Nga Ilir Seci
Tradicionalisht na tifozët e futbollit mbështetemi në idenë e “shenjtënisë së garës”, në “paprekshmënine e konkurrencës”….Në idenë se kur dy skuadrat dalin në fushë, ajo që na shohim aty janë ata 22 lojtarë gati me dhanë gjithshka dhe në fund me fitue ai që e meriton. Në njifarë mënyre na kemi besue se edhe futbolli e ka ekuivalentin sportiv të “Betimit të Hipokratit”…
Por a ka qenë ndonjiherë krejt kështu?
Pyetje e vështirë që të nxan ngusht…pse në mendje të vijnë sa e sa ndeshje që ndjekin si fantazma kujtesën kolektive të futbollit.
– “A ishte ajo që na pamë loja e vërtetë – apo kishte nji marrëveshje të msheftë per me rregullue rezultatin!?” – asht nji pyetje retorike që shumëherë asht ba prej fillimit të Kampionateve Botnore…
A kena të drejtë me dyshue? Unë them se po…
Po…kur kihet parasysh se organi qeverisës i futbollit botnor, FIFA, vazhdimisht ka qenë nën akuza nga mediet anembanë planetit, në kontekstin e skandaleve, akuzave për korrupsion dhe mashtrimeve, mungesës sistematike të transparencës dhe vendimeve që dukshem kane qenë jo bindëse. Dhe nuk janë vetëm dy Botnoret e fundit kur “zgjedhja” e Rusisë dhe Katarit i tejkaloi edhe limitet e vetë FIFA-s në korruptim… Me “zgjedhjen” e Rusisë dhe Katarit dolën haptas çka rezultoi edhe me shkarkimin dhe arrestimin e drejtuesve Blatter dhe Platini. Por kjo nuk ishte gja e re…FIFA qysh nga fillimet e veta e ka pasë të vërshtirë me bashkejetue me dy faktorë që ia kërcënonin autoritetin që supozohej me e pasë – atë versionin sportiv “betimi i Hipokratit” që e thamë ma nalt – faktore që janë korrupsioni dhe politika. Per korrupsionin në FIFA tashma dihet botnisht, kurse për politikën jo edhe aq. Por kjo s’do me thanë që politika nuk ka kërcenue integritetin e botnoreve ma pak se korrupsioni…thjesht për kërcënimin e politikës flitet pak ose aspak…këtu po mundohemi me sjellë disa shembuj flagrante kur politika iu ka imponue Kampionateve Botnore…
– Në Botnorin “Itali 1934”, mbajtun në Italinë e kohës së fashizmit kur në pushtet ishte Benito Musolinit ndërhymja e politikës ishte e pritshme tue pasë parasysh natyrën totalitare të regjimit të Duçes…Fitoren në Kupën e Botës Musolini e shihte si mundësi me manifestue epërsinë e sistemit fashist prandaj ushtroi nji presion të madh fillimisht mbi vetë kombëtaren italiane dhe mbasandej mbi arbitrat dhe ekipet pjesëmarrëse…Ndërhymjet ishin aq flagrante sa ne disa ndeshje hynin karabinierët në fushë duke kërcënue lojtaret e ekipeve kundërshtare ;
– Edhe ne Botnorin “France 1938” Musolini luejti tana kulisat e mundshme me influencue në vendime dhe në fund të mbrame para finales “Itali-Hungari”, Duçja u dërgoi mesazh ekipit “Fitoni ose jeni të vdekun” ;
– Në Botnorin “Kili 1962” ndodhi nji “Deja vu” e kampionatit botnor të vitit 1934 mbajtun në Itali…vetëm se kësaj rradhe viktima ishin vetë italianët – Ndeshja Kili-Itali në atë Botnor asht cilësue si “ndeshja ma e pistë, ma antisportive në historinë e Kampionateve”…italianët e kujtojnë si “Beteja e Santiagos”,(Battaglia di Santiago),sepse ekipi italian asht masakrue në atë ndeshje…ka shkue puna deri aty sa me hy në fushë policia kiliane për me nxjerrë lojtarët jashtë…Flasim për “Karma” në daçim ;
– Në Botnorin “Argjentinë 1978” po ashtu ndërhymja e politikës ka qenë flagrante nga ana e juntës ushtarake të gjeneralit Jorge Videla që sundonte asokohe. Argjentina po kalonte nji gjendje të vështirë politike, ishte koha e “Luftës së Pistë”,(Guerra Sucia), kur junta “zhduku” mbi 30 mijë aktivistë politikë. Këto vrasje dhe “zhdukje” të kryeme nga junta e Videles kishin diskretitue vendin dhe për këtë arsye drejtuesit vunë tana energjitë e tyne për me fitue me çdo kusht Kupën e Botës. Fitimin e kësaj Kupe ata e konsideronin si shans me permirësue imazhin e vendit. Momenti ma i diskutueshëm në Botnorin e Argjentinës 1978, asht ndeshja Argjentinë-Peru ku vendasit fituen me nji rezultat të pashpjegueshëm 6-0, gja që u mundesoi atyne me dalë ne finale para Brazilit. Nuk duhet me harrue se në atë kohe Peruja kishte nji nga ekipet ma të mira në botë dhe humbja 6-0 shkaktoi habi kudo…
Ma vonë u mor vesh se kishte pasë nji marrëveshje për rezultatin e ndeshjes midis juntave ushtarake të Jorge Videlas në Argjentinë dhe juntës se Morales Bermudez në Peru. Në vitin 2012, ish-senatori peruan Genaro Ledesma deklaroi se diktatori argjentinas Jorge Videla kishte ra dakord me pranue 13 të burgosur politikë peruanë në këmbim të fitores që ia siguroi Argjentinës finalen në kurriz të Brazilit….Argjentinës i duhej patjetër nji fitore me diferencë prej 4 golash për me avancue dhe…fitoi 6-0…Por ndërhymje të politikës në atë ndeshje nuk banë vetëm junta argjentinase…A e keni ditë se për atë ndeshje asht angazhue edhe ish-sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger? Në ate Botnor ish-sekretari Kissinger ishte i ftuem nderi i gjeneral Videlas, deri këtu s’ka asgja me dyshue…por me shkue ish-sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger në dhomat e zhveshjes se kombetares se Peruse, kjo besoj nuk asht diçka e zakonshme…Në nji dokumentar mbi këtë temë fliste dhe ylli i ekipit kombëtar të Perusë në atë kohë, Jose Velasquez, i cili tregonte si si “nuk mundi t’u besonte syve kur pa se Henry Kissinger kishte ardhe te dhomat e zhveshjes te kombëtares së Perusë!?”…Ndeshja mbasandej u luejt dhe në mënyrën ma te habitshme ylli i Perusë Jose Velasquez u zëvendesue në mes të ndeshjes…pa asnjë shpjegim. Argjentina “fitoi” 6-0 dhe siguroi finalen duke dalë para Brazilit…Në finale viktima do ishte Hollanda e magjishme e viteve ‘70…çka ndodhi në finale? Për finalen fillimisht duhet kujtue se në Botnorin “Argjentinë 1978” nuk mori pjesë lojtari ma i mirë i botës në atë kohë, hollandezi Johan Cruyff. Mungesa e tij në atë Botnor u ba shkas per lloj-lloj spekullimesh, jo “pakënaqësi ndaj Federates Holandeze për shpërblimet”, apo “Cruyff nuk donte të vizitonte Argjentinën në shenjë proteste kundër diktaturës së Videlës”, pretendime që vetë Cruyff i ka hedhë poshtë në nji intervistë dhanë gazetës peruane “Deporte Total”, ku thotë – “Nuk ishte për këto. Me pasë qenë për arsye politike, atëherë unë nuk do të kisha luejtë kurrë në Spanjë gjatë diktaturës së Frankos.” Shkakun e vërtetë e mësojmë gjatë nji intervistë të vitit 2008, ne “Radio Catalunya”, kur Cruyff thote – “A e dini që dikush më vuni nji tytë arme në kokë dhe na lidhën mue e gruen teme para fëmijëve, në banesën tonë në Barcelonë?” Cruyff aty diftoi se arriti me ikë e me shpetue nga nji rrëmbim i mundshem, rrëmbim që deshtoi por mbas asaj situate ai dhe familja e tij u morën nën mbrojtje nga shteti… “Fëmijët shkonin në shkollë të shoqnuem nga policia, policë flinin në shtëpinë për muej me rradhë, unë shkoja në ndeshje me nji truprojë.” – pat thanë Cruyff…Përpjekja për rrëmbimin e Cruyff ndodhi në fundin e vitit 1977, pra pak muej para Botnorit “Argjentinë 1978”…Rastësi?! Jo…absolutisht jo…lojtari ma i mirë në botë terrorizohej vetëm pak muej para Botnorit, trembej deri në atë pikë sa me hjekë dorë nga pjesmarrja në Botnor dhe Argjentina që perfitoi ma se shumti nga kjo nuk paska asgje të bajnë me të!? Autoret nuk janë gjetë kurrë…
Përveç kësaj dihet dhe provokimet ndaj lojtarëve të kombëtares hollandeze para finales…presion të tana llojeve, lojtarin Ralf Edström e arreston policia argjentinase, gjoja “gabimisht”, arbitrin e finales e caktojnë italian, para ndeshjes finale ka tensione sepse lojtarët e Argjentinës kërkojnë nga arbitri mos me e lane me hy në fushë lojtarin René van de Kerkhof pse kishte kyçin mbeshtjellun me allçi dhe fasho…ndeshja shtyhet e tensionet shtohen, ekipi hollandez kambëngulin se në rast se nuk lejohet me luejte René van de Kerkhof ato do ta bojkotojne finalen si ekip…Argjentina fiton në kampionatin e cilesuem si “Botnori ma i pisët ne Histori” ;
– Ne Botnorin “Japoni-Korea e Jugut 2002” favorizimi i ekipeve të vendeve organizatore bahet haptas…Sidomos në rastin s Koresë së Jugut arbitrimi në favor te ekipit të Koresë se Jugut ishte skandaloz, i papamë ndonjiherë…ekipi i Koresë fale arbitrave “eleminoi” ne mënyrën ma të turpshme Italinë dhe Spanjën duke shenue rekorde kompromentimi nga ana e FIFA-s ;
– Në Botnorin “Gjermani 2006” vendimi me mbajte atë Botnor ne Gjermani ishte aferë korruptive… Presidenti i Federatës së Zelandës së Re Charles Dempsey u zhduk në mënyrë misterioze përpara se të bahej votimi, duke i dhanë Gjermanisë mundesine me fitue me 12 vota kunder 11 votave…Në librin e tij, “Loja e Pistë: Zbulimi i skandalit në FIFA”, gazetari investigativ Andrew Jennings zbuloi se Dempsey ishte pague 250 mijë dollarë nga qeveria gjermane e Gerhard Schröder, për mos me hedhë votën e tij ;
…Per “Rusi 2018” dhe “Katar 2022” dihet tashma se si u “zgjodhën”…