Nga Abdulla Diku

27 Janari i këtij viti shënon 100 vjetorin e krijimit të Shërbimit Pyjor shqiptar. 

Kjo datë lidhet me dekretimin e ligjit të parë të pyjeve dhe kullosave, me datën 27 Janar 1923.

Pavarësisht situatës në të cilën gjendej vendi në atë kohë, ligji “Për pyjet dhe kullosat” ishte një ligj i vërtetë perëndimor, në krejt kuptimin e fjalës.

Cilat ishin disa nga pikat kryesore të atij ligji?!

Ligji synonte të integronte traditat lokale me eksperiencat më të mira të vendeve të tjera perëndimore. 

Ligji njihte pyjet dhe kullotat private dhe u njihte pronarëve të drejtën e zotërimit dhe përfitimit. Njiheshin tre kategori të pronësisë mbi pyjet: (i) private; (ii) komunale (një njësi administrative e përbërë nga disa fshatra); dhe (iii) shtetërore. Pronësia mbi tokën njihej në bazë të dokumenteve zyrtare dhe me kufij të përcaktuar qartë. 

Pyjet private ruheshin nga roje të caktuara nga pronari apo nga roje shtetërore të paguara nga pronari. Askush nuk mund të hyjë në pyllin privat pa leje; leje kërkohet edhe për grumbullimin e degëve, lëgushës apo dheut, apo për të kullotur bagëtitë. 

Krasitja, prerja e filizave dhe heqja e lëvores së drurëve për ushqim për bagëtinë ishte e ndaluar. Krasitja e dushqeve dhe drurëve të tjerë të vjetër të shpërndarë nëpër kullotë lejohej vetëm me lejen e Shërbimit Pyjor. 

Lejohej grumbullimi i prodhimeve të dyta pyjore, edhe pse për këto lloj aktivitetesh kërkohej leje e veçantë. 

Kullotja e kafshëve jashtë zonave të autorizuara ishte e ndaluar. 

Kullotja në pyjet e shfrytëzuar ndalohej për 10 vjet, për të siguruar ripërtëritjen e tyre.

Ishte detyra e fshatit të merrte masa për shuarjen e zjarrit në pyje, përfshirë edhe zonat private, dhe të rriste dendësinë e pyjeve të degraduara duke mbjellë fidanë të rinj. 

Ligji përcaktonte kritere teknike për prerjen e drurëve të moçëm, ripërtëritjen dhe mirëmbajtjen e pyjeve. 

Sasia e lëndës drusore që duhej prerë dhe vendi për grumbullimin e druve të zjarrit dhe prodhimit të qymyrit duhet të caktohej nga një pylltar. 

Një taksë prej 7% mbi çmimin e tregut aplikohej për drurët e prerë në pyjet private. 

Lënda drusore e përdorur për ndërtimin e shtëpisë përjashtohej nga taksat. 

Kur nga pyjet privatë nxirreshin dru zjarri me shumicë dhe përdoreshin nga industria, kjo industri duhet të paguante një taksë pylli, që përcaktohej nga bashkia. 

Fshatarët që tregtonin dru zjarri apo qymyr për nevoja familjare lejoheshin të përgatisnin 5,000- 10,000 kg qymyr pa tender. 

Taksat nga prodhimet drusore dhe jo-drusore të prodhuara nga pyjet privatë i paguheshin shtetit përpara nxjerrjes nga pylli. 

Kishte udhëzime për kontrollin dhe matjen e lëndës së shfrytëzuar si dhe për transportimin e saj. 

Nëse dikush priste drurë pa leje në një pyll privat, ai ishte i detyruar ta ripyllëzonte atë, përveç pagesës së gjobave. 

Gjithashtu, kishte gjoba dhe dënime për ndezjen e zjarreve, kullotjen dhe dëmtimet e tjera të pyjeve.

Ky ligj, mbeti në fuqi dei në vitin 1961 duke shërbyer në tre sisteme të ndryshme politike dhe është ligji më jetëgjatë në fushën e pyjeve. Ligji më i fundit për pyjet është ai i vitit 2020.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *