Nga Sebastian Zonja
Pak ditë më parë, më 10 prill, media gjermane “Spiegel” botoi marrëveshjen që kishin arritur konservatorët gjermanë me socialdemokratët e SPD-së për të qeverisur së bashku. Marrëveshja e gjatë mes palëve nis me politikën e brendshme gjermane, që nga tregu i lirë deri tek sporti; zgjerohet me NATO-n dhe çështje të Bashkimit Evropian, ndërsa nga fundi ka një paragraf interesant. Po e sjell në gjermanisht për ata që duan ta lexojnë:
“Die Erweiterung der EU und ihre Aufnahmefähigkeit müssen Hand in Hand gehen. Deshalb brauchen wir spätestens mit der nächsten Erweiterung eine innere Konsolidierung und Reform der EU, die sie institutionell stärkt. Das Konsensprinzip im Europäischen Rat darf nicht zur Entscheidungsbremse werden. Dies gilt grundsätzlich auch für die verbliebenen Entscheidungen mit Einstimmigkeit im Rat der EU.”.
Po e ndajmë në dy pjesë:
- Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe kapacitetet për të pranuar anëtarë të rinj duhet të ecin paralelisht. Kjo është arsyeja pse përpara zgjerimit të ardhshëm, na nevojitet konsolidim i brendshëm …
Konsolidimi i brendshëm i Bashkimit Evropian, me aq sa kuptojmë, ka të bëjë me renditjen e prioriteteve. Nëse shohim se ç’prioritet zë Ballkani perëndimor, besoj se qytetarët e kuptojnë se përpara tensioneve politiko – financiare me SHBA-në dhe Kinën si dhe problemeve me Rusinë, gjermanët dhe francezët nuk do vënë dosjen “pasaporta evropiane” të fushatës së Partisë Socialiste në Shqipëri.
Më vjen keq që koalicioni i ri gjerman, me një paragraf të vetëm, dogji gjithë propagandën e kreut të Partisë Socialsite Edi Rama se do na integrojë në Bashkimin Evropian shumë shpejt.
- Pjesa e dytë e paragrafit ka të bëjë me një kërkesë të kahershme të Francës për parimin e unanimitetit: “Parimi i konsensusit në Këshillin Evropian nuk duhet të kthehet në pengesë për marrjen e vendimeve…”
Në këtë pikë, nëse ky mekanizëm kalon, shkojmë te projekti i BE-së me disa rrathë, ku ne, sipas kryeministrit Edi Rama që u bë pjesë e projektit Komuniteti Politik Evropian të Francës, jemi në një rresht me Moldavinë dhe Ukrainën, edhe pse kushtet sot i kemi më të mira se ç’i kishte Bullgaria dhe Rumania kur u bënë pjesë e unionit.