(pjesë)

Ky më i pari monument i literaturës shqiptare që dihet gjer më sot, pat rënë në më se tre shekuj e gjysmë të harresës e qe përshkuar nëpër peripeti të shumëllojshme, gjersa u zbulua përfundimisht e u bë prona e botës shkencore.

Peshkopi i Arbëreshvet të Siqelisë Imzot Pal Skiroi, gjurmues e studiues i teksteve të vjetra të shqipes (1866—1941), që në vitet e para të këtij shekulli iu vu gjurmimit të kësaj vepre në Bibliotekën Vatikane. Kërkimevet që u bënë atja u detyrohet që më 1909 u gjet kjo mënëfund n’atë qendër studimesh.

Gjetja e këtij libri të çmuar nuk qe një punë e rastit, sepse gjurmën e parë të tij prelati italoshqiptar e kishte mu në Seminar të Palermos, ku ai aso kohe ishte rektor. N’atë qendër mësimore arbereshe qëmoti një copë e kopjuar nga kjo vepër, e pikërisht ajo pjesë, ku bëhet fjalë për ceremoninë e unazës e të martesës: Gjon Nikollë Kazazi prej Gjakove, një nga shkrimtarët e hershëm të Veriut, duke u ndodhur më 1740 në Romë në një vizitë si arqipeshkëv i Shkupit, në Kolegjin e Propaganda Fides, ku kishte qenë nxënës dikur, pa me habi këtë libër; mori e kopjoi atë copë rituali që thamë më sipër, e ja dërgoi në shenjë nderimi Atë Guzetës, themelonjësi i Seminarit të Palermos, “prototip i fisnikërisë së shpirtit e i burrërisë e i bujarisë së kombit shqiptar”. Rektorët e mëvonë të këtij Seminari Pal Parrino (1710—1765) e Sepë Krispi (1781—1859) e patnë nëpër duar këtë fragment dhe e përmendin në shkrimet e tyre. Pastaj libri ra prapë në harresë. Aty nga mbarimi i shekullit të XVIII. ai nga biblioteka e Kolegjit të Propagandës u shpu në kolekcionin e librave orientale të kardinalit Stefan Borgia, gjersa mënëfund, bashkë me këto libra, kaloi në Bibliotekën Yatikane. Këtu gjindet libri dhe tani, nën signaturën R (accolta) G (enerale) Liturgia. III. 194, si i vetmi ekzemplar që dihet gjer më sot.

Pal Skiroi, si nxori fotografinë e gjithë tekstit, me një punë shumëvjetshe kreu transliterimin e transkribimin fonetik të këtij dhe e gatiti këtë punë për shtyp; bashkë me një studim të veçantë për gjuhën e autorit, duke e krahasuar këtë me gjuhën e shkrimtarëvet të tjerë të Veriut, në radhë të parë me Pjetër Budin. Mjerisht ky dijetar, më shumë për arsye me një karakter të jashtëm, për sa rroi nuk pat fatin të shihte të botuar atë vepër, në hartimin e së cilës pat punuar një jetë të tërë. Vetëm disa copa biblike mundi e botoi, sëpari në shtypin e kohës , pastaj pjesë më të mëdha në bashkëpunim me Gaetano Petrottën. Kështu dorëshkrimi i tij pret edhe sot të shohë dritën e botimit.

Ndërkaq, më 1929 Justin Rrota nxori në Vatikan tri fotokopje të librit. Me botimin e disa copave të zgjedhura e të komentuara të tekstit e me një radhë studimesh të vijuara gjer sot e këtë ditë ky studionjës i gramatikës e i literaturës së vjetër shqiptare ka ndihmuar shumë ndër ne në përhapjen e njohjen e këtij monumenti gjuhësor.

Probleme të shumëllojshme i dalin albanistikës me këtë vepër. Nuk është vendi këtu të flitet për studimet, që nga ana e dijetarëve të huaj dhe e disave nga tanët i janë kushtuar kësaj, në përgjithësi qoftë, ose në lidhje me ndonjë nga çështjet e veçanta që janë lidhur me të. Vetëm nuk mund të lihet pa përmendur që këtu një studim i shkurtër i Norbert Joklit bashkë me kërkimet që ka bërë Mario Roques : punime që kanë shtruar e sqaruar disa nga problemet themelore që i përkasin këtij libri e autorit të tij, i dalin studionjësit përpara më çdo hap, prandaj zënë një vend me rëndësi në këtë fushë kërkimesh. Studimet e tjera janë për- mbledhur në bibliografinë që jepet në fund të kësaj hyrjeje. Për hir të së vërtetës do thënë se gjithë studimet e gjertanishme janë o tepër të shkurtëra o jo mjaft të thelluara. Sidoqoftë në to mezi rroket një pjesë e kompleksit të çështjeve që ngre kjo vepër.

(1968)

Publikoi: Agim Morina

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *