Nga Izet Duraku

Autorin e librit “Lufta e çetave në Shqipëri”, Hermann Frank, major i ushtrisë gjermane në Luftën II Botërore, dallgët e kohës e hodhën edhe në Shqipëri, siç e cilëson ai, “në një nga këndet më të harruara të Europës”.

Mbase, për të shmangur disi subjektivizimin e unit të rrëfyesit, autori në libër përfaqësohet si kryepersonazh nga kapiteni Fraj, drejtues i një batalioni këmbësorësh të stërvitur për luftime alpine. Përmes dëshmive të tij, autori kërkon të përkujtojë vuajtjet e veta dhe të një brezi që përjetoi një nga tragjeditë më të përgjakshme të njerëzimit, në kasaphanën e së cilës u përplasën edhe kombet më të fuqishme të planetit dhe ku humbën jetën dhjetëra milionë njerëz.

“Për të mbijetuarit qoftë ky libër një përkujtim për kohën e pashoqe dhe të ashpër… për të rënët një dëshmi se do t’i kujtojmë për aq kohë sa vetë ne ecim akoma mbi këtë tokë”, shkruan autori në epilogun e tij.

Mbase Hermann Frank është nisur edhe nga besimi i përgjithshëm se prej historisë, si mësueses së jetës, duhet që secili të reflektojë për të mos përsëritur gabimet e shkuara. Por në mendësinë e një pjese shkruesish, të vjetër apo edhe të rinj në moshë, përmes studimeve të tyre, kujtimeve a trajtimeve gjithfarëshe, ende shfaqen recidivat e ideve triumfaliste që, me rrahje gjaku, kërkojnë t’i mbushin mendjen vetes sikur fatet e kësaj lufte qenkan vendosur në Shqipëri dhe se ushtritë fashiste paskan marrë rrokullimën pikërisht në malet e grykat e vendit tonë.

Ndonëse nuk u shkrua si homazh për qëndresën shqiptare, “Lufta e çetave në Shqipëri” nderon përpjekjet e mijëra kryengritësve të organizuar në formacione të plota ushtarake, që i dhanë pushtuesit goditje vdekjeprurëse. Në teatrin e përgjithshëm të luftës, skenat e përpjekjeve shqiptare kundër pushtuesit gjerman, të përshkruara në këtë libër, mbulojnë gjithë hapësirën e sotme shtetërore.

Autori (në libër – kapiteni Fraj), si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftime, ka vizatuar me vërtetësi sulmet e çetave komuniste dhe nacionaliste, veprimet sulmuese të njësisë së tij, por edhe tërheqjet e vazhdueshme përballë kundërsulmeve të ashpra dhe të pandërprera të shqiptarëve. Edhe në situata të qeta, hapësira në Shqipëri për trupat gjermane nuk është e sigurt.

Situatat simbolike, nën një tis gri vetëkamxhikimi, shfaqen herë pas here në libër:

“Kudo në Shqipëri rriten shkurre me gjemba të gjatë e me majë. E kështu, në tërë Shqipërinë, zor se ka një metër katror tokë ku mund të ulesh pa të ngulur me dhimbje e pa të thyer një gjemb në të ndenjura.”

Humbjet gjermane vijnë gjithnjë në rritje pas çdo përpjekjeje. Dhe synimi i vetëm i drejtuesit të trupës gjermane, kapitenit Fraj, ashtu si i drejtuesve të tjerë të trupave gjermane në Shqipëri, mbetet mbijetesa për të siguruar tërheqjen përfundimtare dhe rikthimin gjallë të ushtarëve në atdhe.

Episodet e luftës midis vetë shqiptarëve (komunistë e nacionalistë) kapiteni Fraj i sheh si një mundësi për të kursyer jetën e ushtarëve të tij:

“Mehmet Shehu ka vajtur me njësi të fuqishme të çetave tek Muharremi. Ata duan të luftojnë tani së bashku kundër gjermanëve. Por shpejt lind një grindje midis të dyve. Mehmet Shehu, që gjithmonë ndjek udhëzimet nga jashtë, ngul këmbë që të marrë ai drejtimin e përgjithshëm të luftimeve. Muharremi nuk pranon. Zënka midis dy kryetarëve të çetave kursen shumë gjak ushtari gjerman.”

Këto episode vëllavrasëse, të përjetuara nga autori – libri i të cilit u botua për herë të parë në Gjermaninë Federale në vitin 1956 – ende duken të vështira për t’u pranuar nga një pjesë e “historianëve” tanë.

Në kohën e botimit të librit, Lufta Nacionalçlirimtare në Shqipëri ishte ende në zenitin e lavdisë së saj. Kundërshtarët e vërtetë apo të fabrikuar të kësaj lufte, në atë kohë, kishin vdekur ose dergjeshin në kampet e shfarosjes komuniste.

Regjimi kishte përvetësuar për mrekulli përvojën naziste të shfarosjes së kundërshtarëve politikë, duke i damkosur ata edhe me vulën e “tradhtisë ndaj atdheut”.

E megjithatë, libri i Frankut ruan një vlerë të veçantë për mënyrën se si një ushtarak i huaj, i dërguar në një vend të vogël e të panjohur, përpiqet të kuptojë shpirtin, zakonet, mënyrën e jetesës dhe mentalitetin e shqiptarëve.

Në shumë raste ai shfaq simpati për ta, ndonjëherë edhe respekt për guximin, këmbënguljen dhe dashurinë e tyre për lirinë.

Autori i sheh shqiptarët si njerëz të ashpër, por krenarë, me një ndjenjë të thellë nderi dhe me një lidhje të fortë me tokën e tyre. Ai vëren se në çdo cep të vendit gjenden burra të armatosur që jetojnë sipas ligjeve të tyre, dhe se autoriteti i shtetit është shpesh i kufizuar vetëm në qytetet e mëdha.

Në këtë këndvështrim, vepra e Frankut shkon përtej përshkrimit të një lufte; ajo bëhet edhe një dëshmi etnografike dhe psikologjike për një popull që mbijetoi mes perandorive, ideologjive dhe pushtimeve të njëpasnjëshme.

Përmes përjetimeve të kapitenit Fraj, lexuesi sheh jo vetëm luftën e armatosur, por edhe një betejë të brendshme të njeriut që përpiqet të ruajë humanizmin mes ferrit të luftës.

Herë pas here, ai ndien keqardhje për fshatarët shqiptarë, për gratë që mbeten pa burra dhe për fëmijët që rriten në mes të frikës.

Në një prej faqeve të fundit, Frank shkruan:

“Këta njerëz nuk janë armiqtë tanë të vërtetë. Ata luftojnë për jetën e tyre, për tokën dhe për shtëpitë e tyre. Ata janë të varfër, por krenarë. Lufta i ka bërë edhe më të egër, por brenda syve të tyre ka diçka që të bën të kuptosh se nuk mund t’i urresh.”

Kjo qasje humane, përtej qëllimit ushtarak të librit, e bën “Luftën e çetave në Shqipëri” një dëshmi të rrallë dhe të ndershme mbi një realitet që për shumë kohë mbeti i deformuar në historiografinë zyrtare shqiptare.

Në fund, autori nuk gjykon asnjërën palë – as komunistët, as nacionalistët – por përpiqet të tregojë se në çdo luftë, përtej flamujve e ideologjive, humbësi më i madh mbetet njeriu i zakonshëm.

Në këtë kuptim, libri i Frankut nuk është vetëm një rrëfim lufte, por edhe një reflektim mbi absurditetin e saj, mbi fatin e ushtarit që zbret në një vend të huaj për të luftuar njerëz që nuk i njeh, dhe mbi tragjedinë e një populli të vogël që, në përplasjet e mëdhenjve, duhet të luftojë edhe me veten.

Nëpër kampe e fusha internimi, krahas kundërshtarëve politik, dergjeshin ende edhe robërit e fundit nga ushtarët gjermanë, të kapur në luftime ose të dorëzuar. Midis tyre kishte edhe gra gjermane, që mbaheshin peng, duke mos i riatdhesuar.

Strategjia komuniste e glorifikimit të Luftës, duke siguruar për një kohë të gjatë edhe praninë fizike të “pushtuesve”, funksiononte për mrekulli. Nuk bëhej fjalë të lejohej që të pipëtinte legalisht ndonjë alternativë apo zë tjetër, ndonëse në zemër të botës komuniste po dënoheshin krimet e Stalinit, nga vetë bashkëpunëtorët e tij. Përndezja fantastike me fitoret e luftës dhe fantazma e armikut të jashtëm mbaheshin gjallë prej regjimit, për të siguruar qetësinë absolute të qeverisjes.

Por Lufta hiperbolizohej më shumë në histerinë e fjalimeve politike në raste përvjetëroresh çlirimi apo në përvjetorë betejash dhe formacionesh partizane. Përkujtoheshin gjithashtu heronjtë e shpallur dhe një pjesë dëshmorësh, numri i të cilëve qe fryrë aq shumë, sa që përgjithmonë të varrosej ideja e botimit të listës së tyre për t’i gdhendur siç e meritonin në një shtyllë nderimi kombëtar.

(Kjo listë as që ka ndër mend të dalë në dritë ndonjëherë!)

Në vitin 1956, studimet e thelluara për Luftën e fundit ishin pothuajse inekzistente. Edhe librat me kujtime nga protagonistët e saj qenë krejt të rrallë. Monopoli i botimeve të tilla ruhej me xhelozi nga Partia dhe udhëheqësi i saj, sepse Lufta ishte qederi e madhe e Enver Hoxhës, mbase edhe për shkak të mospjesëmarrjes së tij të drejtëpërdrejtë.

Hermann Franku, duke i qëndruar besnik njohjes së tij në kohën e luftës, nuk e sheh aspak kontributin e E. Hoxhës, të cilit asnjëherë nuk i përmend emrin. Në Jugosllavi ai përmend partizanët që drejtoheshin nga Josip Broz Tito, ndërsa në Shqipëri, si drejtues të çetave komuniste, njeh vetëm Mehmet Shehun. Po ky nuk është mëkati i vetëm i autorit. Ai përshkruan edhe luftën ndaj njësive që komandonte vetë, edhe të disa nacionalistëve, të cilët, sipas optikës komuniste, qenë të lidhur me pushtuesin dhe si të tilla duhej të përshkruheshin nga të gjithë autorët.

Sidoqoftë, libri i një gjermani pjesëmarrës në luftë nuk do ta shihte dritën e botimit edhe sikur të mos kishte asnjë mëkat të tillë. “Armiqtë” nuk mund të shndroheshin në autorë. Për ta mund të kishte varr ose burg!

Rrethanat kur ka mbërritur në Shqipëri libri i Hermann Frankut mbeten të panjohura. Dihet se ai u përkthye dhe mund të gjendej në Arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes, mbase menjëherë pas botimit të tij në Republikën Federale. Regjimi mbante sytë hapur për çdo gjë që thuhej dhe shkruhej jashtë vendit.

Në këtë aspekt duhet njohur merita e pamohueshme e përkthimit të të gjithë studiuesve apo udhëpërshkruesve të rastësishëm, kryesisht në shekujt XIX–XX, që në fokus të veprave të veta vunë vendet e banuara me shqiptarë dhe shqiptarët, pavarësisht nga qëndrimi pro apo kundër tyre. Për t’i njohur dhe studiuar, këto libra të përkthyer u vunë në dispozicion të shkencës shqiptare, e cila ishte e organizuar në institute të specializuara.

Në këtë klimë interesimesh shtetërore të kohës së monizmit, kur përkthehej gjithçka që shkruhej për Shqipërinë dhe shqiptarët, duhet parë njohja në Shqipëri e këtij libri, besoj, që në çastet e para të botimit të parë të tij.

Para disa viteve, një mik i imi, kolonel në pension, më njohu me një pjesë të tekstit të përkthyer të H. Frankut. Ai e kishte kopjuar me dorë gjithë materialin e përkthyer gjatë kohës kur ishte pedagog në Shkollën e Bashkuar.

Edhe pse nuk lejohej të botohej si libër, dëshmi të tij arritën të citoheshin edhe në shtypin e kohës para viteve ’90, pavarësisht se autori Hermann Frank, alias kapiteni Fraj, vazhdohej të trajtohej në këto shkrime si armik edhe 40 vjet pas përfundimit të luftës.

Edhe pse vjen me vonesë të pajustifikueshme në dorën e lexuesit shqiptar, sërish libri “Lufta e çetave në Shqipëri” ngjall interesim për të vërtetat e tij, si një homazh i tërthortë që i bëhet kontributit shqiptar në luftë, patriotizmit dhe virtyteve shqiptare, të cilat lartësohen pa kursim nga autori.

Koha e botimit të librit në Gjermani përkon me periudhën kur Gjermania Federale kishte dalë nga rrënojat hitleriane të luftës dhe rimëkëmbja ekonomike dhe shpirtërore shkonte përpara dora-dorës. Autori kishte pasur gjithë kohën e nevojshme për të rigjykuar mbi luftën dhe fatkeqësitë e saj. Ai qe çliruar gjithashtu nga kompleksi i demagogjisë naziste. Ndoshta edhe për ta bërë më të besueshëm rrëfimin për misionin e tij ushtarak, librin e fillon pikërisht kur peshorja e fateve të luftës kishte anuar dukshëm në anën e kundërshtarëve të gjermanëve.

Kapiteni Fraj kishte përjetuar tragjedinë gjermane të Stalingradit dhe në vetëdijen e tij po kristalizohej gjithnjë e më shumë zhgënjimi dhe fryma pesimiste. Hapësira ku vepron njësia e tij luftarake përfshin pothuajse të gjithë Ballkanin. Ai takohet me serbë, rumunë, bullgarë, malazezë e shqiptarë. Kishte dëgjuar krisma armësh dhe kishte gjetur në Serbi edhe një kamp të plotë armik, të sapobraktisur, por pasojat e plumbit, që i shqeu kondakun e pushkës mbi çantën e shokut pranë vetes, i pa vetëm në Shqipëri, kur shkeli në luginën e ngushtë të Drinit të Bardhë.

Megjithatë, autori provon me sukses t’i shohë kundërshtarët e djeshëm pa urrejtje, madje t’i përshkruajë me simpati mjaft zakone, sjellje dhe cilësi të tyre. Shpesh është gjendur në një çati me shqiptarët. Ja një përshkrim i tillë, i çliruar nga nënçmimi dhe negativiteti:

“Fraj i dëgjon me vëmendje dhe me interes të madh. Për aq kohë sa është këtu, mund të ndihet i sigurt, sepse sipas të drejtës së stërlashtë zakonore shqiptare, mysafiri është i shenjtë dhe i pacënueshëm. Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mysafirit. Mysafiri ulet në qoshe, ai meriton kripë, bukë dhe zemër. Ti mund ta harrosh gjakun e babait, vëllait dhe të kushëririt, por asnjëherë gjakun e mysafirit! Kush e shkel këtë ligj të stërlashtë, bile kush e ofendon mysafirin, bie në gjak.”

Për të arritur tek një e vërtetë që përfshin një dimension të gjerë kohor, duke u zhytur nga e sotmja në mugëtirën historike:

“Fjala e burrit, betimi dhe dorëzania janë në Shqipëri ende në fuqi, tamam si në kohën e mjegullt të ilirëve. Mënyra e tyre e luftës ka mbetur gjithmonë e njëjta, vetëm armiqtë ndërroheshin. Pas romakëve erdhën sllavët. Pastaj në vend depërtuan turqit. Austriakët dhe anglezët ishin invazorët në Luftën e Parë Botërore. E tani janë gjermanët këtu. Ata erdhën vërtet si miq, por kundrohen si pushtues e në këtë mënyrë si armiq, që duhen asgjësuar.”

Këso argumentesh nuk janë të pakta, madje në jo pak raste shfaqen haptas nota admirimi për cilësitë e racës shqiptare:

“Me opingat e tyre – këpucë me lëkurë gjedhi, të thjeshta dhe megjithatë të bukura në formë – ecin udhërrëfyesit mirditorë me hap të sigurt, elastik, para pushkatarëve gjermanë. Lëvizjet e burrave të gjatë, trupderdhur, kanë një hijeshi dhe harmoni të natyrshme. Këta vendas të kalitur, truplidhur, janë në gjendje të bëjnë përditë më shumë se pesëdhjetë kilometra në terrenet më të vështira malore, të mbajnë edhe ngarkesa pa iu vënë re ndonjëherë shenja lodhjeje fizike… Si vetëtimë shkëlqejnë armët e tyre të zbukuruara plot art dhe të veshura me argjend, kur u bie një rreze dielli.

-O Zot, po sikur të na ishte dashur të luftonim kundër tyre! – thotë Shlageri, i cili marshon para Frajit me skuadrën e tij në krye të kolonës së gjatë për sigurimin e marshimit. – Asnjë kopsë prej uniformave tona nuk do të ishte kthyer më në atdhe!”

Në libër mund të konstatohet me lehtësi dhuntia artistike e autorit për të përshkruar skena masive luftimesh nën ankthin e vrapit të lodhshëm, pamjen e gjakut që mbulon trupat e rrëzuar që përdridhen e rënkojnë nga dhimbjet e plagëve, gjymtyrë të copëtuara, gjoks të çarë. Mund të befasohesh edhe prej skenave të denja për Hollivudin, si kjo e mëposhtmja:

“Ditën tjetër takohen Fraj dhe Muharremi. Secili prej tyre ka si shoqërues dyzet ushtarë me vete. Këtë e kishte propozuar Muharremi, dyzet dhe asnjë më shumë. Fraj iu përmbajt tamam numrit dhe zgjodhi dyzet burra të gjatë dhe të fuqishëm. Gjysma e tyre mban mitralozë dhe shirita të gjatë me fishekë varur rreth qafës. Njëzet të tjerët kanë pushkë dhe automatikë me vete. Fraj e di se shqiptarëve mund t’iu imponohesh vetëm me armë. Por Fraj dhe dyzetë burrat e tij kanë në xhepat e tyre edhe granata dore – për çdo rast. Edhe bajraktari (Muharremi) shfaqet me një eskortë të armatosur rëndë në vendtakimin e caktuar… Ata qëndrojnë përballë njëri-tjetrit në një lëndinë dhe burrat e tyre qëndrojnë rreth tridhjetë metra prapa.”

Krahas vlerësimeve të sakta, në libër hasen gjithashtu edhe klishe të pavërteta, gjysmë të vërteta e hiperbolizime që përsëriten pa i ndryshuar aspak, marrë ashtu siç janë shkëputur nga librat që autori kishte lexuar para se të vinte në Shqipëri ose që i ka rilexuar ndërkohë që përgatitej për shkrimin e veprës së tij.

Pasaktësitë duken gjithnjë kur shfaqen përsiatje për rrjedhat historike të vendeve, qyteteve apo të krejt vendit. Një nga këto hiperbola bie fjala është karakteri mistik i popullsisë, për shkak të besimit mysliman. Si rezultat i fanatizmit fetar shpjegohet në disa raste trimëria dhe stoicizmi i vendasve që i bën të patrembur edhe përpara vdekjes:

“Djaloshi nuk tregon asnjë lloj frike. Ai jep gjithnjë të njëjtën përgjigje:

-Për Zotin nuk e di!

Kur Fraj nuk kënaqet me këtë përgjigje dhe e kërcënon se do ta pushkatojë, nëse nuk thotë më në fund të vërtetën, djaloshi mbledh vetëm supet e ngushta e përgjigjet indiferent:

-Kismeti im, atëherë më pushkatoni!”

Ndërsa tingëllon si një lloj nënshtrimi ndaj fatit të shkruar, shpjegimi i tij vetëm me besimin islamik nuk duket krejt i saktë. Sepse edhe shqiptari i krishterë, njëlloj si ai mysliman, besonte se trajektoren e fatit të secilit nuk mund ta ndryshonte askush. Mbase qëndrimi ndaj fatit, më shumë se nga mistika islame, vjen si jehonë e besimit të lashtë politeist ndaj përndjekjes së fatit, që duket kaq qartë edhe në dramaturgjinë e tragjikëve të lashtë grek.

Nëse pasaktësitë e librit vijnë si përsëritje nga leximet e autorëve të tjerë, vëzhgimet e tij të drejtpërdrejta në terren janë gjithnjë interesante e plot vërtetësi. Libri, me përmbajtjen e tij, shpresojmë të ngjallë interesim tek lexuesi për t’u njohur me këndvështrimin e një autori të panjohur, i cili fati historik e vendosi në anën tjetër të barrikadës së luftës.

Dhe nga ajo anë, pra nga pala gjermane, janë bërë të njohura dhe më pak janë pasqyruar dokumente lufte, që ngjajnë aq shumë me komunikatat e luftës partizane. 

Ndonëse diametralisht të kundërta si ideologji, nazizmi dhe komunizmi kanë si anë të përbashkët frymën e urrejtjes për armikun dhe dhunën e pamëshirshme ndaj tij. Edhe në formën e paraqitjes së fakteve nuk ndryshojnë shumë. Të dy palët ndërlufuese në propagandën e tyre, që depërton deri te përmbajtja e relacioneve dhe raporteve të fshehta të instancave më të ulta ushtarake për eprorët e tyre në bazë apo në qendër, kanë të përbashkët euforinë e fitores dhe zvoglimin deri në mohim të plotë të përmasave të humbjes.

Hermann Frank është çliruar plotësisht nga propaganda naziste, që zmadhonte deri në absurd humbjet e kundërshtarëve dhe minimizonte humbjet e veta. Në libër ndihet një frymë reflektimi tjetër. Aty ka dhimbje për besimin e tradhtuar, ndihet dëshpërimi për humbjen e jetës së miqve dhe shokëve që do të mbeteshin mbase përgjithmonë larg tokës së atdheut të tyre. Jo, libri është i çliruar nga sëmundja e supremacisë naziste. Ai nuk e sheh ushtarin gjerman si të pathyeshëm, që nuk njeh frikën e vdekjes, as zmbrapsjen në frontin e luftës. Jo, frika ishte bërë e zakonshme edhe në njësinë e Frajit. Madje është e dukshme një frymë disfatiste, që shpejtonte tërheqjen nga luftimet nën ritmin e panikut.

Makineria gjermane e luftës, e dëmtuar keqazi, synonte të zbythej me sa më pak humbje. Strategjia e vetme kishte mbetur sigurimi i rrugëve për t’i mbajtur hapur deri në momentin e tërheqjes. Por një gjë e tillë bëhej gjithnjë e më e pamundur. Këto filluan të shndërrohen me shpejtësi në rrugë të vdekjes për trupat e lodhura dhe të demoralizuara gjermane.

“Lufta e çetave në Shqipëri” mund të lexohet edhe si një libër etnologjie, ku përshkruhen tradita, besime, doke dhe virtyte të shqiptarëve në krahina të ndryshme të vendit. Në të mund të shihet keqardhja për prapambetjen e thellë kulturore, për varfërinë, keqqeverisjen ose mungesën e plotë të qeverisjes dhe zakonet e mbrapshta që thithin pa prerë energji dhe jetë njerëzore.

Është e njohur dhe e pamohueshme se urrejtja që përpiqej ta mbillte regjimi ndaj pushtuesit gjerman, dhe që do të duhej të ndikonte në ndjenjat e njerëzve ndaj gjermanëve në përgjithësi, u tret plotësisht që në kohën e regjimit të vjetër. Kjo u pa qartë më 2 korrik 1990, kur oborri i Ambasadës Gjermane u stërmbush nga mijëra vetë, me dëshirën për t’i kthyer krahët regjimit dhe për të provuar një jetë tjetër, pa rrenat e “parajsës” komuniste.

Pjesëmarrësit e Luftës II Botërore janë rralluar tashmë. Në rreshtimet ceremoniale të formacioneve partizane të dikurshme, pasardhësit vendosin shamitë e kuqe në qafë për të nderuar baballarët e tyre të vdekur, të cilët po ashtu plaken. Urrejtjes për italianët dhe gjermanët nuk i duken gjurmët. Për fat, deri në këtë pikë çmenduria nuk ka funksionuar kurrë dhe as nuk funksionon.

Por ndërkohë duhej tejkaluar demonstrimi i urrejtjes edhe ndaj të ashtuquajturve kolaboracionistë vendas, sepse armiqësitë e përjetshme shndërrohen në sëmundje për shëndetin e së ardhmes. Ndërsa qëndrimi ndaj nacionalistëve, të cilët nuk iu nënshtruan diktatit komunist gjatë Luftës dhe u përndoqën pas saj, mbetet i pasqaruar plotësisht. Vetëm për një pjesë të vogël nacionalistësh pranohet me gjysmë zëri kontributi i tyre në luftën antifashiste. Kurse për pjesën më të madhe ende shfaqen qëndrime të urrejtura e përbuzëse. Ende konsiderohet mëkat pse nuk iu nënshtruan diktatit komunist, pse nuk pranuan të hynin në formacionet partizane, edhe pse kurrë nuk kishin qenë bashkëpuntorë të fashistëve. Përkundrazi, kishin luftuar kundër tyre.

Nacionalistë të tillë, të përndjekur deri më sot nga mendësia “o me ne, o kundër nesh”, vuajnë ende ferrin e urrejtjes verbale që villet edhe me zë dhe figurë, për fat të keq nga njerëz që kjo shoqëri me mundim i ka përgatitur t’u shërbejnë të vërtetave shkencore dhe jo urrejtjes së verbër, flama e së cilës përcillet nga brezi në brez. Edhe për shkak të distancës kohore me luftën, është e arsyeshme të priten gjithnjë qëndrime të matura dhe gjakftohta. Por, për çudi të zotit, llavët e urrejtjes ndërshqiptare, sa herë trajtohen çështje të Luftës II Botërore, kërcejnë jashtë kazanit duke synuar të helmojnë gjithë shoqërinë shqiptare.

Botimi i këtij libri nuk synon të shtojë apo të pakësojë urrejtjen ndërshqiptare për qëndrimet ndaj luftës. Flakët iracionale të saj dikur do të shuhen vetiu, siç janë shuar e do të shuhen interesat e një pale të lidhur aq ngushtë me fitorat dhe privilegjet që përfituan pas përfundimit të saj për gjysmë shekulli pa ndërprerje. A nuk kemi harruar e lënë pas shpine borën dhe stuhitë e pothuajse të gjithë dimrave të shkuar?!

Libri i Hermann Frankut, “Lufta e çetave në Shqipëri”, është një homazh edhe për të gjitha humbjet njerëzore, për shqiptarët dhe gjermanët e vrarë në Luftën II Botërore. Duke lënë urrejtjen pas krahësh, vuajtjet dhe theroritë tona duhen kujtuar, me shpresën se bota do të bëhet më e mirë dhe histeria e dhunës nuk do të ketë të ardhme.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *