Publikoi: Agim Morina
“Posa u hapën shkollat, ndër të gjitha, pa përjashtim, erdhën me mësue që të këndohej Hymni i atij flamurit të huej: “Ei sllovenski joshte zhivi”, “ço bajrak ne vije”, “zhivi zhivi jugoslovenski” si edhe “Ide druzhe Tito preko Albanie – preko Albanie…” (Un nuk dij as kuptimin e tyne, as se si shkruhen, por kështu m’kan mbetun në vesh qysh n’atê kohë me gjithë meloditë e tyne).
Hymnet tona të flamurit nuk u ndigjojshin mâ.
Kaluen disa ditë. Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vû “trobojnica”. Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpelitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin. Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim. Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan:
“Duam të hipim në këmbanare.”
Portieri më thirri mue, sepse un ditë për ditë u ngjitshem atje nalt për me kurdisë sahatin, të cilin e shifte gjithë Shkodra. Në të vërtetë, për këte detyrë ishte i ngarkuem At Filip Mazreku: ai kishte vendosë së fundit flamurin e vërtetë të shqiptarëve me 27 nandor 1944, por tue kenë se un ishem i rí e i gatshëm, m’i besoi çilsat e kumbonares. Shkova me vrap e gjeta At Filipin e i thashë se te porta kishin ardhë partizanët e dojshin çilsin e kumbonares.
“Ndigjo, – më tha, – un nuk mund i shof me sy; ti e din se këta mâ kanë zhdukë vllanë tem në Tiranë, pa shêj, pa nishan. Né nuk ia dim as vorrin, që të thomi nji uratë e t’i dërgojmë nji lule. Të lutem, shko ti me ta, çilsat i ke. Por ndigjo këtu: mos i len vetëm as për nji ças. Zoti e din se çfarë kurthesh mund të vejnë!”
“Jemi të dërguar nga komanda për ta hequr atë rreckë që valavitet atje lart. Është turp, – thanë ata, – që mu mbi sheshin kryesor të qytetit të valavitet ajo leckë që nuk e ka as yllin partizan!”
“Eh, po nuk kemi tjetër.”
“I kemi prurë neve, të rinj fríngo. Ja flamuri i Jugosllavisë motër, dhe ky me yllin partizan.”
“Dy flamuj? – pyeta un. – Po né kemi nji shtizë të vetme; nuk janë vendosë kurrë dy flamuj!”
“Pse, t’Italisë nuk e vendosët ju?”
“Kurrë.”
“As atë të Vatikanit?”
“Jo, kurrë.”
“E si t’ia bëjmë?”
“Si të doni.”
“Ja që do kthehemi; do të marrim edhe një tjatër shtizë, prandaj na prit këtü e mos ik gjëkundi.”
Kur erdhën së dyti me shtizën tjetër, kërkuen prej meje çilsin e kumbonares. U ngjita bashkë me ta atje nalt, përmbi sahat, ku shpalosej flamuri. U mahnitën tue kqyrë qytetin rreth e rrotull. “Uaaa! Sa bukur!”
Prej aty Shkodrën e kishe në shplakë të dorës. Mbasi u njoftuen me qytetin, atëhere e hoqën shtizën nga ganxha dhe venduen në tê flamurin e rí me hyllin partizan.
M’u rrëqeth i gjithë trupi: ai flamur trim, malok, i rreckosun mbet aty si nji kufomë. Por kur deshtën me çpalosë flamurin jugosllav, nuk gjetën ganxhë.
“Ku ta vendosim shtizën? Këtu nuk ka ganxhë. Dreq o punë! – thanë, mandej pyetën: – A keni pak tel që ta lidhim këtu në parmakë?”
“Jo, nuk kemi. Po kqyri nji herë, po edhe sikur të këtë, këtu teli nuk u qindron stuhive e shtërgatave, se jemi nalt; duhet ganxhë.”
“Dreq o punë, dreq o punë! – thanë. – Ç’na polli! Lipset bërë dhe ganxha. Po si nuk na the që parë?”
“As un nuk e dijshem, nuk u kujtova.”
“Rri këtu, se do të biem një usta.”
Zdrypën e shkuen.
Mbas ndonji ore u kthyen me gjithë nji usta. Ai vendosi edhe dy ganxha tjera. Në anën tjetër të flamurit të Shqipnisë u çpalos flamuri jugosllav. Dy flamuj.”
marrë nga “Rrno vetëm për me tregue”, (botimi i dytë) Tiranë, 2006.