Shkruar nga Fatmire Zenelaj Sopa
Publikoi: Agim Morina
Fatmire Zenelaj Sopa, me këtë tregim në vitin 2020 ka fituar vendin e parë në konkursin në nivel zviceran, në kuadër të festivalit të letërsisë “StadtLesen” që mbahet në gjithë hapësirën gjermanishtfolëse.
Kanë kaluar shumë vite, por kujtimet e luftës, torturave, të vrarëve dhe masakrave, ikja dhe vuajtjet janë ende të freskëta në mendjen time. Duket sikur gjithçka ndodhi dje.
Nuk e kuptoja pse duhej të largoheshim nga shtëpia jonë, nga vendi ku lindëm, ishim në shtëpinë tonë, në atdheun tonë, që ishte edhe atdheu i gjyshërve tanë.
Si mund ta harrosh atë ditë të tmerrshme në shkollë, ditën që ndryshoi gjithë jetën time. Isha në klasën e 8-të, mbaroi ora e parë, filluam me orën e dytë, mësuesi i klasës kishte ndërruar temën dhe na tha që sot do të vizatojmë lulet e pranverës, “Vizatoni dhe ngjyrosni pranverën si të doni“ dhe pastaj ne të gjithë do të shkojmë në shtëpi.
Filluam të vizatojmë pranverën plot lule, por nuk arritëm ta përfundonim vizatimin. Papritur, një breshëri plumbash hynë në klasën tonë nga dritarja. Dëgjuam zërin e Mësuesit që bërtiste, “Shtrihuni shpejt, shtrihuni shpejt”, por nuk vonoi shumë dhe zëri i Mësuesit nuk u dëgjua më. Isha shtrirë poshtë tavolinës e kapur për dore me shoqen time Agnesa. Pas disa minutash plumbat pushuan. Të gjithë qanim, disa nga plagët e disa nga frika, por vetëm zëri i shoqes time nuk u dëgjua. E thirra, por ajo pushoi së foluri me mua. “Të lutem zgjohu`, vazhdova ta lutja, por ajo tashmë kishte mbyllur sytë, gjaku i rridhte nga krahu i majtë, ajo mbante fletën e vizatimit në duar dhe lulet e pranverës ishin bërë të kuqe, ajo i kishte ngjyrosur ato me gjakun e saj.
Mësuesi im ishte shtrirë në dysheme, i gjithë trupi i tij ishte i mbuluar me gjak, fëmijët e tjerë ishin të frikësuar, ne duhej të largoheshim. Nuk kisha forcë të ecja dhe të lija shoqën dhe mësuesin tim në dysheme, por mësuesit e tjerë na thanë të shkonim, ata gjithashtu thanë se do t’i marrim të vrarët dhe të plagosurit me vete.
Rruga për në shtëpi zgjatej dhe nuk kishte fund. Mezi arrita në shtëpi, prindërit e mi të frikësuar më prisnin, bombardimet nuk pushonin, të gjithë shkuam në bodrumin e shtëpisë për t’u shpëtuar bombave dhe plumbave, por babai im nuk mundi t’u shpëtonte atyre plumbave.
Ai ishte i plagosur në këmbë, me disa fasha që kishim në shtëpi tentova ta ndaloj gjakderdhjen, por gjakderdhja nuk u ndal, filloi të dobësohej dhe të humbiste forcën, me dhimbje në shpirt, lotët e mi ranë pa dashje në plagën e babait tim dhe ai menjëherë hapi sytë dhe më shikoi mua më ledhatoi flokët dhe më tha mos u shqetëso se unë jam mirë. Pas ra errësira, bombardimet ndaluan. E vetmja shpresë për të mbijetuar ishte ikja në male. I gjithë fshati iku në mal. Mes frikës dhe tmerrit, vetëm hëna shkëlqente, duke i lejuar të plagosurit të fashonin plagët me ndihmën e dritës së saj.
Kisha shumë frikë, nuk kisha frikë nga vdekja, kisha frikë nga torturat që ndodhnin nga ushtarët Serb. Ne u arratisëm në male, pa orientim, të humbur, të frikësuar, të lodhur dhe të uritur. Pas katër ditësh në mal dhe takimit tonë me një mjek, babai im u forcua pak.
Dhjetë muaj ikje, nga fshati në fshat, nga mali në mal. Bombat dhe plumbat ishin bërë pjesë e jetës sonë, por gjëja më e vështirë ishte të ecnim nëpër kufoma dhe të plagosur dhe të mos mund t’i ndihmonim. Kujtime që nuk harrohen. Nuk mund të harroj marsin e vitit 1999 kur u detyruam të largoheshim jo vetëm nga shtëpia, por edhe nga vendi ynë.
Të shkosh në vendin fqinj për gjashtë ditë në malet me borë ishte një luftë për jetë a vdekje, asaj rruge ecnin mijëra njerëz, rruga ishte e rrëshqitshme, në çdo moment mund të binim në një humnerë, trupat na dridheshin nga i ftohti, ne nuk guxuam per asnje moment të ndalemi sepse do të vdisnim nga i ftohti.
Si mund ta harroj momentin kur pranë një shkëmbi pashë një grua të ngrirë për vdekje me foshnjën në krahë, pranë tyre pash poashtu një grua tjetër e moshuar e vdekur mbi një gur. Çdo 20 metra shihnim kufoma, edhe ne ishim bërë si fantazma, ecnim rrugës si hije të vdekura. Na u desh të vazhdonim marshimin për shkak të të ftohtit, nuk i ndjenim gjymtyrët, ishim aq të lodhur sa nuk donim të jetonim më.
Ishte ora 7 e mëngjesit dhe befas u sulmua grupi ynë prej ushtarëve Serb, ishim mbi 200 veta, tani vdekja ishte para syve tanë, na qeshnin dhe na shanin me fjalët më të pista. Ata nuk patën fare mëshirë për ne dhe na godisnin me sa forcë qe kishin, njëri nga ushtarët më goditi me automatik në shpatull, menjëherë u shtriva në tokë nga dhimbja, nëna ime filloi të bërtiste, babai u përpoq të largonte ushtarët që më goditen, por ai goditi edhe babanë tim, edhe babai im ra në tokë, pothuajse pa ndjenja.
Si mund ta harroj momentin kur në majë të maleve, të ngrira nga të ftohtit, të uritur, të rraskapitur ku edhe gjymtyrët tona nuk i ndjenim më, dhe ushtarët Serb nisën të ndanin burra e gra në dy grupe, një taktikë që tashmë ishte bërë e njohur për ne.
Ne e dinim tashmë se çfarë do të ndodhte, e dinim se çfarë na priste. Burrat i rreshtuan të gjithë në njërën anë, gratë dhe fëmijët në anën tjetër, dhjetëra ushtarë qëndruan para nesh, me automatikë përpara. Ata folën me zë të lartë me njëri-tjetrin – “çfarë të bëjmë tani? T’i vrasim tani apo të presin edhe pak? – Jo, jo, nuk i vrasim, tha tjetri. -së pari do t’ju tregojmë diçka të rëndësishme? – I lidhën duart dhe këmbët të gjithë burrave dhe filluan të qeshin si të çmendur. – Tani do të shihni diçka shumë emocionuese, tha një nga ushtarët, duke iu afruar të rejave. – Tani do të shihni se si bëhet seksi.
Si kafshë të egra filluan të grisnin rrobat e vajzave dhe grave te reja, ato nuk kishin forcë të mjaftueshme për t’u mbrojtur, bërtisnin me të gjitha forcat jo, jo, jooo. zëri i tyre depërtoi thellë në malet e larta, fati i tyre ishte i tmerrshëm, po aq i tmerrshëm ishte për ne që nuk kishim forcë t’i ndihmonim. Trupat e tyre rridhnin gjak nga thonjtë e kriminelëve, ato u përdhunuan pamëshirshëm para prindërve, vëllezërve dhe fëmijëve të tyre.
Ushtarët ndaluan përdhunimin e grave pasi u dëgjuan disa të shtëna automatike, por kriminelët i kthyen menjëherë armët në drejtim të burrave dhe i qëlluan të gjithe, më pas u larguan.
Vdekja ishte shpëtimi i tyre, ndërsa 20 të reja, me rrobat e grisura dhe të dhunuara, qëndronin mbi dëborën e ftohtë. Ndihma për ne u vonua, burrat i vranë, vdiqën, në mes tyre edhe babai im, ia preka fytyrën, shpresoja se do të zgjohej, por ai nuk më foli, mora një grusht borë dhe fillova t’ia largoi gjakun nga sytë e tij, që ai të mund ti hapte ata por ai nuk i hapi syt me, i zgjidha këmbët dhe duart që ai të mund t’i lëvizte por ishte ende e kotë ai nuk lëvizte, e afrova veshin tim pranë tij duke dëgjuar rrahjet e zemrës, por zemra i kishte pushuar së rrahuri, doja ta përqafoja për herë të fundit por ai nuk lëvizi, nuk lëvizi më, -Babi të lutem zgjohu, vazhdova të bërtas.
Isha e humbur në këtë terror, shpresoja se gjithçka do të ishte një ëndërr dhe se do të zgjohesha nga kjo frikë, por askush nuk më zgjoi, nuk mund të zgjohesh nga realiteti, duhet ta përjetosh dhe ta vuash.
Për disa minuta harruam gratë e përdhunuara për të shpëtuar të vdekurit, dhe papritmas u dëgjuan zërat e tyre, të gjitha të kapura dore për dore, u hodhën nga shkëmbi dhe ranë në humnerë, zërat e tyre jehuan deri në qiell. Gjithçka ndodhi para syve tanë, humba ndjenjat nga tmerri që kisha përjetuar, nuk e di se çfarë ndodhi më pas, di vetëm se na gjetën dhe na shpëtuan një grup ushtarësh nga shteti fqinj. Pas dy ditësh, u zgjova në një tendë që ishte ndërtuar si spital në një kamp refugjatësh. Sapo hapa sytë, pashë mamanë që qëndronte pranë meje, motra dhe vëllai im i vogël ishin afër. I pyeta për babanë, por ata nuk u përgjigjën, përgjigja për mua ishin lotët që u rrodhën nëpër faqe.
Kishim humbur gjithçka kishim, kishim vetëm dhimbjen dhe vuajtjet me vete.
Në kampin e refugjatëve qëndruam dy muaj. Na morën nga organizatat të ndryshme ndërkombëtare dhe na dërguan në Gjermani.
Dua ta harroj luftën, dua të mashtroj veten se e gjitha ishte vetëm një makth, por më kot. Sa herë që mbyll sytë ndjej dorën e shoqes sime në dorë time, dëgjoj zërin e mësuesit dhe nxënësve të tjerë, dëgjoj zërat dhe britmat e vajzave të dhunuara, dëgjoj zërat e foshnjave që qajnë pa pushim, dëgjoj të shtënat që vran edhe babanë tim, ndjej të ftohtin e këtij marsi dhe shpresën se pranvera do të vijë përsëri.