Nga Arbër Zaimi
Kur Rusia po grumbullonte ushtrinë pranë kufirit, pak javë e ditë para se të sulmonte padrejtësisht Ukrainën, pati plot komentatorë liberalë, përfshi edhe shqiptarë, që “analizonin” se nuk do të ndodhë kurrë pushtimi e se është vetëm kërcënim, për shkak se Rusia është e dobët ekonomikisht, e prapambetur teknologjikisht, dhe nuk e përballon dot luftën.
Si zakonisht kur gjërat ndodhin jashtë laboratorit liberalët gabohen.

Menjëherë pas agresionit rus komentatorët e njëjtë liberalë në vend që të kërkonin falje e të mos dilnin në media për ca kohë, filluan me tezën tjetër po aq të gabuar “Rusia do të lodhet shpejt ekonomikisht dhe do të përgjunjet nga lufta”. Ja që më shpejt lodhen prej luftës demokracitë se sa diktaturat. Liria e fjalës dhe e medias në demokraci shpesh shkakton që qytetarët të lodhen nga përpjekjet afatgjata, e luftërat e tilla janë doemos përpjekje afatgjatë. Prej vetë konstituimit të saj si demokraci elektorale me pluralitet mediash e liri fjale, Amerika nuk mund të angazhohet në luftëra e sipërmarrje globale fort afatgjata. Wilsoni u angazhua pak në Luftën e Parë Botërore, aq sa i dha kahje fitores, mirëpo kur erdh puna për rë korrur frytet e asaj fitoreje, me themelimin e Lidhjes së Kombeve, ai humbi zgjedhjet mid-term dhe nuk e ratifikoi dot traktatin për angazhim global të Amerikës. Ka dhe të tjerë shembuj të ngjashëm nga historia e atij vendi.
Nëse mund të nxirret një konkluzion, përveç atij të vjetrit (tautologjik) që popujt e vendeve autoritare kanë më shumë aftësi për të duruar se ata të vendeve demokratike, ai është ky: në një vend demokratik qeveria nuk mund të angazhohet në projekte afatgjata të jashtme pa patur administrim të mirë e kreativ të komunikimit për të ruajtur konsensusin e brendshëm.