Nga Ermal Mulosmani
Një vit më parë isha rehat. I shmangesha Big Brotherit siç i shmanget një frikacak mujsharit të lagjes. Sapo e shihja ndërroja rrugë, fshihesha. Sapo dikush fliste për të e ndërprisja muhabetin ose largohesha. Kisha veshur një koracë mbrojtëse, një prazmore çeliku që më shpëtoi për gjithë atë sezon, deri në spektaklin final, të cilin e pashë për arsye studimi. Aso kohe edhe shkrova diçka për rreziqet e këtij virusi që po përhapej më keq se covidi mes nesh.
Sivjet e mora diku virusin. Nuk piu ujë as vaksina e as maska. Ai i flamosur më infektoi organizmin dhe gjithë kauza ime propagandistike kundër tij mori fund. Unë po bashkëjetoja me të.
Stërkalat e Luizit, Kiarës, Kristit apo Efit depërtuan brenda meje dhe e gjeta veten duke parë darkave ndodhitë e tyre. Në fillim e pata lehtë. Qeshja me seriozitetin me të cilin e merrnin njerëzia sjelljen e tyre, me histerinë që shpërthente në rrjetet sociale për sjellje krejt të zakonshme, barcaleta demode apo lojëra fjalësh me nënkuptime bajate. Lëre pastaj kur i dëgjoja personazhet duke deklamuar “po luaj fort” ose “mbaje mend, unë do të shkatërroj” apo komentet e dy panelistëve “filanja apo filani është lojtar i fortë”!
Më dukej qesharake.
Ata, sipas meje, kishin shkuar aty për të qenë vetvetja dhe, duke qenë vetvetja, mund të fitonin edhe simpatinë e publikut përmes sjelljeve, fjalorit, informacionit, njohurive, dashurive, tolerancës, batutave, apo edhe intrigave të vogla dhe aleancave që sjell bashkëjetesa për një kohë të gjatë. Ku është loja këtu?!
Isha i bindur sepo të doja e mundja joshjen. Për të provuar se nuk isha i varur, herë pas here shihja ndonjë ndeshje futbolli apo film artistik në kohën kur jepej Big Brotheri.
Deri ditën kur pashë sesi u bë linçimi publik Luizit për shkak të një bisede që ai kishte bërë me Kiarën, aso kohe të palidhur, por të afërt. Ai i tregon Kiarës se vuan nga një sëmundje e rrallë që mjekohet vetëm në disa klinika të botës. Biseda e regjistruar nga kamerat bëhet objekt diskutimi nga autorët e programit dhe, moderatorja, e urdhëron Luizin të bëjë analiza për të verifikuar të vërtetën!!
Sipas ligjit të Komisionerit të të Dhënave personale, të dhënat e shëndetit janë sekret dhe ato nuk mund të bëhen publike. Urdhërimi i Luizit për të kryer analiza “live” dhe më tej publikimi i atyre të dhënave ishte një dhunim i pashembullt institucional publik. Ajo ishte vrasje “live” e së drejtës për privatësi. Maksimumi që mund të bënte produksioni në një rast të tillë ishte të kërkonte privatisht -e theksoj këtë-, bashkëpunimin e Luizit për të kryer analiza sepse nuk donte të rrezikohej jeta e tij. Ose të largonte banorin nga jetesa në shtëpi për shkak të rrezikshmërisë së shëndetit të tij.
Por jo. Audienca, kërkonte analiza “live”, demaskim të gënjeshtarit dhe linçim publik nga analistët! Ishte një dhunim i privatësisë së sekretit shëndetësor në shërbim të interesave meskine të një emisioni televiziv. Demaskimi publik nga panelistët e ftuar ishte edhe më keq se aq! Ata e cilësuan Luizin një gënjeshtar morbid dhe e sulmuan deri në linçim për gënjeshtrën e tij.
Në fakt ndoshta nuk ishte gënjeshtër. Unë vetë, disa herë deri sot, i kam thënë i bindur gruas sime se kam kancer dhe ditët e mia janë të numëruara…Pastaj bëja analizat që tregonin të kundërtën dhe të dy gëzonim. Ku është gënjeshtra këtu?! Ajo bisedë është një fiksim i frikshëm, ndoshta i pasaktë, i Luizit që vendos ta ndajë me vajzën që dashuron! Çfarë krimi ka këtu?
Prej kësaj ngjarjeje fillova ta shoh me më shumë vëmendje. Ato ditë kisha një simpati për banorin e linçuar. Më dukej viktimë e një produksioni barbar, të pashpirt. Fillova të ndjek ngapak edhe lajmet për të dhe ecurinë e dashurisë së tij me Kiarën.
Këtu më duket e hëngra virusin dhe nuk po rezistoja dot!
Fyerjet banale e fjalori bulist ishte kryefjalë e debateve. Derisa erdhi edhe sjellja skandaloze e Kejvinës. Në fakt ajo sjellje u imponua nga ngacmimet dinake, diabolike të Luizit, nga gjuha e dykuptimtë e banalitetit të tij, por sjellja e Kejvinës e çoi ujin në mullirin e tij.
Produksioni vendosi të përjashtojë Kejvinën, Luizi ishte sërish viktima. Simpatia që kisha deri atë ditë për të dhe sidomos sjellja ekstreme e Kejvinës më bëri të harroj provokimin vulgar të tij.
Pak më vonë, duke ndjekur ecurinë e dashurisë së tij me Kiarën (për Kiarën kisha një simpati pasi më dukej më e sinqerta në atë ambient) pashë një rritje të agresivitetit të tij verbal. Gjithë deklamimi patetik për dashurinë e tij ndaj Kiarës bëhej pluhur kur deklaronte “Këtë lojë dua ta fitoj unë dhe për këtë unë nuk kursej as Kiarën”.
Nuk po i besoja veshëve. Ku e pengonte Kiara Luizin? Ajo ishte kaq korrekte në sjellje dhe vetëm sa e amortizonte atmosferën e nderë pas sjelljeve të papërshtatshme të të dashurit të saj. Ajo ndjehej e zënë në grackën e dashurisë, situate ishte përmbysur.
Gradualisht erdhëm në rastin skandaloz të bllokimit fizik të Kiarës me sebepin e Kiarës. Një dhunë e pabesueshme, psikologjike dhe fizike, e shoqëruar me lutje për lirim nga e dashura por që sfidohej me stoicizëm sadist nga “i dashuri”.
Në emër të lojës, sigurisht.
Po cilës lojë more sadist! A mund të jesh ti i dashur i një vajze? Po çfarë kostoje do kishte Luizi nga ajo lojë që ia vlente këtë sakrificë? Po cila lojë vlen më shumë se loti i së dashurës?!! Po Kiara nuk ka të drejtë të luajë? Ku është e drejta e saj për të fituar një lojë? Cilat janë limitet që produksioni u ka caktuar banorëve? Çfarë bënte “Vëllai i Madh” atë moment që nuk ndërhynte? Pse nuk urdhëronte Luizin t’i hapte rrugën Kiarës por e linte vajzën të terrorizohej?!
Kjo indiferencë e skajshme më kujtoi eksperimentin e Migramit në vitin 1961.
Eksperimenti i Milgramit
Ky eksperiment u zhvillua në vitin 1961, në të njëjtën kohë kur në Izrael po zhvillohej gjyqi ndaj Adolf Aihmanit, ideatorit të Holokaustit.
Milgram zgjodhi për eksperimentin e tij 40 njerëz krejt të rastësishëm, të moshës 20-50 vjeç, të profesioneve nga më të ndryshmet, përmes një lajmërimi në gazetë dhe u tha që do të bënte një studim rreth të mësuarit në Universitetin e Yelit.
Vullnetarët që morën pjesë në studim ishin kryesisht banorë të New Havenit ndërsa studentët ishin nga Universiteti i Yellit. Sipas eksperimentit, studentët do të uleshin në karrike elektrike dhe do të lidheshin me elektroda në të cilat do të shkarkohej energji elektrike nga vullnetarët. Këta do gjendeshin disa dhoma më tutje dhe do shihnin reagimin e studentëve përmes dritareve. Urdhrat për goditjet me elektroshok do t’i jepte vetë Milgram. Ato jepeshin sa herë nxënësi bënte ndonjë gabim duke rritur nivelin e goditjes pas çdo gabimi…
Njerëzit e lidhur me elektroshokun (studentët) u instruktuan që të jepnin sa më shumë përgjigje të gabuara dhe të shtireshin sikur kishin dhimbje të mëdha, të aktronin. Vullnetarët torturues ishin të bindur se po torturonin me elektroshok studentët, ata panë pamje të tmerrshme. Njerëz që ata as nuk i njihnin dhe ndaj të cilëve nuk kishin asnjë pakënaqësi, po vuanin shumë- duke goditur xhamin e duke u ankuar për dhembje zemre.
Pavarësisht kësaj, shumica e pjesëmarrësve ndoqën instruksionet e Milgramit dhe vijuan të ushtronin (ata mendonin se po ushtronin) më shumë goditje elektrike derisa viktimat u duk sikur po vdisnin.
Edhe ata që nuk vijuan të gjithë rrugën deri te “vrasja” e qenies tjetër njerëzore, u larguan nga eksperimenti pa e vrarë mendjen për të pyetur se si ishin nga gjendja shëndetësore pjesëmarrësit e tjerë. Milgram kuptoi se njerëzit janë veçanërisht pranues ndaj rregullave të reja në kushte të reja. Në mënyrë surprizuese ata janë të gatshëm t’i bëjnë keq dhe të vrasin të tjerët në shërbim të ndonjë qëllimi të ri, nëse një figurë autoritare i instrukton të veprojnë.
“Pashë kaq shumë shumë bindje do të thoshte Milgram sa që nuk e pashë nevojë të bëja eksperimentin në Gjermani”.
Ky eksperiment është cituar me dhjetëra herë qysh atëherë si shembulli më domethënës i indiferencës së shikuesve, publikut ndaj dhunës së Autoritetit. Ata madje, nuk janë vetëm soditës por edhe pjesëmarrës në këtë dhunë. Për fajin e ushtruesve të dhunës (vullnetarëve) përgjegjësia kryesore është e Autoritetit (urdhërdhënësit). Natyra njerëzore ka treguar se nënshtrimi ndaj vullnetit të Autoritetit është i paarsyeshëm.
Kështu vijmë edhe një herë të Bigu ynë. Dhuna verbale dhe fizike e nxitur nga Autoriteti përmes mosndërhyrjes (Vëllai i Madh) po gjen gjithnjë e më shumë aprovim e madje përforcim nga “vullnetarët” tanë (banorët)!
“Vëllai i madh” nuk e gjeti të arsyeshme të mbronte Kiarën sepse donte të çonte lojën në ekstreme, të rriste audiencën, suspansën, zarfet, polemikat! Ai e gjeti fajin te Luizi, aspak te vetja. Madje, drejtuesja, disa herë thoshte: “PO deri ku shkon loja o Luiz, deri ku, a ke limite ti”?
Por faji i vërtetë është vetëm te Produksioni ose siç e quajnë ata “vëllai i madh”. Ata caktojnë rregullat, limitet dhe përdorin ndëshkimet. Ata kanë një liçensë publike dhe veprojnë sipas përcaktimieve të ligjit për televizionet. Ata duhet të garantojnë publikun për kufizimin e dhunës. Ata janë arbitri që ndjek “lojën” nga lart dhe jep urdhra, paralajmërime, ndëshkime.
Ndërkohë që po e shkruaja këto fjalë marr vesh se tri gra kanë vdekur nga dhuna e një burri. E gjitha mu zvogëlua por meqë e shkrova po e bëj enter.
E tmerrshme!