Fatime Sokoli nuk ishte thjesht një këngëtare. Ajo ishte një zë që vinte nga thellësitë e shpirtit malësor, një magji e lindur mes gurëve të bardhë të Valbonës, një frymë që mbante erën e luleve të bjeshkës dhe jehonën e kreshtave të Dragobisë. 

E njohur si “Bilbili i Tropojës”, ajo iku në një moshë të parakohshme, pa i shkelur ende të dyzetat, atëherë kur fuqia e saj krijuese mund të arrinte kulmin. Një sëmundje e pashërueshme e ndali hovin, por jo kumbimin e zërit të saj që ende udhëton mbi lugjet e bjeshkëve të Malësisë së Gjakovës.

Ajo nuk iku thjeshtë si një jehonë. La pas këngët e pavdekshme, interpretimet që të drithërojnë, mesazhet që u kënduan me shpirt për atdheun, për dashurinë, për punën, për njeriun. La një testament që nuk shkruhet me penë, por gdhendet në kujtesën kolektive: të guxosh, të ngrihesh mbi kufijtë e vendosur nga zakoni, të dëshmosh se gruaja nuk është thjesht një hije në punët e shtëpisë dhe në heshtjen e nënshtrimit, por një forcë që sfidon kohën dhe rregullat e saj.

Fatime Sokoli ishte më shumë se një artiste, ajo ishte një akt emancipimi. Në një botë ku fjala e burrit ishte ligj dhe prangat e zakonit e mbanin gruan larg skenës, ajo u ngjit aty me krenarinë e një malësoreje që di se vlera fitohet me mund, jo dhurohet. Ishte interpretuese, instrumentiste, bartëse e një trashëgimie të pasur shpirtërore, dhe e ktheu atë në një pasuri kombëtare. Zëri i saj ishte si një urë që lidhte këngën e odave të burrave me skenat e festivaleve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Ballkan e më tej në Evropë.

Në Dragobi, zëri i saj buçiti për herë të parë në kremtet e fshatit, për popullin trim të Gjakovës. Më pas, ai zë do të pushtonte skenat e Tiranës e Gjirokastrës, do të merrte duartrokitje në Kosovë e Maqedoni, do të ngjitej në podiume ndërkombëtare, duke mbajtur gjithnjë me vete aromën e barit të njomë dhe tingullin e lahutës së maleve. Këndoi për Bac Bajramin, Mic Sokolin, Emin Durakun, Haxhi Zekën e Tom Kolën, duke bërë që heronjtë të rrojnë në këngë dhe populli t’i ndiejë të afërt.

Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar, këngët e saj ruhen si relike, por ato nuk kanë mbetur të mbyllura aty, populli i këndon ende. Sepse kënga e saj nuk ishte thjesht muzikë, por frymë që lidhet me jetën, me qëndresën, me dinjitetin.

Fatime Sokoli u lind më 18 qershor 1948, në një familje me tradita patriotike e atdhetare, dhe u rrit me idealet e malësisë, krenari, besë, burrëri shpirtërore. U shpall “Artiste e Merituar” jo si një titull të cilin e mbështeti emri, por si një nder që ia detyroi puna e palodhur, guximi dhe pasioni i saj.

Sot, në përvjetorin e ndarjes së saj nga jeta, nuk mjafton vetëm ta përmendim me respekt. Duhet ta kujtojmë si një shembull të gjallë të asaj që një grua shqiptare mund të bëjë kur i jepet skena, kur i jepet fjala, kur i lejohet ëndrra. Fatime Sokoli nuk kërkoi të bëhej mit, por koha e bëri të tillë. Sepse ajo ishte dhe mbetet një zë që nuk shteron, një kumbim i përjetshëm mbi bjeshkë, një pjesë e shpirtit të kombit që nuk shuhet.

 Përgatiti: Albert Vataj

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *