Nga Daut Dauti
Asgjë e re dhe asgjë për t’u habitur se çka thonë ato dy vajzat për muzikën. Ndoshta është për t’u habitur me mënyrën se si e thonë ato atë që kanë për ta thënë. Kemi të bëjmë me fjalët që ato i përdorin në gjuhën angleze. Për shkak të naivitetit të tyre, këto vajza kanë patur guxim ta shprehin një realitet që nuk pëlqehet nga këndi tradicional e patriotik shqiptar.
Sikur këto dy vajza të pyeteshin për të njejtën temë në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar, do ta thoshin të njejtën gjë, por në këtë rast me fjalë serbo-kroatisht. Nëse shkoni edhe një shekull më herët, sërish do të ishte e njejta përgjigje për muzikën, por kësaj radhe me fjalë osmanisht/turqisht. Qëndrimi sërish do të ishte injorues ndaj muzikës shqiptare. Edhe debati do të ishte i njejtë. Disa do t’i mbronin këto vajza për qëndrime të ‘kullerkave’ e disa do t’i kritikonin për faktin se ato e injorojnë muzikën dhe gjuhën e tyre.
Në Jugosllavi ndikimi i kulturës komuniste dhe pansllave ka qenë i madh. Kjo është për shkak se kishte shkolla dhe media që e përhapnin këtë ndikim. E kundërta ka qenë gjatë sundimit otoman për shkak se nuk kishte shkolla dhe media. Por, në Jugosllavinë e pas vitit 1945 gjërat ndryshuan për shkak se kishte shkolla për shqiptarët. Shkollat ishin në shqip, por ndikimi nuk ka qenë shqiptar.
Megjithatë, fshati në ish-Jugosllavi nuk i është dorëzuar ndikimit për shkak se nuk ishte në plan të zhvillimit. Për këtë arsye e ka ruajtur tradicionalen së bashku me folklorin në muzikë e më gjërë. Kjo ka qenë arsye pse fshatarët shqiptarë në Jugosllavi janë urrejtur nga tjerët, por edhe nga një kastë e qytetarëve shqiptarë (nëse kishte të tillë), që mendonin se kanë përparur. Pra, nga një shtresë e rrejshme snobiste, fshatari është konsideruar si i prapambetur. Pasi që në atë periudhë shumica e shqiptarëve ishin banorë të fshatit, rrjedhimisht janë konsideruar të gjithë shqiptarët të prapambetur.
Ja një shembull i thjeshtë se si ka qenë ndikimi i huaj në vokabularin e shqiptarit. Gjenerata ime është ndër të parat që është shkolluar në gjuhë shqipe që nga fillorja e deri në universitet. Gjenerata ime është e para që dritares i thotë DRITARE. Prindërit tanë dritares i kanë ‘prezore’ (nga serbo-kroatshtja:’prozor’). Gjyshërit tanë i kanë thënë ‘penxhere’. Turqisht, pra.
Jo vetëm shqiptarët, por të gjithë popujt tjerë të vegjël gjatë tërë historisë janë ndje inferior ndaj kulturave sipërore që kanë përhapur kombet e mëdha. Kjo është shumë e arsyeshme. Sot është vështirë të ruhet pastërtia gjuhësore nga ndikimi kulturor anglo-amerikan që është duke u shtrirë në tërë rruzullin tokësor. Me këtë problem ballafaqohen edhe kombet e mëdha.
Të shpresojmë që kjo gjenerata e re, në kushtet kur te ne parimisht më nuk ekziston fshati dhe janë bërë ‘qytetarë’ të gjithë, të mos i thotë dritarës: ’window’.
Kushedi, ndoshta edhe do t’i thonë ‘window’. Në këtë rast kënga ‘Doli goca në dritare’ do të këndohesj si ‘Doli gërlla në uindou’ dhe do të bëhej me e pranueshme për këto dy vajzat.