Nga Arbër Zaimi

Specialisti kryesor i politikës ndërkombëtare në Financial Times, Gideon Rachman, para një jave shkroi në atë gazetë se në Washington ka dëgjuar zyrtarë që ankohen për “estonizimin” e politikës europiane. Me siguri e kanë patur fjalën për kryediplomaten europiane, ish-kryeministren estoneze Kaja Kallas.

Kaja Kallas, Komisionerja e Lartë për Politikë të Jashtme

Rachman shkruan se, te disa anëtarë të administratës Trump vendet baltike shihen si shumë agresive në raport me Putinin:

“Në një takim të nivelit të lartë në Pentagon të mbajtur kohët e fundit, zyrtarët nga vendet baltike janë akuzuar si shumë “ideologjikë” në armiqësinë që kanë me Rusinë.

Është krijuar një mungesë besimi mes amerikanëve dhe baltikëve”, 

Por, në ditët që pasuan pra në javën e shkuar, qëndrimi i presidentit amerikan sa i përket Rusisë u shfaq krejt i ndryshëm, tashmë fort i përafërt me perspektivën e vendeve pranë kufirit të zonës së influencës ruse, siç janë ato baltike, apo edhe skandinave a ballkanike. 

Gjatë javës së mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB Trump dha garanci për rritjen e mbështetjes për Ukrainën, shkroi në rrjetet sociale se beson te synimi për kthimin 100% të territorit, e para dy ditësh në takim ne udhëheqësit ushtarakë amerikanë Trump foli në mbështetje të NATO-s, me kritika të ashpra Putinit, madje tregoi edhe për lëvizje nëndetësesh strategjike nukleare, që janë armët më të fuqishme ekzistuese, për të dëshmuar se nuk i ka vetëm fjalë.

Çfarë ndodhi vallë, a mos u konvertua Trumpi nga mik në armik të paqes me Rusinë?

Zyrtarët që i janë ankuar para dhjetë ditësh gazetarit të njohur, Rachmanit, për ashpërsinë antiruse të Estonisë dhe të Kallasit, këto ditët e fundit mund të kenë mbetur si peshku pa ujë.

A ka një ndryshim të vërtetë qëndrimesh? Pse?

Një shpjegim i thjeshtëzuar është ky:

Trump i pati dy synime strategjike me ardhjen në pushtet:

1. Ulja e kostove amerikane në NATO dhe bartja e këtyre kostove te partnerët europianë etj.

2. Detanta me Rusinë, sepse konsideruar nga buxheti Rusia i duket e papërfillshme pra e parrezikshme, ndërsa Kina i duket shqetësim kryesor.

Të dyja këto synime nuk i ka patur vetëm Trumpi, por secili president amerikan që prej GW. Bushit e tëhu.

Synimin e parë Trump e ka arritur me një metodë jokonvencionale e jodiplomatike. Ai u tha europianëve se nëse nuk do paguajnë përqindjen e tyre për mbrojtjen e vetvetes, Amerika nuk do t’i mbrojë më. Foli për tërheqje bazash e ushtarësh, foli edhe për ndoshta mbylljen krejt të NATO-s. Me siguri, çdo studiues i politikës ndërkombëtare e di se Amerika nuk i mban bazat e ushtarët nëpër botë thjesht për bamirësi, por në radhë të parë për të projektuar pushtetin e saj global, gjë që i sjell fitime të shumëllojshme. Edhe nga NATO, Amerika më shunë ka fituar se ka humbur, jo thjesht në sensin e krijimit të tregut ekskluziv për teknologji të shtrenjtë ushtarake, por edhe në kuptime gjeostrategjike. Duke i patur parasysh këto interesa të thella, politikanët europianë nuk i kanë marrë si shumë urgjente kërkesat e presidentëve të mëparshëm amerikanë. Prandaj Trump u detyrua të përdorë kërcënime e diskurs që duket goxha i paqëndrueshëm e i paekuilibruar, për t’i bërë t’ia plotësojnë kërkesat (kjo taktikë e njohur si “Madman Theory” është përdorur dikur nga Nixoni e jo vetëm). Më në fund vendet europiane e vende të tjera i kanë rritur ndjeshëm buxhetet e tyre ushtarake dhe kontributet në NATO. Dikur as 2%, sot 5% vendet europiane e disa vende europiane lindore edhe më lart. Prandaj Trump e ndryshoi retorikën, e tash deklaron me krenari se “më quajnë presidenti i NATO-s”.

Synimin e dytë Trump u përpoq ta arrijë duke krijuar dritare komunikimi me Putinin, pavarësisht shqetësimeve dhe kundërshtimeve europiane e sidomos atyre që vinin nga vende pranë Rusisë. Për ta mbajtur hapur këtë dritare, Amerikës iu desh të godasë performativisht disa prej aleatëve të vet më anti-rusë. Por goditjet ishin të tilla që të shkaktonin maksimumin e zhurmës por minimumin e dhimbjes. Goditje e tillë ishte përplasja e Vanceit me Zelenskyn për çështje kostumi në Shtëpinë e Bardhë (apo edhe disa qortime e masa të lehta e formale ndaj disa aleatëve të tjerë). Trump sidoqoftë pati përpjekje të sinqertë për paqe në Ukrainë, por në rastet e tilla ku mungon fitorja decizive apo edhe avancimi, paqja arrihet kur palët lënë hapësirë që tjetri të dalë me dinjitet nga procesi i paqes. Putini deri më tani nuk është shfaqur i interesuar për t’i lënë dinjitet Ukrainës, e kjo në analizë të fundit lexohet si përpjekje për të trajtuar pa dinjitet edhe Amerikën e NATO-n. Mund të ndodhë që Putin të ketë lexuar e t’i ketë marrë si të njëmendta qëndrimet e mëhershme të Trumpit ku ky kritikonte NATO-n dhe luftën në Ukrainë, apo edhe goditjet formale që presidenti amerikan ia ka bërë disa aleatëve antirusë. Pra mund të ndodhë që të ketë besuar se i erdhi “zogu në dorë”. Por lëvizjet e fundit të Trump tregojnë se nëse Putin mund të ketë llogaritur kështu, mund të ketë llogaritur keq.

Donald Trump, presidenti i SHBA

Lufta në Ukrainë duket se do të zgjasë dhe ca, ndoshta vite. Për momentin pozita e Amerikës dhe e Trump është afruar me atë të europianolindorëve antirusë. Zyrtarët që janë ankuar për estonianizimin e Europës nga Kaja Kallas do të frustrohen pak ditë e do të kalojnë te projekti i radhës, se nuk kanë aq kohë për t’u hidhëruar. Në një të ardhme të afërt apo të largët, kur të shfaqen sërish prospektet e paqes, ka mundësi që Trump apo presidenti pasardhës sërish të qortojë aleatët e vet për të krijuar dritare me Moskën. Kjo është tipike për marrëdhëniet mes fuqive të mëdha (zhgënjimi që këto batica e zbatica kanë shkaktuar te vendet e Europës Lindore njihet historikisht si dukuria e quajtur “western betrayal”). Por vendet kufitare, si Estonia e vendet baltike, apo edhe vendet ballkanike, të Detit të Zi e të Skandinavisë, përfshi edhe Kosovën, janë të detyruara nga rrethanat e nga historia që të kenë një qasje shumë më të kujdesshme, më konsistente e më dyshuese, kur vjen puna te Rusia e aleatët e saj. Këto vende kanë nevojë për Amerikën si aleat që mbështet shumëçka në raport me sigurinë e tyre, megjithatë kur vendosen në presion prej aleatit të madh, në momente dallgësh globale, përpiqen të ruajnë në radhë të parë e me çdo mjet integritetin e tyre territorial, që të mos përfundojnë si element i negociueshëm në tratativat mes fuqive të mëdha. 

Pas Luftës II Botërore u krijua një farë pranimi i gjerë ndërkombëtar se kufijtë e shteteve, sado të vogla që ato ishin, mund të ndryshohen vetëm demokratikisht ose si pasojë e tendencave gjenocidale-kolonizuese. Por sot ky konsensus nuk është më gjithaq i gjerë, sepse raportet mes fuqive të mëdha po ndërrojnë, e jemi në kohën historike e ripërcaktimit të kufijve të sferave të interesit. Kohë të tilla janë volatile për vendet kufitare, ndaj ato ruhen më shumë e më intensivisht prej rreziqeve./

https://zaimi.substack.com/p/trumpi-dhe-vendet-ne-kufi-te-sferes?fbclid=IwVERDUANNN3tleHRuA2FlbQIxMQABHlcIN_na-eedMsDmG68bmYLCPuixBtxE-Hq2GRYKRjHHZVquFaDC1Wazu9oA_aem_pfgrOxcphfIgy5oYIx3xCQ

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *