur atë me të shkuarën. Atë që ngjarja humbet si risi e fiton si mistikë. Duke vendosur që data e Çlirimit të ishte 29 Nëntori, Enver Hoxha dhe udhëheqja e Partisë Komunistë të Shqipërisë e shkëputi lidhjen mistike me 28 Nëntorin 1912 dhe 28 Nëntorin 1443 dhe i hapi një horizont të ri ngjarjes, atë inaugurimit të integrimit të shqiptarëve në federatën e sllavëve të jugut. Paradoksalisht, nëse pavarësia shtetit shqiptar e shpallur nga Ismail Qemali dhe rilindësit duket si e parathënë nga shpallja e kryengritjes kundërosmane të Skënderbeut, zhvendosja e datës së Çliririmit prej pushtuesve italo-gjermanë, nga data 28 në datën 29 nëntor 1944, në vend të shënojë vazhdimësinë e shtetit shqiptar, në fakt e drejton atë për nga humbja e pritshme e sovranitetit. Që përfshirja e Shqipërisë në Jugosllavi nuk do të ndodhte më 1948, këtë Enver Hoxha nuk kishte si ta dinte në vitin 1945. Në këtë mënyrë, 29 Nëntori mbeti në kalendarin zyrtar si data e Çlirimit, duke bartur me vete hijen e tradhtisë ndaj pavarësisë që tentoi udhëheqja e komunistëve shqiptarë.   

III. “Dita e pushkatimeve”

Kujtesa kolektive në Shqipëri mbetet e ndarë për simbolikën e datës së çlirimit, sepse ajo është edhe data e vendosjes së një pushteti diktatorial, gjakatar, hakmarrës dhe ksenofob. Kur i kthehet kujtimeve të fëmijërisë shkrimtari Ismail Kadare thotë se “dita e parë e çlirimit (ajo që në libra dhe filma do të përkujtohej si një festë mallëngjyese) ishte në të vërtetë një ditë pushkatimesh” (Dialog me Alain Bosquet, Tiranë, 1996, f. 11). Për shumë qytetarë të Shqipërisë, dita e çlirimit hap kalvarin e persekutimeve, vuajtjeve dhe privimeve ndaj tyre dhe familjeve të tyre, për shërimin e pasojave të të cilave në dekadat që vijuan është bërë shumë pak. Edhe për ta është mirë që dita e çlirimit nuk është e njësuar me atë të pavarësisë, sepse në këtë mënyrë nuk detyrohen të përkujtojnë si themelimin e shtetit, si çastin kur shteti fillon t’i shënjestrojë si “armiq”, “klasa shfrytëzuese”, “kulakë” etj. Për shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë datë themelore mbetet 28 Nëntori, si shenjues i identitetit shqiptar. Çdo vit në këtë datë disa prej nesh ndjejnë keqardhje që Shqipëria nuk u bë ashtu siç do ta dëshironin ata që e shpallën të pavarur, ndërsa të tjerë ndjejnë të njëjtin zë që u thotë: “Shqipërinë e pabërë, bëje të bërë!” (Ukshin Hoti).

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *