Nga Shaban Murati

Shënim nga blloku diplomatik

Zgjedhja e Shqipërisë anëtare jo e përherëshme e Këshillit të Sigurimit të OKB është padyshim një zhvillim pozitiv dhe sidomos një rast i artë për të mbrojtur interesin shtetëror dhe kombëtar në institucionin më të lartë vendimmarrës të OKB.

Shqipëria u bë anëtare jo e përherëshme e KS të OKB në vitin 2022, pas 67 viteve nga data kur u anëtarësua në OKB në vitin 1955. Kroacia, që u  anëtarësua në OKB në vitin 1992, u bë anëtare jo e përherëshme e KS të OKB në vitet 2008-2009, pra 16 vjet pas anëtarësimit në OKB. Bosnje-Hercegovina, që u anëtarësua në OKB në vitin 1992, u bë anëtare jo e përherëshme e KS të OKB në vitet 2010-2011, pra 18 vjet pas anëtarësimit në OKB.

Në këtë krahasim realist ballkanik suksesi i Shqipërisë në OKB nuk është aq i madh sa duket nga zyrat e MPJ.

Zgjedhja anëtar jo i përhershëm i KS të OKB me mandat dyvjeçar konsiderohet nga diplomacitë përkatëse si mundësi optimale, jo për të rregulluar botën se këtë e bëjnë fuqitë e mëdha, por për të mbrojtur dhe për të promovuar interesat e veta shtetërore dhe kombëtare.

Sidomos marrja me rotacion çdo muaj e presidencës së KS të OKB nga secili shtet anëtar i përhershëm ose jo i përhershëm jep shansin e futjes në rendin e ditës së KS të OKB të diskutimit të çeshtjeve akute, që i interesojnë shtetit president i rradhës.

Kur Shqipëria mori presidencën e KS të OKB në 1 qershor 2022 deklaroi se “Asgjë nuk i pengon anëtarët e KS të OKB që të kërkojnë mbledhje shtesë për çdo pikë në rendin e ditës nëse ata e gjykojnë të nevojshme”.

Gjatë vitit 2022 Serbia katër herë brenda vitit e çoi Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në prag të luftës, duke dërguar ushtri, tanke dhe bombardues në kufijtë e Kosovës dhe duke kërcënuar zyrtarisht për agresion  ushtarak. Asnjëherë gjatë vitit 2022, kur ishte anëtare  e KS të OKB, dhe as kur kishte presidencën e KS të OKB, Shqipëria nuk kërkoi mbledhje urgjente të KS të OKB për situatat e shpërthimit të luftës së Serbisë kundër Kosovës dhe për rrezikun e luftës në Ballkanin Perëndimor.

Nëse në KS të OKB Shqipëria nuk ngren alarmin ndërkombëtar për provokacionet dhe për politikat lufënxitëse të Serbisë kundër Kosovës, pra kundër kombit shqiptar, me ç’kriter shënohet zgjedhja e saj anëtare jo e përherëshme në KS të OKB si sukses në kronikën zyrtare diplomatike?

Cicërimat diplomatike internacionaliste të Shqipërisë për Ukrainën apo për Kongon nuk kanë vlerë për historinë tonë kombëtare. Shqipëria në organizatat ndërkombëtare dhe në forumet ndërkombëtare ende nuk ka mësuar të mbrojë veten.

Botuar në Dita

https://gazetadita.al/shenim-sukses-diplomatik-ne-okb-quhet-kur-mbron-kombin-tend/?fbclid=IwAR29Y3uKBgZbxC_MbggP9vjNkXr_XgtkpJE3_bo7pXaiKNOWvaEPhNLGy1U

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *