Në një mbrëmje ku shpesh shfaqja e jashtme mbizotëron mbi përmbajtjen dhe kalkulimet gjeopolitike ndikojnë thellësisht në renditjet përfundimtare, Shkodra Elektronike e Shqipërisë solli në Eurovision 2025 një frymë të re: një performancë që ishte më shumë art sesa spektakël, më shumë shpirt sesa strategji. Me një paraformancë të fuqishme, konceptuale dhe rrënjësisht të veçantë, Shqipëria u rendit në vendin e tetë, duke shënuar një ndër sukseset më të ndritura të saj në këtë festival.
Në një skenografi që fliste me simbole, me një tingull që ndërthurte elektroniken moderne me ndjeshmërinë ballkanike dhe me një prezencë që sfidonte konvencionalen, Shkodra Elektronike solli një përfaqësim që tejkalonte kufijtë e një konkurrence muzikore. Ishte një gjuhë e re, një akt i pastër artistik, që i fliste drejtpërdrejt publikut evropian.
Dhe pikërisht ky publik u bë zëri më i fuqishëm i natës: 173 pikë nga televotimi, një dëshmi se performanca shqiptare u përjetua thellë dhe me ndjeshmëri në shumë vende. Franca i dha 12 pikë maksimale, një vlerësim domethënës që shpesh u rezervon vetëm atyre që arrijnë të lënë gjurmë artistike. Mali i Zi, po ashtu, kontribuoi me 10 pikë, duke konfirmuar përkrahjen që kalon kufijtë tradicionalë.
Por kjo përqafje nga publiku erdhi në kontrast të fortë me votat e jurive profesioniste, të cilat treguan një tjetër realitet – atë të votimit të ndikuar nga aleanca, interesa dhe marrëdhënie gjeopolitike që prej vitesh janë bërë pjesë e pandashme e Eurovisionit. Shqipëria u la në hije nga shumë juri, pavarësisht cilësisë artistike dhe impaktit emocional të performancës.
Ky hendek mes vlerësimit autentik të publikut dhe logjikave të ftohta të jurive profesionale nuk është rastësi. Ai pasqyron një problem të kahershëm të Eurovisionit, ku arti shpesh vlerësohet jo për fuqinë që përcjell, por për vendin që përfaqëson apo aleancat që ka ndërtuar.
E megjithatë, Shkodra Elektronike nuk kishte nevojë për miratimin e jurisë. Ajo fitoi atë që është më e vështirë për t’u marrë: zemrat e njerëzve. Dhe kjo është ajo që e bën këtë pjesëmarrje një ndër më të lavdishmet në historinë shqiptare në Eurovision.
Ky vend i tetë është, në thelb, një fitore për artin, për guximin për të qenë ndryshe dhe për krenarinë për të qenë vetvetja. Në një skenë të madhe si Eurovisioni, Shqipëria foli me zë të qartë – dhe Evropa dëgjoi.