Nga Veriu në Jug, prerjet pa kriter vazhdojnë të rrënojnë pasurinë natyrore të vendit, pavarësisht moratoriumit shtetëror. Tenderë me vetëm një pjesëmarrës, kompani të licensuara që abuzojnë me lejet, ndërsa druri shqiptar përfundon në tregjet luksoze europiane dhe amerikane.

“Mos shkoni atje, se ju ha arusha!” – ishte paralajmërimi që gazetarët morën nga katër burra në qendër të fshatit Lekbibaj në Tropojë, ndërsa nisnin rrugëtimin drejt Vranës së Madhe. Në këtë zonë të thellë malore, banorët kanë denoncuar prej vitesh prerjen masive të pyjeve, ku pemët ahu – një nga llojet më të kërkuara për industrinë e përpunimit të drurit – po zhduken me ritme alarmante.

Ahu i Tropojës, si edhe drurë të ngjashëm në juglindje të vendit, në zona si Polis-Guri i Zi-Valamar afër Pogradecit, mbetet shpresa e fundit e komuniteteve që jetojnë në izolim dhe pa alternativa punësimi. Për ta, pylli është e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Por ndërsa shteti ka vendosur një moratorium për prerjen e pyjeve që nga viti 2016, e vërteta në terren flet ndryshe: kamionë të mbushur me trungje të mëdha kalojnë rrugët pa frikë, shpesh të shoqëruar nga heshtja apo bashkëpunimi i autoriteteve vendore.

Abuzime të ligjshme dhe të paligjshme

Ligji lejon prerjen e druve vetëm për nevoja bazike – si dru zjarri për familjet apo institucionet publike – por ky rregull shpesh përdoret si mbulesë për veprimtari shumë më të mëdha dhe të organizuara. Firma të licensuara, të cilat duhet të ndihmojnë komunitetin lokal, shpeshherë kapen duke prerë drurët më cilësorë, ndërsa parcelat për të cilat kanë marrë leje, mbeten të paprekura.

Ahmet Mehmeti, inxhinier pyjesh, i cili është përballur edhe fizikisht me autorë të prerjeve të paligjshme, shprehet me indinjatë: “Presin çfarë u pëlqen, atë që ju hyn në punë. Nuk ndiqet asnjë plan, asnjë kriter.”

Në shumë zona, kantiere sharash operojnë krejtësisht në informalitet, pa asnjë gjurmë në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ndërkohë, tenderët e zhvilluar për shfrytëzimin e druve të zjarrit janë shpesh formalitete, ku fituesi është i paracaktuar. Rasti më emblemë është ai i kompanisë “Alxhef shpk”, që ka fituar tenderët në Tropojë pa pasur asnjë konkurrent tjetër në garë.

Kompanitë dhe lidhjet me tregun ndërkombëtar

“Alxhef shpk” është aktive prej më shumë se 20 vitesh në treg, dhe furnizon prej një dekade kompaninë italiane “Minelli S.p.a”, e cila përdor drurin për prodhimin e qytave luksoze të armëve dhe produkteve të tjera prej druri për tregun europian dhe amerikan. Përfaqësues të kompanisë italiane deklarojnë se furnizimi bëhet me materiale nga rajoni – përfshirë Malin e Zi, Kosovën dhe Greqinë – por nuk përjashtojnë Shqipërinë si burim të mundshëm të drurit.

Pavarësisht pretendimeve të palëve se çdo gjë është në përputhje me ligjin dhe dokumentacionin europian (EUTR 995/2010), burime nga sektori i ndërtimit në Itali tregojnë një tjetër realitet: origjina e drurit shpesh falsifikohet, duke e paraqitur atë si të ardhur nga vende të tjera të BE-së, për të anashkaluar kontrollet mbi legalitetin e tij.

Një moratorium që nuk ndalon shpyllëzimin

Sipas inxhinierëve shqiptarë, moratoriumi i pyjeve nuk ka arritur të ndalojë humbjen e kësaj pasurie kombëtare. Abdulla Diku, një tjetër ekspert me eksperiencë të gjatë në fushë, thotë se Shqipëria ka humbur rreth 33% të biomasës drusore në dy dekadat e fundit, duke zbritur nga 80 milionë metra kub në rreth 53-54 milionë.

Sipas të dhënave nga “Global Forest Watch”, Shqipëria ka humbur 6.5% të sipërfaqes së pyjeve gjatë 20 viteve të fundit, me shpyllëzimin dhe zjarret si shkaktarët kryesorë.

Ndërkohë, edhe raportet e Bashkimit Europian për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evidentojnë shqetësime serioze: “Zbatimi i ligjit për mbrojtjen e pyjeve mbetet i pamjaftueshëm, dhe moratoriumi nuk po jep efektin e duhur.”

E ardhmja e pyjeve dhe energjia e gjelbër

Në një kohë kur BE kërkon dekarbonizimin e ekonomisë dhe investon në burime të rinovueshme, Shqipëria mbetet e varur nga prerja e pyjeve si burim energjie për ngrohje. Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës mbështetet kryesisht në sekuestrimin natyral të karbonit nga pyjet – një strategji që duket e pamundur për t’u realizuar pa një menaxhim të qëndrueshëm të fondit pyjor.

Në vitin 2024, Shqipëria mori nga BE një fond prej 67.35 milionë eurosh për reforma në fusha të ndryshme, përfshirë edhe mbrojtjen e mjedisit. Por pa transparencë në tendera, pa monitorim serioz dhe me bashkëpunimin e heshtur të autoriteteve vendore e qendrore, këto fonde rrezikojnë të mos përkthehen kurrë në mbrojtje reale të pyjeve.

Në vend të epilogut

Përballë një realiteti ku fjalët dhe ligjet nuk përputhen me veprimet në terren, pyjet shqiptare po zhduken, trung pas trungu, pa lënë pas asgjë tjetër veçse hije. Ndërkohë, tregjet europiane vazhdojnë të mbushen me produkte luksoze prej druri, që mbajnë gjurmët e thella të një rënieje të heshtur mjedisore – njësoj si shtigjet e thella të kamionëve që ngjiten çdo ditë në malet e Shqipërisë.

By Editor