Nga Hasan Bello

Në shek. XIV – XV dhe më pas ishte praktikë e Perandorisë Osmane që disa krahinave të thella malore, ose pa rëndësi në aspektin ekonomik dhe politik t’u njihte një autonomi të kufizuar. Kjo ndodhi me Himarën dhe disa zona të tjera në veri të Shqipërisë. Sulltani i njohu atyre të drejtën për t’u vetqeverisur me “venome” (norma juridike zakonore). Por, nga ana tjetër, këto rajone paguanin haraç dhe dërgonin kapedanët e bajraktarët e tyre sa herë që shteti osman kishte luftë. 

Pas 28 nëntorit 1912, ekzistenca e rajoneve autonome brenda shtetit shqiptar nuk kishte asnjë logjikë. Në aspektin juridik ato nuk u njohën as nga “Kanuni i Përtashëm i Administratës Civile” që miratoi Qeveria e Vlorës më 22 nëntor 1913 dhe as nga Statuti Organik i hartuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit në prill të vitit 1914. 

Me nxitjen e qarqeve vorioepirote çështja e vetëqeverisjes së Himarës do të kthehet në problem serioz për shtetin shqiptar. Për të shmangur çdo ekuivok, qeveria që doli nga Kongresi i Lushnjës do t`i bëjë disa lëshime himariotëve, siç ishte përjashtimi nga taksat etj. Kjo bëri që në sytë e opinionit brenda dhe jashtë vendit të lihej hapësirë për ta interpretuar këtë si një status i veçantë.

Administrata e kohës do të përpiqet disa herë për të shtrirë influencën e saj mbi Himarën dhe banorët e saj. Por reagimi i tyre që ishin mësuar prej shekujsh të vetqeveriseshin ngjallte reaksion. Një praktikë e tillë ilegjitime do të marë fund nga një qeveri po ilegjitime. Pas lëvizjes së qershorit 1924, qeveria e Fan Nolit u tregua e vendosur për t`i dhënë fund vetqeverisjes së Himarës. Ajo e konsideroi këtë si diçka anakronike. Sipas saj i gjith vendi duhej qeverisur në mënyrë unike. Edhe Himara si pjesë e shtetit shqiptar duhej t`i nënshtrohej ligjeve të shtetit. Ky veprim ngjalli reagimin e Athinës zyrtare dhe shtypit grek, i cili ndezi një fushatë intensive për të mbrojtur Himarën “që lëngonte nën thundrën e një tiranie”. Madje, qeveria greke nuk u mjaftua me kaq. Prefektura e Gjirokastrës informonte Ministrinë e Brendshme se në gjysmën e parë të shtatorit 1924, një luftanije greke, ishte futur disa herë në Sarandë, duke shkelur normat ndërkombëtare. Më 23 shtator ajo ishte ankoruar në Spile të Himarës. Por komandanti i saj nuk ishte lejuar nga policia shqiptare të zbriste në tokë. Pyetjes se përse kishte ardhur, ai i ishte përgjigjur se kërkonte të takohej me administratorin lokal.

Më 14 tetor 1924, Ministria e Brendshme informoi për këtë incident Ministrinë e Jashtme ku ndër të tjera e vinte në dijeni se “qëllimi i vizitimit s`asht tjetër veçse me i shtue guximin himariotëve tue i ba ata me pandehun se do të kenë përkrahjen e Greqisë në çashtjen e venomeve e se me dukjen e luftanijeve nëpër brigje do të frikësojnë qeverinë për të penguar programin e saj në drejtim të zbatimit unik të ligjeve”. E gjendur përballë këtij provokimi, qeveria e Fan Nolit protestoi me anë të legatës shqiptare në Athinë. Një notë proteste iu dorëzua edhe legatës greke në Durrës, ku iu bë e ditur se asnjë luftanije greke nuk kishte të drejtë të shkelte ujrat shqiptare pa njoftuar dhe pa miratimin e autoriteteve shqiptare. Ministria e Brendshme i dha urdhër prefekturave të Vlorës dhe Gjirokastrës që të mos lejonin asnjë luftanije greke të shkelnin pa leje ujrat shqiptare. 

Çështja e Himarës u bë objekt i diskutimeve edhe në Lidhjen e Kombeve. Përfaqësuesi grek, Politis protestoi lidhur me “presionin e qeverisë shqiptare ndaj himariotëve”. Ndërsa drejtuesi i seksionit të minoriteteve në Lidhjen e Kombeve, Kolben, gjatë një vizite në Athinë u takua me ministrin shqiptar atje, të cilit, i shprehu ankesat greke. Diplomati shqiptar i mohoi pretendimet e Athinës zyrtare. Gjithashtu, ai kundërshtoi çdo përpjekje për ta paraqitur Himarën dhe popullsinë e saj si zonë minoritare. Sipas tij, ajo ishte një rajon i banuar krejtësisht me shqiptarë. 

Heqja e venomeve të Himarës dhe bashkimi i saj me administratën e shtetit shqiptar ishte arritja më e madhe e qeverisë së Fan Nolit. Pas këtyre ngjarjeve, popullsia e saj do të bëhet pjesë organike e shtetit shqiptar.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *