“Portreti i një zonje”, romani im i parapëlqyer nga të gjitha romanet e Henri Xhejmsit, u botua fillimisht në vitet 1880-81. Xhejmsi e rishikoi gjerësisht, më shumë se një çerek shekulli më vonë, për botimin përfundimtar në Nju Jork të “Romanet dhe rrëfenjat e Henri Xhejmsit”. Asnjë romancier – madje as Servantesi, Osteni apo Prusti – nuk e kishte vetëdijen e gjerë të Xhejmsit. Do të duhej të ktheheshim te Shekspiri për të gjetur, siç e ka shprehur Emili Dikinson, një paraqitje më të madhe se truri është më i gjerë se qielli. Izabelë Arçeri, gjithmonë një heroinë e vetëdijes, shpërfaq një vetëdije të zgjeruar dukshëm në versionin e ripunuar të vitit 1908.

Pse të lexojmë “Portretin e një zonje?”

Duke lexuar për herë të parë “Portretin e një zonje”, mund ta gjeni të dobishme të kuptoni se Izabel Arçeri gjithmonë ndërmjetësohet për ty nga rrëfimtari, Henri Xhejmsi, dhe nga admiruesit e saj – Ralf Tousheti, lordi Uorbërton dhe Kaspar Gududi. Për Izabelën si një personalitet dramatik, në kuptimin shekspirian, Xhejmsi është në gjendje të na japë shumë pak. Ne i besojmë, sepse aftësia e Xhejmsit në studimin e vetëdijes së saj është kaq e hollësishme dhe artistike, dhe sepse ajo ka një efekt kaq të fortë mbi të gjithë të tjerët në roman, burra apo gra, me përjashtimin ironik të bashkëshortit, Osmondit. Për Osmondin, ajo duhet të jetë vetëm një portret ose një statujë; madhështia e shpirtit të saj fyen botëvështrimin e tij të kufizuar. Enigma thelbësore e romanit, siç e pikas çdo lexues, është pse u martua me Osmondin e lodhshëm, dhe akoma më shumë, pse kthehet tek ai në fund?

Pse kaq shumë lexues, si gra ashtu edhe burra, bien në dashuri me Izabel Arçerin? Nëse je një lexues i zellshëm kur je ende shumë i ri, dashuria jote e parë ka më shumë të ngjarë të jetë më shumë e trilluar sesa reale. Izabel Arçeri, e quajtur nga Henri Xhejmsi “trashëgimtarja e të gjitha epokave”, tërheq shumë prej nesh sepse ajo është arketipi i të gjitha atyre zonjushave, në letërsi po në realitet, të cilat për fat të keq janë të nëmura sepse kërkojnë jetësimin e plotë të potencialit të tyre, duke ruajtur një idealizëm që heq dorë nga egoizmi.

Romancieri Graham Grin, një dishepull Xhejmsian, këmbëngulte se pasioni moral i Xhejmsit te “Portreti i një zonje” përqendrohet në idenë e tradhtisë, madam Merle komploton me sukses për të martuar Izabelën me Osmondin në mënyrë që ai dhe Pensi, bija e saj me Osmondin, të mund të gëzojnë pasurinë e Izabelës. Por madam Merle, pavarësisht mashtrimit, lë shumë pak gjurmë në vetëdijen e gjerë të Izabelës. Tema e tradhtisë ishte temë e pashqitshme për Graham Grinin, shumë më tepër sesa për Henri Xhejmsin.

Xhejmsi tregon kujdes që Izabel Arçeri të jetë gjithmonë në qendër të shqetësimit tonë. Në të vërtetë, portreti i saj është ai që ka rëndësi; të gjithë të tjerët, Osmondi, madam Merle, dhe tipa të ndryshëm të ilustruar shkëlqyeshëm nga admiruesit e Izabelës – Tousheti, Uorbërtoni, Gududi – ekzistojnë vetëm në lidhje me të.

Izabela u lidh me Osmondin atëherë kur pati iluzionin se ajo po zgjidhte – dhe po jepte shembullin e lirisë. Ai dinte gjithçka që ia vlente të dihej, kishte menduar ajo, dhe nga ana tjetër ai do të donte që ajo të dinte gjithçka që mund të dihej për jetën. Gabimi i saj i tmerrshëm mund të duket pothuajse si një mizori ndaj saj nga ana e Xhejmsit, por ai vuan me të dhe për të, dhe ky gabim është absolutisht qendror për librin.

Çfarë e ka verbuar Izabelën? Ose, për ta pyetur ndryshe, pse Xhejmsi i shkakton një katastrofë të tillë autoportretit të saj si grua? Izabela studion njerëz dhe vende, dhe kurrë brenda kufijve të vetëzgjedhur. Inteligjente dhe e emocionuar, me vetëdije e bukur, vigjilente ndaj përshtypjeve të saj të shumta, lojcake porse miqësore, nuk është çudi që Ralf Tousheti, lordi Uorburton dhe plaku z. Toushet janë dashuruar me të me shikim të parë, dhe se edhe ne do të dashurohemi, ndërsa arrijmë ta shohim më qartë. Sublimja Izabel Arçer, ashtu si heroinat shekspiriane, është e detyruar të martohet me të, por Ralf Tousheti, lordi Uorbërtoni dhe Kaspar Gududi nuk janë asnjëri prej tyre fatkeqësi të mundshme; Gilbert Osmondi është fatkeqësia më e madhe. Çdo lexues duhet të gjykojë vetë nëse Henri Xhejmsi e bën vërtet të pashmangshme zgjedhjen e Osmondit në mënyrë bindëse. Edhe pse e dua shumë Xhejmsin, Izabelën dhe “Portreti i një zonje”, kjo është e vetmja mëdyshje që kam në këtë roman të përsosur.

Xhejmsi, vëzhguesi më i hollë ndër mjeshtrit e romaneve (duke përjashtuar Prustin), përdor gjithë artin e tij për ta bërë të besueshëm gjykimin e gabuar të Izabelës. Osmondi sheh tek Izabela jo vetëm pasurinë e saj (të lënë trashëgim nga të afërmit e saj, Toushetët), por edhe “lëndë që duhet formësuar“, një portret për t’u pikturuar. Por Izabela nuk kupton asgjë nga këto derisa të jetë tepër vonë për të shpëtuar veten. Është Pensi, e cila zgjon instinktet e saj amënore (i biri, vdes gjashtë muajsh, dhe Xhejmsi aludon se marrëdhënia seksuale midis Osmondit dhe Izabelës vdes menjëherë pas kësaj). Dhe ekziston idengultija në rritje e Izabelës për të “zgjedhur” një formë jetese: Ralf Tousheti është i afërmi i saj dhe është i sëmurë; lordi Uorbërton përfaqëson aristokracinë angleze, të cilën amerikanizmi i saj e shmang; Kaspar Gududi, mëtuesi i hershëm nga Ollbëni, është shumë zotërues dhe pasionant, shumë i dashuruar me të. Ashtu si Henri Xhejmsi, Izabela dëshiron të jetë e dashur, por jo të jetë objekt i pasionit të madh seksual të një tjetri.

Më duket zgjidhje e natyrshme, megjithëse enigmatike, pse Izabela kthehet në Romë dhe tek Osmondi në fund të historisë. Përsëri, duke e refuzuar Gududin, ajo megjithatë përjeton (dhe i frikësohet) forcës së pasionit të tij. Ajo është e lirë të ndjekë “një rrugë shumë të drejtë” për t’u kthyer në Romë dhe tek Osmondi. Kjo do ta çlirojë nga Gududi, por jeta me Osmondin mund të jetë në rastin më të mirë vetëm një armëpushim i armatosur. A do të jetë kjo gjëja e fundit për trashëgimtaren e Xhejmsit të të gjitha epokave? Xhejmsi nuk do të na e tregojë, sepse roli i tij në histori ka mbaruar; ai nuk di më shumë, dhe ndoshta, në fund, as Izabela nuk e di. Unë mendoj se ajo kthehet, për t’u përballur me pasojat e gabimit të saj idealist dhe kështu të pohojë një vazhdimësi në vetëdijen e saj.

“Portreti i një zonje”, kërkon lexim të kujdesshëm dhe me endje. Mund të mos jemi të kënaqur me zgjedhjen e Izabelës, por historia e saj na tregon përsëri një motiv pse lexojmë: për ta njohur më mirë vetëdijen njerëzore e cila është kaq shumë e vlefshme dhe nuk mund ta shpërfillim.

Përktheu: Granit Zela. Shkëputur me shkurtime nga Harold Bloom, “Si të lexosh dhe pse” (How to Read and Why) 2000.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *