Faik Konica, 15 Mars 1875-15 Dhjetor 1942
Shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, njëri ndër personalitet më në zë të kulturës, letërsisë, e jetës politike shqiptare, një intelektual i dimensioneve europiane.
Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë. Mësimet e para i mori në vendlindje. Vijoi shkollimin në Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës, më pas liceun perandorak francez të Stambollit.
Pasi kreu shkollën e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A, ku mori gradën “Master of Arts”.
Me 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”.
Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themelojnë gazetën Dielli, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Me 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”.
Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.
Faik Konica shënoi në letërsinë shqipe një kthesë të rëndësishme.
Me veprën e tij letrare e sidomos me shkrimet kritike, letërsia shqipe kaloi nga patosi afirmativ romantik, në patosin satirik të kritikës ndaj mendësive të vjetra. Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime. Faik Konica mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës sonë moderne.
Vdiq në Uashington më 15 Dhjetor 1942, duke lënë si amanet që të varrosej në mëmëdhe, por amaneti i tij u realizua vetëm në vitin 1995. Eshtrat e tij prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë. Faik Konica është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Referenc: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”
Për t’u kujtuar nga Konica:
– Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij.
– Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vendit tonë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mendore të tyre.
– Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete “të ndriçojnë opinionin publik”, as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetja.
– Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre.
– Shqiptarët, në çdo hap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe jo nga mendime thelbësore – shqiptarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim.
– Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij si kufirin e botës.
– Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime.
– Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit.