Evropa po zgjohet ushtarakisht. Lufta në Ukrainë, tensionet me Rusinë dhe paqartësitë në skenën globale kanë çuar shumë shtete europiane drejt një rritjeje të ndjeshme të investimeve në mbrojtje. Nga Polonia te Britania e Madhe, qeveritë po përpilojnë plane për të forcuar ushtritë e tyre – jo vetëm si mburojë ndaj kërcënimeve, por edhe si shenjë e një epoke të re politike në kontinent.
Polonia – Një bastion i lindjes
Ndër shtetet që kanë lëvizur më shpejt është Polonia. Me një buxhet mbrojtjeje që në vitin 2023 kapërceu 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Varshava nuk fsheh ambicien për t’u kthyer në fuqinë më të madhe tokësore në Evropë. Me më shumë se 600 tanke të reja të porositura nga SHBA dhe Koreja e Jugut, sisteme raketore HIMARS, avionë F-35 dhe dronë të teknologjisë së fundit, Polonia po ndërton një ushtri moderne dhe të fuqishme. Synimi? Parandalimi i çdo agresioni nga lindja.
Gjermania – Një kthesë historike
Në Berlin po dëgjohet gjithnjë e më shpesh termi “Zeitenwende” – kthesë epokale. Pas dekadash me një qëndrim të kujdesshëm ndaj mbrojtjes, Gjermania tani po shqyrton seriozisht rritjen e buxhetit ushtarak në 5% të PBB-së. Aktualisht, Bundeswehr numëron rreth 182 mijë ushtarë aktivë, me një buxhet që për vitin 2024 është rreth 90 miliardë euro. Kancelari Friedrich Merz e ka bërë të qartë: objektivi është që Gjermania të ketë ushtrinë më të fortë konvencionale në kontinent.
Franca – E vetmja fuqi bërthamore në BE
Me statusin e saj si fuqi bërthamore, Franca ndjek një strategji të pavarur dhe me shtrirje globale. Forcat e saj të armatosura përfshijnë rreth 203 mijë ushtarë, një aeroplanmbajtëse bërthamore, nëndetëse strategjike dhe avionët Rafale, të aftë të mbajnë armë bërthamore. Presidenti Emmanuel Macron, i alarmuar nga rreziku rus, ka premtuar një rritje të ndjeshme të buxhetit të mbrojtjes, duke theksuar rolin kyç që Franca ka në sigurinë e Evropës.
Britania e Madhe – E fuqishme, por e përqendruar në teknologji
Londër ka vendosur të fokusohet në ushtri të vogël, por të sofistikuar. Me rreth 140 mijë ushtarë aktivë dhe dy aeroplanmbajtëse, Britania mbështetet fort në teknologji të avancuar: dronë, inteligjencë artificiale dhe armë lazer. Edhe pse nuk parashikohet një rritje e ndjeshme në numrin e trupave, vendi është ndër liderët teknologjikë ushtarakë në Evropë.
Italia – Pesha detare që synon fuqizim tokësor
Italia, tradicionalisht një fuqi detare, është ende nën kufirin e 2% të PBB për mbrojtje. Megjithatë, me dy aeroplanmbajtëse dhe një forcë ajrore moderne, pozicioni i saj në Mesdhe mbetet strategjik. Kryeministrja Giorgia Meloni ka bërë hapa të qartë për të modernizuar forcat tokësore – përfshirë porosinë e mbi 1000 tankeve të reja në bashkëpunim me industrinë gjermane.
Pesha globale – Evropa ende prapa superfuqive
Edhe pse shumë shtete evropiane po rrisin buxhetet ushtarake, renditja globale mbetet e pandryshuar: SHBA, Rusia, Kina dhe India vazhdojnë të kryesojnë. Sipas indeksit të “Global Firepower”, Britania renditet në vendin e gjashtë, Franca në të nëntin dhe Gjermania në të njëmbëdhjetin.
Në këtë kohë të paqartësive gjeopolitike, Evropa po kupton se siguria ka një çmim – dhe është e gatshme ta paguajë.