Nga Arbër Zaimi
Një libër i ri filozofik me titullin “Hipnokracia – Trumpi, Musku dhe arkitektura e reales” po diskutohet në forume të rëndësishme akademike por edhe në sferën e opinionit të gjerë publik. Gazeta të rëndësishme në të katra anët kanë shkruar për të.
Ky libër është shkruar nga Jianwei Xun, që fillimisht u prezantua si teoricien i kritikës nga Hong Kongu, por më pas u zbulua që s´qe i tillë e tash prezantohet si një entitet hibrid, i përbërë prej dy sistemeve të inteligjencës artificiale dhe një njeriu që furnizon me ide e që përzgjedh dhe redakton materialin e ofruar nga sistemet.
Libri trajton çështjen e raporteve të publikut me pushtetet dhe me të vërtetat në këtë kohë revolucioni digjital.
Përtej fenomeneve si “fake-news” apo “post-truth”, ky libër ngre tezën se ka ndodhur një transformim edhe më i thellë: është pjellë një sistem ku kontrolli më nuk ushtrohet duke mbuluar apo shtypur të vërtetat, por thjesht e vetëm duke shumëfishuar narrativat – duke prodhuar panumër këndvështrime e rrëfime të ndryshme paçka sa idiote, naive a të allasojta qofshin – aq sa çdo pikë fikse bëhet e lëvizshme, çdo argument bëhet opinion, çdo fakt bëhet trivial.

Nuk e kam lexuar librin dhe jam ende në mëdyshje (dilemë thotë shumica) se a vlen të lexohet një prodhim që pretendon origjinalitet teksa shfrytëzon materialin e vjelë prej miliona mendjeve të cilave nuk u njeh asnjë kontribut (sepse të tilla janë LLM-të!). Mirëpo me aq sa po lexoj mbi debatin, pretendimi i “autorit” nuk është i ri. Thomas Kuhn ka qenë e mbetet filozof fort i dashur prej neoliberalëve që sundonin dje dhe teknolibertarëve që sundojnë sot pikërisht sepse prodhoi një teori që ia refuzonte pikën fikse dhe fakticitetin edhe vetë shkencës, teksa teza e tij për zhvendosjen paradigmatike është e leverdisshme edhe si shtjellim i një strategjie luftarake-politike në rrafshin e dijes e akademisë, por pse jo edhe në rrafshin e opinionit të gjerë publik, informacionit dhe medias.
Një citim nga libri shkon kështu: “Çka nëse e vërteta nuk është më diçka që zbulohet, por diçka që ndërtohet, fabrikohet dhe shitet?”
Me siguri këtë marifet e kanë nuhatur qyshmoti mendjet që janë marrë me psikologji masash, me marketing, me strategji komunikimi. Doktorët e tjerrjeve. Madhnuesit e diktatorëve, propagandistët. Mbase tash mundësia për të përdorur të tilla mjete është më e lirë, më lehtë e arritshme, më pak e kushtueshme. Mbase mjetet e mjeshtërisë propagandistike janë më efikase se kurrë më parë. Roland Barthesi dikur shkruante se fotografia është “certifikatë prezence” dëshmi që dikush ka qenë dikur diku. Tash rrëzohen me një frymë të treja, edhe dikushi edhe dikuri edhe dikuja. Sërish Barthesi thoshte se fotoja është një “vdekje e vockël”, një memento-mori për kohën që s´kthehet pas dhe përjetimin e shkuar përgjithnjë. Tash në shumëzimin gjer në ndotje të imazheve, videove, teksteve të askujt, askund e kurrë, duket sikur ka pllakosur kudo një farë ere e të pagjallës…
Simbas review-ve libri nuk mjaftohet me diagnozë por prognostikon. Duke qenë se ia njeh teknologjisë së re aftësinë për të vjedhur vëmendjen e përdoruesit, për ta ngopur me informacion të panevojshëm, e për t´ia paaftësuar përqendrimin, për t´ia shndërruar identitetin në performancë, rezistencën në lojë, duke ia gllabëruar edhe kundërshtimin, hibridi Xun propozon “praktika të rezistencës së padukshme dhe të krijimit të autonomisë perceptive”. Jo kërkimin për të vërteta definitive që fshihen pas iluzioneve por “zhvillimin e formave të reja të vetëdijes që na mbajnë të kthjellët në botën e realiteteve të shumëfishta”.
Kohë përpara këtij libri, madje edhe përpara Kuhnit e Barthesit, regjisori japonez Akira Kurosawa bëri “Rashomonin”, një film ku personazhet ofrojnë rrëfimet e veta mbi ngjarjen ku ishin dëshmitarë. Rrëfimet nuk përputhen, ato janë sidoqoftë të anshme, synojnë të nxjerrin mirë rrëfimtarin dhe ata që i leverdisin atij. Gjyqtarët në fund të filmit mbeten të nemitur dhe nuk dinë si të vendosin. Një foshnjë jetime rrezikon të mbetet e braktisur. Mirëpo, njëri nga personazhet e merr foshnjën dhe kujdeset për të. Kurosawa i moçëm zëre se thotë bashkë me Sokratin: aty ku interesi vetjak dominon, nuk do të ketë kurrë rrëfime të përputhshme e as të vërteta. Të vërtetat sado mjegullisht dëshmohen jo me rrëfime e as me veprime të interesuara, por me dashuri pa interes (disinterested i thoshin në anglisht, e është cilësia që duhen me pasë gjyqtarët, shkencëtarët, intelektualët, udhëheqësit e shtetit e ata të opinionit …).
A arrin edhe Xun te përdorimi i dashurisë si pishtar sado dritëdobët? Ec e dije, duket libër voluminoz.


