Nga Hysamedin Feraj
Si kontributi i veçantë i z. Gabriel Escobar në rajonin tonë do të kujtohet ai për kthimin në potent të konflikteve latent?!
Ai nxiti etnitë të krijojnë asociacione etnike në Kosovë, në Serbi, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe kudo ku janë.
Sipas tij, kjo ëshë zgjidhja që mbështetet aktualisht nga SHBA, si rruga e duhur për normalizimin e situatës dhe arritjen e stabilitetit e të paqes në rajon.
Ai u dha gjuhën dhe frazën për to: derisa bashkimet e tillë janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, çka ka më së paku gjasë, atëhere aq më shumë dhe me po atë interpretim (arbitrar) ato janë: 1) në përputhje me kushtetutën e të gjithë shteteve të tjerë, 2) nuk kanë kompetenca ekzekutive (!) dhe 3) nuk kanë ngjashmëri me Republikën Serbe në BeH (!).
U dha gjuhën dhe frazën legjitimuese: mjafton që një grup etnik/nacional të ndjehet i pasigurt, ose thjeshtë të deklarohet se ndjehet i pasigurt në shtetin ku bën pjesë, dhe pa asnjë shqyrtim tjetër, e ka të drejtën e vetëqeverisjes duke krijuar qeverinë e bashkuar të komunave ku janë shumicë.
Bashkësitë e komunave, gjegjësisht qeveritë e tyre, do të vendosin për shëndetësinë, kurrikulat e arsimimit, energjinë, etj., etj., dhe qeveritë e shteteve përkatëse do të ruajnë vetëm të drejtën e zbatimit të atyre vendimeve.
Shqiptarët brenda Serbisë kanë shumë më tepë arsye të ndjehen të pasigurt e të kërcënuar për ekzistencën e vet sesa serbët në Kosovë, sepse Serbia, si shtet, ka kryer disa gjenocide ndaj tyre ndërsa Kosova asnjë ndaj serbëve. Prandaj të vetmen ngjarje që Vuçiqi përmend si rast pse duhet siguria e serbëve në Kosovë është maji i vitit 2004, e cila nuk ka kurrfarë ngjashmërie me gjenocidin e programuar, shtetëror, serb kundër shqiptarëve. Pra, po të jetë për garanci që të ndjehen të sigurt, ato u duhen dhënë nga Serbia shqiptarëve që, veç tjerash, mund të jenë viktimë e hakmarrjes për humbjen në Kosovë.
Shqiptarët në Serbi jo vetëm ndjehen por janë seriozisht të kërcënuar, sepse dje sapo i kërcënoi me dhunë e forcë vetë kryetari i shtetit serb, A. Vuçiq.
Një analogji e habitshme me Kosovën duket veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, ku disa komuna me shumicë shqiptare nuk kanë vijimësi territoriale por gjenden të shpërndara.
Ndoshta asocacionet e tillë nuk janë zgjidhje për asnjë etni as shtet, por z. Escobar dhe A. Vuçiqi po ngulin këmbë se janë zgjidhje, dhe se janë të detyrueshme kudo që bashkësitë etnike ndjehen të kërcënuara.
Dhe shembujt e mirë duhen përhapur. Apo jo?
Nuk duhet harruar edhe se z. Escobar, pavarësisht se, në dukje, duket i shqetësuar vetëm për etnitetin serb, është i dërguari i SHBA-ve për gjithë rajonin, jo vetëm për Kosovën. Prandaj etnitë e kombet nga gjithë rajoni kanë të drejtë t’ia drejtojnë shqetësimet dhe t’ia bëjnë të njohura kërkesat dhe frikërat e tyre.