Muajin e fundit nuk kanë rreshtur sulmet dhe bombardimet ruse në Odesa, një nga qytetet më të famshme të Detit të Zi.
Sulmet e javës së fundit përkojnë me 81-vjetorin e çlirimit të Odesës nga Ushtria e Kuqe (10 prill 1944). Një medalje sovjetike, “Për mbrojtjen e Odesës”, u krijua më 22 dhjetor 1942.
Odesa ishte një nga katër qytetet e para sovjetike që mori titullin “Qytet Hero” në vitin 1945 (krahas Leningradit, Stalingradit dhe Sevastopolit).
Por sot, ky qytet – pjesë e trashëgimisë botërore – rrezikon të mos ekzistojë në të ardhmen…
Çfarë përfaqëson Odesa në historinë ruse dhe më gjerë?
Odesa është një qytet relativisht i ri. U themelua më 1794 me vendim të perandores së Rusisë, Katerina e II-të. Rusët ia morën turqve bregdetin e Detit të Zi dhe e përfshinë atë në Perandorinë Ruse me toponimin “Krahina e Rusisë së Re”. Emri Odesa i referohet kolonisë së lashtë greke Odesos.
Brenda 100 vjetësh (1794–1894), Odesa u bë qyteti i katërt më i madh i Perandorisë Ruse – pas Shën Petërburgut, Moskës dhe Varshavës.
Kur u themelua, Odesa kishte rreth 2,500 banorë; në prag të Luftës së Parë Botërore, ajo numëronte 630 mijë banorë. Në Odesa flitej italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht, turqisht, persisht, shqip, serbisht, polonisht dhe rusisht.
Aty bënin tregti biznesmenë zviceranë, britanikë dhe holandezë. Në jetën kulturore dhe ekonomike të Odesës luanin rol të rëndësishëm tregtarë nga Gjenova, Livorno dhe Venecia.
Është përmendur një vepër e Rembrandt, “Çifuti shëtitës”, që thuhet se ka ardhur në Shqipëri nga familja shkodrane Kakariqi. Vepra është shkëmbyer në Odesa me dy anije me drithë.
Kur u themelua, Odesa kishte vetëm gjashtë hebrenj. Më 1855 numri i tyre u rrit në 17 mijë, ndërsa më 1897 arriti në 140 mijë – që përbënin 34.4% të popullsisë së qytetit.
Themelet e Odesës i hodhi José de Ribas, një admiral spanjollo-irlandez nga Napoli i Italisë së sotme. Emrin e tij sot e mban bulevardi më i njohur i Odesës.
Mes viteve 1803–1814, guvernator i Odesës ishte Le Duc de Richelieu, një emigrant francez në shërbim të Rusisë. Ai i mbështeti me përkushtim emigrantët gjermanë që vinin në Odesë. Kështu u krijua komuniteti i gjermanëve të Detit të Zi. Në qendër të Odesës gjendet një përmendore e Richelieu-t, dhe një rrugë mban gjithashtu emrin e tij. Liceu Richelieu, i themeluar prej tij, funksionon ende sot.
Mes viteve 1814–1826, qytetin e udhëhoqi Konti Mihail Voroncov, një oficer dhe politikan rus, i lindur në Shën Petërburg dhe i shkolluar në Cambridge. Rezidenca e tij private në Alpuka të Krimesë i shërbeu delegacionit britanik si bujtinë gjatë Konferencës së Jaltës. Lirinë e qytetit e lavdëroi poeti i famshëm rus Aleksandër Pushkin, i cili ishte i internuar në Odesë në vitet 1823–1824. Po në Odesë ishte i internuar edhe poeti i madh polak, Adam Mickiewicz.
Me dalje në Detin e Zi, Odesa u bë një qendër e rëndësishme tregtare e drithit dhe mori emra si “Shën Petërburgu i ri”, “Palmira e jugut”, “Mbretëresha e Detit të Zi”, dhe “Parisi i vogël”. Në vitet ’60 të shekullit XIX, Odesën e vizitoi shkrimtari i famshëm amerikan Mark Twain, i njohur për humorin e tij të jashtëzakonshëm. Ai shkroi: “S’ka lidhje nëse ecje rrugës përpjetë apo rrugës teposhtë, ne e shihnim vetëm Amerikën”. Kaq e bukur ishte Odesa. Kaq e bukur është Odesa edhe sot.
Odesa në botën muzikore ruse konsiderohet “hambari” i violinës dhe pianos.
Emra të tillë si violinistët Nathan Milstein, David Oistrakh, Igor Oistrakh, Boris Goldstein, Zakhar Bron, si dhe pianistët Sviatoslav Richter, Benno Moiseiwitsch, Vladimir de Pachmann, Shura Cherkassky, Emil Gilels, Maria Grinberg, Simon Barere, Leo Podolsky dhe Yakov Zak janë të lidhur me Odesën.
Poetesha më e madhe ruse, Anna Akhmatova, ka lindur në Bolshoy Fontan, afër Odesës.
Një numër i madh shkencëtarësh kanë jetuar dhe punuar në Odesë. Përmendim: Illya Mechnikov (Çmimi Nobel në Mjekësi, 1908), Igor Tamm (Çmimi Nobel në Fizikë, 1958), Selman Waksman (Çmimi Nobel në Mjekësi, 1952), Dmitri Mendeleev…
Edhe futbollisti Ihor Belanov, fitues i “Topit të Artë” në vitin 1986, ka lindur në Odesë.
Qyteti i Odesës ka pasur edhe një lidhje me shqiptarët…
Ishte një qytet kozmopolit ku jetonin popullsi të ndryshme. Në vitet 1823–1824 aty ishte i internuar shkrimtari i madh rus Pushkin, i cili shkruante se “ajri është i mbushur me Evropë”. Në Odesë ndodhen dy rrugë, “Arnauti i Vogël” dhe “Arnauti i Madh”, që sot quhen “Ulica Albanske”, dhe dëshmojnë për praninë shqiptare në këtë qendër të madhe urbane.
Sipas historianes ukrainase Nadjezhda N. Gicko-Shamova, përse u quajtën këto rrugë “Bolshaja” dhe “Malaja Arnautska”?
“Aruanutska, sepse kështu i quanin shqiptarët – arnautë. Po pse ‘Bolshaja’ dhe ‘Malaja’? Sigurisht, jo për nga gjatësia e rrugëve, por për një arsye tjetër. Shqipëria është një vend i vogël malor, me pak fusha. Ka shumë kontraste: veriu dallon nga jugu për nga klima, zakonet, traditat, gjuha, kostumet popullore dhe karakteri i njerëzve. Në veri njerëzit janë shtatlartë dhe të fuqishëm; në jug janë më të shkurtër, por gjithashtu trima dhe me karakter të fortë. Në batalionin greko-shqiptar, shqiptarët i dallonin sipas shtatit. Të gjatët përzgjidheshin për lundrim, të shkurtit për shërbim ushtarak. Sipas shtatit u ndanë edhe në rrugët e Odesës. Të mëdhenjtë në një rrugë, të vegjlit në tjetrën. Më vonë, rrugët nisën të quheshin ‘Rruga e Arnautëve të Mëdhenj’ dhe ‘Rruga e Arnautëve të Vegjël’. Kështu, qyteti i ri, i sapolindur, jo vetëm u popullua, por edhe mori emrat e vet të parë.”
Pas revolucionit bolshevik të vitit 1917 dhe rënies së Odesës nën sundimin bolshevik më 1920, si dhe zisë së bukës më 1922, komuniteti shqiptar gradualisht filloi të pakësohej.
Nga komuniteti shqiptar tregtar i Odesës ka dalë edhe shkrimtari Milto Sotir Gurra.
Përgatiti: Saimir Kadiu