Nga Shefkije Islamaj

Në botim të Shtëpisë botuese “Toena”, pas një qëndrimi të gjatë në Arkivin Qendror të Shtetit, doli në dritë fjalori i Benedikt Demës (1904- 1971) me titullin “Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe” (2005). Sipas njohësve të tij, At Benedikt Dema është autor edhe i një fjalori enciklopedik në dorëshkrim në shtatë vëllime që, po ashtu, ruhet në AQSH dhe mban titullin “Fjalori enciklopedik biologjik”.

“Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe” është përgatitur për shtyp nga i vyeshmi Dom Nikë Ukgjini, dhe redaktuar nga gjuhëtari i njohur, Kolec Topalli. Fjalori ka 311 faqe. Atij i paraprin një hyrje e shkurtër e vetë autorit, dy faksimile të dorëshkrimit të fjalorit, një shtesë me fjalë të huaja, ndërsa në fund fjalori shoqërohet me një shkrim përmbledhës me titullin At Benedikt (Mark) Dema, shkruar nga Dom Nikë Ukgjini dhe Shaban Sinani. Lexuesi shqiptar njihet për herë të parë me këtë fjalor.

Që në fillim duhet të thuhet se botimi i trashëgimisë sonë gjuhësore mbetet një punë e vlefshme për gjuhësinë shqiptare, sidomos për leksikografinë historike. Rëndësia e botimit të këtij e të fjalorëve të tjerë që vazhdojnë të ruhen në arkivat e bibliotekat tona, ashtu si edhe e veprave të tjera me vlera për gjuhën e kulturën shqiptare, është e madhe. Mbetet detyrë e pashtyshme e studiuesve tanë që t’i gjurmojnë e t’i nxjerrin në dritë jo thjesht sa për të larë një borxh moral e intelektual ndaj autorëve të tyre, por për arsyen se ato paraqesin objekt të rëndësishëm studimi dhe, rrjedhimisht, pasurimi të trashëgimisë sonë. Këto ditë janë ribotuar edhe “Fjalori i gjuhës shqipe” i 1954-ës dhe Fjalori i Gazullit. Jemi në dijeni se në këtë rrugë gjendet edhe Fjalori i Pano Tases.

Fjalori “Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe”, sipas autorit, konsiderohet një shtesë e Fjalorit të Institutit të Shkencave botuar më 1954 në Tiranë, fjalor që deri në daljen e FGJSSH më 1980 ka qenë i pari fjalor shpjegues i shqipes. Në ndonjë rast ai është quajtur edhe “Fjalor i shtjelluem i gjuhës shqipe”, ndërsa nga botuesit është quajtur “Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe”.

“Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe” i studiuesit, leksikografit, enciklopedistit, mësimdhënësit, publicistit, drejtuesit të shtypshkronjës “Gjergj Fishta”, i At Benedikt Demës, sjell një pasuri të çmueshme leksikore nga areali gjuhësor i gegërishtes dhe si i tillë i është i vlefshëm për zgjerimin e pasurimin aq të nevojshëm të Fjalorit të shqipes së sotme, po edhe si lëndë gjuhësore për fjalorin e mbarë shqipes që vazhdon të na mungojë. Lënda gjuhësore që sjell ky fjalor paraqet interes teorik e praktik për leksikologjinë dhe leksikografinë, për studimet dialektologjike, për historinë e gjuhës dhe për terminologjinë.

Bazë e hartimit të këtij fjalori, siç del nga fjala e hyrjes e autorit, janë Fjalori i”Bashkimit”, Fjalorthi i Gazullit, pjesa e parë e “Fjalorit të shtjelluem të gjuhës shqipe” të po këtij autorit, vepër e pabotuar, por e përgatitur për shtyp, pastaj një numër fjalësh të rralla të vjela nga veprat e Gjergj Fishtës e të Kanunit të Lekë Dukagjinit, të një fjalori të mbledhur nga ai “prej gojës së popullit a prej letërsisë së ndryshme shqipe të botueme deri sot”. Autori e thotë se ka bërë përpjekje që të përfshihen fjalë që nuk janë përfshirë në Fjalorin e 1954-ës ose të tilla që në fjalorin e tij dalin me kuptime të tjera ose me kuptime shtesë nga ato që i ndeshim në fjalorin që sapo përmendëm.

Benedikt Dema, i njohur për punën e tij të vlefshme e këmbëngulëse në fushën e leksikografisë, gjurmoi e mblodhi me pasion fjalë e shprehje të reja, të vjetra e të rralla nga zona të pasura e të rëndësishme të arealit gegë, në të shumtën e herës zona të pacenuara gjuhësisht, ndonëse edhe e folmja e Shkodrës gjen hisen e vet gjuhësore në këtë fjalor. Fjalët popullore e dialektore a krahinore që i gjejmë në këtë fjalor në mënyrë të veçantë tërheqin vëmendjen e dialektologëve, të leksikologëve dhe përgjithësisht të gjuhëtarëve dhe të dashamirëve të fjalëve me burim të shqipes. Në mënyrë të veçantë spikasin fjalët a emërtimet nga fusha e leksikut abstrakt, pastaj neologjizmat jo të pakët emërtues nga fusha të ndryshme terminologjike. Një numër jo i vogël fjalësh, sipas gjasash, janë krijuar nga vetë autori, sidomos për kuptime terminologjike të disa fushave ku ai ka punuar për një kohë të gjatë dhe ka studiuar, si botanika e zoologjia. Jo pa interes gjuhësor e etnografik na dalin emërtimet nga fusha e kulturës shpirtërore e materiale, që shfaqen me pasuri e larmi të madhe. Edhe nga kjo anë gjurmimi i hollë dhe lënda e besueshme që na sjell autori me këtë fjalor paraqesin vlera të ndjeshme të fjalorit. Për çështje qartësie shpjegimet kuptimore të fjalëve shpesh shoqërohen edhe me fjalët në gjuhën italiane, më rrallë në gjuhën frënge e atë gjermane. Autori i këtij Fjalori njihet si njohës i disa gjuhëve.

Të vlefshme e konsiderojmë sidomos shtresën e leksikut nga filozofia popullit. Në këtë kontekst hetojmë një pasuri të vlefshme fjalësh apo variantesh krahinore që sjellin ngjyresa të veçanta kuptimore e stilistike. Edhe vetë shtjellimi i lëndës gjuhësore sjell pasurim. Në shpjegimet e lemave të njësive përfaqësuese, autori është kujdesur të përdorë sa më shumë fjalë të rralla e fjalë shqipe. Sidomos sintaksa e veçantë tërheq syrin e gjuhëtarit. Fjalori nuk është prekur gjuhësisht siç duket nga botuesi e nga redaktorët. Është lënë gjuha e autorit, domethënë gegërishtja me fjalët e rralla edhe në shpjegimet, që natyrisht nuk mund të pritej të ishte gjuha e standardit. Del qartë se autori ishte njohës i mirë i gjuhës e i jetës së popullit dhe zelltar i madh në punë të shqipes.

Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe” i Benedikt Demës dëshmon seriozitet dhe përgatitje të mirë leksikografike dhe në përgjithësi albanologjike. Ky fjalor do të jetë i dobishëm dhe i shfrytëzueshëm në radhë të parë për gjuhëtarët e shkrimtarët. Autori është i vetëdijshëm që lënda gjuhësore e përfshirë në këtë fjalor do të mund t’u hyjë në punë hartuesve të një fjalori të ardhshëm të shqipes: “Pranimi a mospranimi i tyne në Fjalorin e gjuhës shqipe mvaret edhe këtu prej gjykimit të përbashkët të shkrimtarve tonë shkencatarë”. Koha do t’i japë të drejtë leksikografit tonë – fjalori i tij sjell pasuri të madhe leksikore të së folmes së Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe – zona ku ai çoi pjesën më të madhe të jetës, dhe kjo pasuri, pa dyshim, do të trajtohet me rastin e pasurimit të fjalorit tonë të madh, po edhe për hartimin e fjalorëve të tjerë, pa lënë anash studimet me karakter historiko-gjuhësor e dialektor.

Përpjekja që ta kemi një fjalor të mirë të gjuhës shqipe del përgjatë gjithë qindvjeçarit të kaluar e dëshmohet jo vetëm nga botimet me vlerë që njohim si fjalori i Shoqërisë “Bashkimi”, fjalorët e Pano Tases, të Nikollë Gazullit, të Marko Boçarit, të Mario Rokut, pastaj nga studimet e ndryshme si ato të Norbert Joklit etj., po edhe nga fondet që ruhen në arkivat e në bibliotekat tona, të mbetura në dorëshkrime ose të daktiloshkruara, shpesh edhe të mikrofilmuara, të shumë autorëve, ndër ta shquhen për këtë zell Aleksandër Xhuvani, Ali Ulqinaku, Daut Boriçi, Gjush Sheldia, Justin Rrota, Lef Nosi, Luigj Thaçi, Nikollë Gazulli, Zef Harapi e shumë të tjerë – të gjitha këto dorëshkrime që sa vijnë e bëhen me interesim për ata që gjurmojnë me pasion arkivat tanë. Intelektualë, gjuhëtarë shqiptarë dhe të huaj e kanë studiuar e vlerësuar gjuhën shqipe me këmbënguljen për ta mbajtur të pastër, për ta pasuruar dhe për ta paraqitur atë në një fjalor të madh, të denjë, të gjuhës shqipe. Një përpjekje e tillë gjuhëlëvruese përvijohet qartë edhe në fjalorin e Benedikt Demës.

Duke përmbyllur këtë shkrim të shkurtër për një fjalor të rëndësishëm, po theksoj se ky fjalor, që i vjen dhuratë lexuesit shqiptar në fundvitin e kaluar, është një libër i vlefshëm për të gjitha bibliotekat tona, pos të tjerash, edhe për arsyen se shton respektin tonë për lëvruesin e zellshëm të shqipes At Benedikt Dema.

Shkëputur nga libri im “Gjuha dhe identiteti”, TOENA, Tiranë 2008,  f. 221-224

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *