Ishim ndejë në bár buzë mbramjeje tue pí duhan e tue kuvendue para nji panorame së madhnueshme kreshtash qi mirshin mbrapa njâna tjetrën deri në brez të fundëm të qiellit në largësí të prarueme prej diellit prendues, kur i a përshpjeti nji udhtar malsuer i panjoftun. Ishte i Temalas. I kishin plagosë për gjak po at ditë vëllán e po shkonte në Pult me thirrë Lulash Pjetren. Shtëpíja e Lulash Pjetrës djalë mbas djalit ushtron mjeksín. Duket se dijnë me shëme përsosmënisht varrët prej pushkës. Mbaj mend qi në Tuzla (ku kalova dy vjet i mërguem prej 1925 e deri më 1927) Dom Loro Caka më pat thânë se nji shtëpí në Dukagjin din me shëndoshë hydrofobín (smundjen e urrejtjes s’ujit, terbim’i qêjvet) me nji bimë qi vetëm ata t’asaj shtëpíje njifshin dhe mbiellshin në kopësht tue ruejtë sekretin prej qinda vjetësh. Ndoshta ishte kjo shtëpíja e Lulash Pjetrës së Pultit.

Kur rrëzohet ndonji kà teposhtë shpatave të thikta ase bân dâm rrufeja ndër baktij, shokët marrin nji pjesë të mishit dh’e paguejnë për t’a ndihmue të dâmtuemin.

Nji kalamâ tha: Me xânë shkollë e m’u bâ zabit nuk vij tjetër në shpí t’eme e un due me ndejë në shpí e me punue.

* * *

Në verë 1930 Shoshi kishte vetëm tre mushq e Shala 10.

* * *

I zoti i shtëpís në mbramje i a ndán punën sejcilit. Stajanica (âmvisja, zoja e shtëpís, nikoqirja) ka për detyrë me gatue bukën e haen, me xânë djathë, me dâ mazë. I mbledh për dimën e i shtje në qels të tâna.

* * *

Gjelozija (si mund të thuhet shqip ai ngashërím ase ajo idhní qi e grîn njerín kur dyshon ase âsht i sigurtë se humbi dashunín e nji vetes së dashunueme? smirë, resë, zilí… asnjâna prej këtyne fjalve s’i përgjigjet përpiknísht konceptit), gjelozija nuk njifet ndër Malsorë si tronditje shpirtnore për humbjen e nji së dashune por si zêmrim për cenim nderi. Balë Tona kish dy grá. Kolë Pjetrushi, kur ai ndodhej larg shtëpíje, shkoi e rá me njânën. Bala e zûni në faj, nuk i tha gjâ por i mori besën se nuk flet edhe e fali.

Më kallzuen nji ndodhje tjetër.

U nis nji bajraktar për me zbritë në qytet. Lëshuene újnat e ai u shtrengue me kthye në shtëpí natën vonë. Troklloi në derë e i u duk se grueja disì vonoi tepër me i a çelë. Si hyni, vërejti dy xheze në zjarrm e dy filxhana gati. Vûni roe edhe se te dysheku i shtruem afër votrës jargani bânte si nji gungë. Nxori pistollen e tha: — Del jashtë, ti qi jé mshefë aty! — Doli nji djalë i rí, bír i shokut mâ të ngushtë qi kishte në lagje të vet. “A m’a ep besën se nuk i kallzon kurr kurrkuj për kët punë?” i tha. Ai i a dha besën e doli shëndosh, i bindun se leu për s’dyti at natë. Bajraktari njifej an’e kand si trim me fletë. Kaluen pesëmbëdhetë vjet. Nji ditë, në nji festim, tue ndejë njerzíja grumbuj grumbuj në nji shpat mali plot çufra, mësá ferlikët po rrotulloheshin tue u pjekë në zjarrm, ai djali i pyetun nga shokët se cila dashunore i kishte mbetë e pashlyeshme në kujtim, mbasi qi ngurroi do kohë, rrëfei tue fshâ: “Kam pasë si e dini shum jaranesha. Por njâna sosh nuk më hiqet mendsh. Ishte ajo asokohe sokolesha mâ e mira e këtyne maleve t’ona e i shoqi nji ndër burra mâ në shêj ndër né. Jam kënaqë me tê por jo aqë gjatë sa kisha lakmí”.

Bajraktari, ulë me krenë pak mâ nalt mbas nji kaçube, qi s’lênte djalin me pá kush ishte mbas so, si ndëgjoi ato fjalë u çue, nxori revolen, u avit edhe i a ngjiti me plumba lules së ballit tue folë ndejshëm: — A të pata thânë qi mos m’e xânë kurr mâ me gojë at punë?

Shkrova kët kangë qi m’a tha Balë Petrushi prej Çilikokut të Shoshit:

Isht’ kênë ligë syzeza me dekë, 

fjalë ka çue me shkue m’e pá. 

S’dij’ a fshkoj’ a mos të shkoj, 

fort mâ mirë për me shkue: 

rrathët e barkut si trûjt e çardakut, 

i ka cicat si kokrrat e mollës, 

e ka qafën si ogiçi i kumbonës, 

i ka faqet si letrat e sobës, 

e ka synin si sahati i hoxhës:

gjith si njehë sahati dekikët 

njashtù i rrahë syni qerpikët.

E ka synin zí si korbi.

Marrtja të keqen ky i shoqi.

Kceva pup e rásh n’at sukë, 

mjaft e mirë e mjekërrbutë, 

mjekërrbutë e kambët e trasha, 

ku po rrij, hajrin t’a pasha.

Sá e bukur n’ato qeta,

Shum të lypa e vshtír të gjeta.

Prej këtyne vargjeve kuptohet se ideali i bukurís ndër male, për sa i përket njâj femne, qindron në ngi trup disi të mâjm. Flokët e zez çmohen. Kam pá shpesh vajza flokarta në Dukagjin. Më thanë se nuk pëlqehen. Gjithashtu vlera kanë syzezat: sybardhat e sy-larushkat jo aqë fort. Ndeshë udhtari ndër male në vajza qi kanë bebe vjollzore të mrekullueshme. Këto përjashta do të tregoheshin me gisht për bukurí sysh.

* * *

Dhe nji tjetër kangë qi ndëgjova me 1 gusht 1930 prej Nikë Gjonit, mikut t’êm, në Nicaj të Shoshit:

Nânë, moj nânë, o mori nânë.

Ja s’m’a bân nji vorr të gjânë, 

Ja s’m’i a lên dy trí penxhere,

T’i shof lulet prej prendvere,

T’i shof lulet tuj u rritë.

N’kjoft’ kysmet qi me prashitë 

Shatin t’êm qitma me dritë,

N’kjoft’ kysmet n’Bajram m’u falë

Kalit t’êm qitnja nji shalë,

Do t’m’i qitish shum tërshânë.

Kur t’më vîj shpirti me dalë

Do t’pyes grue, motër e nânë:

— Amanet, o mori grue,

A mban zí kurr pak për mue?

— Gjith sá t’múj me shkue në krue…

— A mban zí, motr-ó, për mue?

— Sa t’rrij mali pa u dushkue…

— Amanet, o mori nânë,

A mban zí kurr pak për mue?

— Sa t’jét ymri me ymrue…

Asht gërshetim motivesh të njoftuna. Vorri me nji dritore qi me pá shtëpín, katundin, me i dhânë foshnjes gjí (nâna e murueme në themel të nji kështjelli), me qitë dorën për me përkundë djalin kërthî në djep etj. gjindet shpesh në poezín popullore ballkanike, gjithashtù njifet motivi i dhimbës së grues për humbje të burrit, i dhimbës së motrës për vdekje të vëllaut e i nânës për vdekje të birit. Këtu dy motivet bashkohen. Kânga vjen nga qyteti, pse Malsorët nuk shijojnë bukurín e prendverës dhe të luleve. Ata kënaqen kur shofin nji dardhë, nji kumbull, nji pjeshkë plym me kokrra të pjekuna, nji arë me kollomoq plot karabusha. Lulet nuk u thonë gjâ.

Lahutat i bâjnë me drû palnjet (acer) ase arret. Çelin nji birë harkore n’ânën e djathët të kupzës së drûnit në trajtë vezake të mbulueme me lëkurë të hollë (At Bemardin Palaj thotë se ajo lëkurë thirret shark e prej kësaj ndoshta rrjedh êmni sharkî). Dorzën lahuta e ka prej thânet. Në vend të telit a të kordhës ka nji tojë qymesh kali ashtu si i ká edhe thupra (ase harku) me të cilën i bihet.

Kush e kishte mendue se gjêj në Shosh thalbin e ndërthurjen e Komedís Hyjnore, idén e çmimit dhe të ndeshkimit qi u epet mbas dekës bâmirsvet e bâkëqijvet për sjelljet e tyne në kët botë? Danti primitiv i Dukagjinit, protagonisti i ndodhjes qi shkurtímisht paraqet nji udhëtim në jetën e përtejshme, paska pasë êmnin Sokol Kolë Hajdari prej Pep-Sumaj të Shoshit dhe vegimin e tij i a ka tregue, afërsisht kah fillimi i këtij qindvjeti, tatës dhe axhës së Nik Gjonit. Ky, çunak asokohe, e ka ndëgjue me veshë të vet tregimin e Sokol Kolës.

Sokoli shtjen baktít në vathë, han darkë edhe ulet e bjen me fjetë. Papritmas i del gjumi në pikë të natës si në pushtim të nji parandiesíje a sikur i nxitun nga nji ftesë mysterjoze: del jashtë e nuk i gjên mâ baktít në vathë. Kapë pushkën e merr malin mbas baktísh. Në Leqe të Mollës (s’dij a e kam shënue mirë kët toponym) në nji rrafshinë nên maje të nalta shtrue me bár ndeshë n’Orët e Maleve qi i dalin para si dy hije e i thonë: “Rueju se kerkon gjâ, se han e pin gjâ pse tjetër nuk i duhesh robve të shpís!”.

N’ato rudina ishin sofra të shtrueme rrethue me nji shumicë njerzísh.

Pau se ata qi kishin dhânë bukë me zêmër zêjshin vend në disá sofra mbushë me të gjitha të mirat e Zotit. Përkundrazi përpara atyne qi kishin dhânë bukë pa zêmër grumbulloheshin në sofêr bagla lope. (Nik Gjoni, tue tregue, këlthiti: “Lum zêmra e atij qi po dhânka bukë me qejf pse kênka i nderuem në kët jetë e n’at jetë!”).

Pau se do djelm të rij të ndritëshëm (engjuj?) burrave bukëdhânë u epshin duhan, mësá mbarë populli rreth e rrotull u bânte urime.

Nik Gjoni: “Lum zêmra e atij qi dhânka duhan me qejf pse kênka n’iktibar të madh fíll mbas kúj ep bukën!”).

Pau se ai, qi ka dhânë besën e s’e ka mbajtë, ndêjtka gjithmonë me dorë të shtrîme e të ngrîme mësá gjithkushi i thânka: Besëkeq!

Pau se sidomos kush orvatet me shue grindje, me pajtue gjinden në mes vetí nderohej veç të gjith tjervet dhe se sofra e tyne ishte e prarueme. (Nika: “I lumi ai i lumi qi po dáka të keq e po ndaloka gjinden kur u ngatrruekan ndër vetí!”).

Lahutarë e fejtarë e kangatarë me zotsí të dallueme i pau midis nji morí njerzíje qi po i ndëgjonte me nji heshtje plot nderim mësá po u bijshin lahuteve e fejve e po këndojshin.

Kryeulun e të turpnuem ndejtkan ata qi kênkan ndye në gjak të vet e në Sh’Njon.

Dy gjatamana me nga nji sy të rrumbullakët në báll (katallâj?) Sugare Ukës i a kishin shtî hellin në ndeje e i delte në gojë e po e rrotullojshin në zjarrm pse e kishte prekë gjaku e Sh’Njoni (d.m.th. t’afërmit e kumbarët) e kurrkúj jo nuk i kishte thânë.

Mjerisht nuk shënova atëherë në vend të gjitha hollsít e këtij vegimi të Dantit dukagjinas, ndoshta tue mendue se prap do të kishem pasë rasë m’e përsritë at bisedim. Mbaj në mend, disì mjegullueshem, edhe do veçorí tjera të ndegjueme n’at verë të bardhë rreth këtij vegimi, qi m’interesoj për s’tepërmi, mbi të cilin e siellshem shpesh bisedën me miq të mij malsorë. Por janë kujtime të largta në mot dhe të zbéta në mbamendje. Në fletë të vjetra, qi ruej, nuk gjêj asnji gisht shkrimi qi të m’i përtrîjnë në të gjithë gjallnín e vet ato veçorí. Si shifet këtu, pleqnimi mbi merita e faje të gjindes qi pau n’ato vegime Sokoli frymzohej nga normat e Kanûnit të Lekës. Nji gjâ më bânte përshtypje: të gjithë Malsorët besojshin ngultas se Sokol Kolë Hajdari i kishte pá ato çudína. Për ata qi besojnë në qênjen e Zânave, këto ndodhi të mbinatyrshëme janë krejt të rendomta.

Mbi kët vegim mund të shkruhet nji libër i tânë, sepse në tê pasqyrohet krejt kuptimi i shoqnís heroiko-patriarkore e Malsorit shqiptar. Pikat mâ veshtrimtare më duket se janë këto: a) Danti mbështetet në poemin e vet në moralin kristjan për të dhânë gjikime mbi veprat njerzore; Sokol Kola shtjen në punë, pak a shum, parimet e Kanûnit të Lekës; nga normat e përmbledhuna në të drejtën gojdhânore burojnë pleqnimet e tija: çmohet mikpritja, burmíja, urtíja, e dënohen njerzít dorështrêjtë e bukëshkalë, përçmohen ata qi shklasin doket shêjte të kumbarís etj; b) del në shesh e papritun randësíja e artit, nevoja e të cilit ndiehet edhe në nji shoqní primitive si e dishmon nderimi qi u kushtohet lahutarvet e kângtarvet: ndër lahuta e kângë lavdohet trimníja, nxitet lakmija me u shque për bujarí e për shkelqim nderi të papeçatun në báll d.m.th. shtytja me u dhânë vleftë cilsíve shpirtnore, prirjeve mâ físnike të njeriut: Lahuta njehet mjet edukues.

Nik Gjoni shtonte se në brí mali, ku Sokoli ndeshi Zânat, ishin rreth sofrave të prarueme a të zymta edhe vende të shênjueme për njez të mirë e të këqij ende gjallë e u a thonte êmnat. Krejt si Danti qi pau në ferrë vendet ku do të ndeshkoheshin mbas dekës njerz qi ishin në jetën e këndejshme n’at kohë kur ai udhëtonte me fantazi në jetën e andejshme.

* * *

Balza, nji ndër bjeshkë të Shoshit (kam folë për tê në do shkrime të mija botue para tridhetë e sa vjetve), më ká lânë kujtime të pashlyeshme. Nên kupën e nji qielli të kulluet kaltherimplotë aty shtrîhen livadhe të blera qi duken shtroje të buta mundafshi ngrî në zmaragda xixilluesa. Nji larmí e kandëshme lulesh me ngjyra të gjalla qindisin ato shtroje. Era e shëndoshtë e liznës të zgjânon mushkënit. Drêtha, mjedra e qershîza t’egra (boronica) me kosha mund të mblidhen në Balza.

Unë fjeta me 1930 nji natë në stan të shtëpís së Nik Gjonit. Bjeshkën ase vendin ku ngjiten verës me baktij e rob të shtëpís e thrrasin në Shosh lavër. Mbasi u mëngjesa (hangra cilë) me nji tas qumshtë porsá të mjelun qi m’a solli Zadja, stajanica (âmvisja) rangatore, në të çilun të dritës, me Nikën dhe dy kushrij të tij u nisa me kalue ditën ndër livadhe të nalta të Balzës mbi të cilat zotnon, stolisë me nji kaçirubë lisash degëmëdhej, Maja e Kunorës.

E asaj kohe âsht kjo vjerrshë, hartue mbas pak ditsh në Shkodër, të cilën po e rrjeshtoj këtu për të tregue përshtypjet e ndiesít e asaj shetitjeje shpirt-freskuese.

Agim në Balza të Shoshit

N’pyll lakadredhas shtegu 

ngjitej npër mal përpjetë, 

mbas brejve, maje ‘i bregu, 

vegonte qielli i zbetë.

N’maje, n’nji kthes’ t’papritun, 

m’duel para sysh rudina 

me ‘i shtroj’ bari t’parritun 

prarue nga trendalina.

Mbi t’butin push të barit 

bardh e kamb-zdathë  Agimi 

mërtís’ ndër àvuj arit 

endte nji valle gzimi.

Spërklat’ prej voesës, gjethja 

n’rudinë e mbi bregore 

përshkohej nga përqethja 

e andjes mëngjesore.

Mbi brej, qi atjè kah fundi 

kryet ngrehshin n’kaltherí, 

qielli prej gjinit shkundi

 gur t’çmueshëm edh’ inxhí.

Rrezet tue rá n’bar t’njomë 

nxirshin me t’holla lmime 

prej luleve nji aromë, 

nji aromë émash t’përzime.

Nji lumth me valë t’argjenta rrjedh nëpër blerime t’asaj bjeshke të Shoshit qi merr êmnin prej si, sepse Balzë i thonë atij lumi. Rrjedh nëpër livadhe e hyn n’ashtë e shushuritë nên hije të landve qi dridhin fytyrimin e tyne n’új të qartë. Dridhja e valve përzihet me dridhulatjen e rrezeve të diellit qi rreshen mbi to tue depërtue prej gjethnâjës s’aheve.

Ulun në breg, tue rá dielli, para se me kthye në stan mbas nji dite kalue m’ato mrekullína të natyrës së vendit t’onë, të panjoftun nga shumica e Shqiptarve iflas për at ), u orvata me përmbledhë nga nji vjerrshë mbresat e pështjellueme të mija. Por vjerrsha nuk mori trajtë. Bërthâma e përmbajtjes së saj ngurroi e nuk u rendue në vargje të matuna mbas normave të metrikës. Qe brumi i pa-ardhun i asaj vjerrshe së deshtueme:

— Shka përshpëritë ky új i Balzës, shka don të më thotë kjo valë acare qi rrjedh në bukurít e panjoftuna të bjeshkëve të Dukagjinit? Don të tregojë me të fshâme të lehta ndodhína të vjetra apo don para nji qytetari qi gand sot ndodhet në kët breg me shprehë dishiret e veta të ndrydhuna?

I krijuem nga Perendíja me u dhurue freskí njerzvet e me njomë bjeshkët e kuquna prej zhegut të verës, ky lum nuk gjên sy e vesh qi t’i a çmojnë hirin e rrjedhjes dhe âmbëlsín muzikore të kangës qi këndon nên zâ. Ky új i pastër shpesh u përgjak. Njaty te njatò rrasa ku ahi lëshon hije t’andëshme pushka i a thau jetën nji të riut. Dokja e rrebtë e gjakmarrjes turbullon e terratisë veskun tërhjekës të bjeshkëve shqiptare. E Balza thotë: “Shtegtar qi deri këtu u ngjite prej qytetit e qi me kuresht po i a vên veshin zânit t’im, mos prit prej meje kangë trimníje sepsè prendoi moti i rapsodive: këto gjaksína shkallmojnë jetën e maleve dhe shnjerzojnë fisin me njollen e vllavrasjes. Unë lakmoj t’i përsjelli me kangë gëzimi ata qi ecin gjatë brigjeve të mija, por fati më shtrëngon me vajtue. Pres nji kohë të bardhë në të cilën vala e ime të pasqyrojë fytyra jo mâ të vrânta por tekembramja të skjaruna, — pres nji kohë në të cilën shushuritja e ujit t’im të ledhatojë zêmra ku mâ nuk vlon mënija por lulzojnë ndiesí mâ të gjâna njerzore, — pres nji kohë në të cilën poetënvet vullnetmirë do të munden me i a diftue sekretin e shpirtit malsuer, sekretin e ndrym në gjinin mâ të thellë të shkambijve ku zânë fill burimet e lumejve dhe ku vrumulisë fryma e dheut shqiptar qi përpiqet m’u këndellë hove hove në stina të reja tue zgjue hînin e të dekunve vorrosë në murâna të përgjakuna”.

Kështu më këndonte para dyzet vjetve lumthi i Balzës. Kúj i këndon sot, vall, e shka i thotë?

Dukagjin, verë 1938.

Gjithëcila vllazní (lagje) ka vendin e caktuem në mal. Kur Orët duen të paralajmojnë ndoj rrezik, rrëzojnë ndoj shkamb e, mbas krizmes, merret vesht kush do të desi prej asaj vllaznije.

Ndiehen gjâmë në mal para se të vritet ndoj njerí.

* * *

Përpara se me krisë lufta (në botë të jashtëme) kërsasin majet.

* * *

S’kalon njerí para nji kroni pa u kullë. Pëmdryshej merr të hasun. Kullet pse dron mos të jét ndoj tubë Orësh e Zânash tue mbushë új: me i trazue, ato e shitojnë.

* * *

Shala ka Orët e Mëdhá. Orzit (bij Orësh) janë vetëm në Brisë të Merturit.

* * *

Ditët e Verave janë trí. Mbasi nuk dijnë me sigurí cila âsht dita e Verave, për mos me gabue, mbajnë trí dit. Në këto trí dit duhet me mshefë furkat, boshtat, sitat, shoshat, gjylpânat, lâmshat e pêjnave. Lidhin mbasi të bashkohen robt e shtëpís n’odë rreth votrës. Nji bestytní e rrânjosun me shekuj i shtyn me pritë të këqijat tue lidhë (âsht shprehja qi përdoret në Dukagjin) qênjet dâmçore. Besojnë ngultas se me kët lloj përbetimesh largojnë rreziqet. I zoti i shtëpís, tue lidhë nji pê në vargue të votrës, flet e thotë: “Ndihmò, Zot, e nata e mojt — E dita e verave — Un pak e ti shum — Tash po lidhim mëngjizat (rode shtrigash   

– Tash po lidhim llûgjat — Tash po lidhim rrollçat (rodë shtrigash) — Tash po lidhim bushtrat”.

Mandej lidhin krymbat, mizat, pleshtat. E besojnë se me këtë zhduken gjât a qênjet e këqija.

* * *

Kur shtriga del prej shtëpíjet, des trupi i saj. (Don me thânë se shpirti i saj del në trajtë fantazme e qarkullon, mësá trupi mbetet në vend pa jetë).

* * *

Shtrigat kanë logun e vet (vendin e mbledhjes) e aty pleqnojnë kê me shitue.

* * *

Malsorët gjithmonë i lajnë duert para se m’u ulun në sofër.

* * *

Për Shëna Prende (26 korrik?) hán ndër male mjaltin e parë.

* * *

Nga Zojë Mustafja e Shoshit mora kët váj qi ajo i bâni Cube Ndrés:

Un po due me folë me ty:

Me t’thânë me êmën po t’largoj,

Me t’thânë ndrikull po t’përmalloj.

T’paskan veshë e t’paskan mbathë:

A po shko, bí, ti n’gjiní?

A po shkon nuse ndrikullí?

Kur erdh shpirti për me t’dalë 

Lype shokë e lype kumbarë,

I lype robt të tânë mbarë;

Allah-medet po e tham nji fjalë,

Si s’na lae nji grimë djalë,

Ké lânë vajzën shum me mall:

Hije t’paska përmjeti i djepit 

E fort mâ hije krahët e jelekut,

E mjaft puntore kênke kanë,

Me gjylpânë e me gërshânë

Si terzija në dugâjë.

Kur erdh shpirti për me t’dalë 

I thirre Sykës ( burrit) me të mbajt’ për krahësh 

“Zor po kam me ty m’u falë,

Pse s’po t’lâ kurr ‘i grimë djalë,

Po t’lâ vajzën ty për mall … 

Kur t’lutet Zoja e Mërturit 

E të shkojnë bijat në festë,

E ti në festë s’mundesh me shkue,

Kush â bí prej atij bajrakut 

Do t’i hjekin paret fytit,

Do t’i hjekin mhyr’t prej gishtit,

S’do t’kërkojnë as shokët as fisin,

Për burrë tand po e flas nji fjalë:

Shoqen t’ande s’ká m’e marrë!

N’daç e ká pas’ bí oxhak,

N’daç e ká pas’ t’mirë për konak,

Mjaft e mirë për derë të stanit,

E fort mâ e mirë kah të vijë livadhit 

E mjaft e shpejtë për mbas kostarit,

E mjaft e shpejtë për vakt të çobanit, 

E mjaft e shpejtë për mbas shtegtarit. 

Tash të kjoftë nji rrugë e mbarë 

E paç lânë baftin né këtu t’gjallë.

Revista “Shêjzat” nr. 4-6, 1970 e nr. 1-4, Romë, 1972.

Përgatiti për publikim: Agim Morina

By Editor