Bekim Fehmiu është ai që emrin e shqiptarit e lartësoi në një eter me atë të vendeve me traditë dhe kontribute dominuese në historinë e kinematografinë botërore.
Kinemaja botërore do të ishte e mangët pa “Odiseun” e Bekim Fehmiut. Fillimisht ishin aventurat e tij të jashtëzakonshme në përballje me ciklobin, circet, perënditë dhe armiqtë e vendit të tij, pastaj fakti që atij i duhej të luftonte vazhdimisht dhe të stërmundohej për t’u kthyer në atdheun e robëruar.
Adhurimi për heroin shoqëronte sekuencat e filmit, seri pas serie dhe krenaria bëhej më e plotë kur në titra lexohej emri i tij: Bekim Fehmiu. Pra ai, heroi i kohërave homerike, ishte shqiptar, edhe pse në film fliste italisht.
Ishte koha kur për shkak të një bllokade totale dhe të hekurt sa i përket informimit dhe teknologjisë, fytyra e Fehmiut vetëm se imagjinohej nga shqiptarët e Shqipërisë. Por, ai e theu këtë bllokadë në vitin 1972, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, disa vite pasi kishte interpretuar filmin “Odisea”, film që i dha famë ndërkombëtare. Ndërsa udhëtimi i dytë dhe i fundit ishte në vitin 2001.
Ai u shfaq kur rreth nesh ekzistonte një perde e hekurt dhe talenti i tij prej artisti e njeriu afirmoi qenien tonë kombëtare, pa marrë parasysh se në filmin shqiptar mungoi prania e tij. “Me sa duket fati im ka qenë që çdo 30-31 vjet të jem në Shqipëri. Për herë të parë kam qenë në vitin 1939 së bashku me familjen time dhe pas 10 vjetëve më 1949 jam kthyer në shtëpinë time në Kosovë. Në vitin 1972 kam qenë i ftuar nga Pirro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti si mysafir në Kinostudion “Shqipëria e re”.
Rrugëtimi i tij jetësor lidhet mes Sarajevës, Shkodrës, Prizrenit, Prishtinës dhe Beogradit. Fehmiu gjatë karrierës së tij ka luajtur 40 filma të metrazhit të gjatë si në kinematografinë jugosllave, edhe atë europiane, duke arritur madje edhe në Hollywood. Ka bashkëpunuar ngushtë me emrat e njohur të filmit, si: John Houston, Ava Gardner, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale, Candice Bergen. Në vitin 1987 Fehmiu në shenje proteste kundër propagandës antishqiptare dhe përhapjes së urrejtjes ndaj shqiptarëve, braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin.
Aktrimi
“Nuk kam shkuar të bëhem aktor që të bëhem i famshëm, që të më doni ju vashat e bukura, por kam shkuar me një mision: që ta pasuroj njeriun, në pikëpamje mendore dhe ta begatoj në pikëpamje shpirtërore. Arti është iluzion. Të më kishte thënë Mate Millosheviq, profesori im i aktrimit në Beograd, në orën e parë të aktrimit, që arti është iluzion, që nuk është asgjë, atë moment do ta kisha ndërruar, do të isha bërë stomatolog”.
“Kam dashur që me punën time të nderoj njerëzit. Për mua aktrimi i dikurshëm ishte një mision i bekuar. Arti ka qenë mesazhi që unë kam sjellë”, pohonte vetë aktori duke shpjeguar angazhimin dhe lidhjen e tij me aktrimin.
Siç e ka vlerësuar shkrimtari dhe producenti i njohur italian, Françesko Scadarmaglia, Bekim Fehmiu ka qenë aktori i vetëm i hapësirës së vendeve ish socialiste, i cili me sukses ka luajtur më shumë se 20 vite në perëndim, duke e thyer perden e hekurt, deri te shfaqja e M.Gorbatchov-it dhe rënia e murit të Berlinit.
“Mbledhësit e puplave”
Është filmi që e bëri të famshëm. Film është xhiruar në vitin 1967, i bazuar në stilin e jetesës së romëve në veri të Vojvodinës. Rrëfimi përfshin tema komplekse si dashuria, raportet ndëretnike dhe sociale. Mbledhësit e puplave konsiderohet si kryevepër e kinematografisë jugosllave, kurse aktrimi i Fehmiut është cilësuar brilant.
Filmi ka qenë i nominuar për Çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë të huaj, ndërsa ka fituar Çmimin Special të Jurisë në Festivalin e Cannes.
Gjuha e Penelopës dhe Uliksit
I rikthehemi shpesh filmit (Odisea – 1968) të regjisorit Dino de Laurentis, realizuar nga Rai uno, ku Bekim Fehmiu luan rolin kryesor, atë të Uliksit. Ngjan sikur ky rol është bërë pikërisht për të. Ai është mahnitës në krah të partneres Irene Papas në rolin e Penelopës. Ky projekt filmor ndër më grandiozët e kohës është shfaqur e rixhiruar disa herë gati në të gjitha TV-të botërore.
Ndër mbresat e qëndrueshme të këtij filmi, merr vlerë të veçantë rrëfimi i aktorit për ditët e xhirimeve, kur ai kishte zbuluar origjinë e vërtetë të aktores greke Irene Papas. Se Irene ishte vërtet arvanitase, ai e kishte zbuluar gjatë pauzave të xhirimit, kur të dy aktorët ishin tërhequr anash, kishin pëshpëritur diçka në një gjuhë që ekipin e serialit e bënte më kureshtar: ç’gjuhë flitnin Penelopa dhe Uliksi? Më vonë mjetet e informimit kishin zbuluar se rolet kryesore në “Uliksin” i interpretonin dy aktorë me origjinë shqiptare. Ndoshta ata interpretonin një episod nga lashtësia e tyre.
Kjo ishte befasi e dorës së parë. Producenti Dino de Laurentis në shtypin italian e kishte reklamuar Fehmiun si aktor me origjinë greke. Bekimi, ndaj shtrembërimit të pahijshëm të origjinës së tij, kishte kërkuar përgënjeshtrim, përndryshe ai do të braktiste xhirimin.
Kishte ndodhur kjo edhe në shtypin spanjoll, ku aktori ynë ishte prezantuar si jugosllav i amerikanizuar, pastaj ishte korrigjuar, se Bekimi është një shqiptar nga Kosova (Jugosllavia). Kishte pasur edhe kërcënime nga bashkëproducenti i njohur amerikan Louis Gilbert, se nëse Bekim Fehmiu nuk pranon të ndërronte emrin dhe origjinën, “Paramaunti” mund të ndërronte aktorin. Por që Bekim Fehmiu nuk e ndërroi emrin e tij.
“Aventurierët”
E njëjta histori përsëritet pothuajse në të gjitha filmat e tij. “Nuk ka qenë aspak e lehtë të ruash emrin, tregonte Bekim Fehmiu. Ju duhet ta dini se jam i pari shtetas nga të gjitha shtetet lindore, komuniste, që nuk kam pranuar ta ndërroj emrin tim shqiptar. Kam qenë në Romë për xhirimet e filmit “Aventurierët”, pas pesë javësh xhirimi, më thërrasin dhe më urdhërojnë të ndërroj emrin. -Jo-u them prerë. -Ky është emri im dhe unë vetëm me këtë emër do të punoj, nëse nuk pranoni ju, unë e prish kontratën e filmit me ju…”
“Atëherë pata ndërhyrje e presione nga me të ndryshmet, pasi u shkaktoja shumë dëme financiare po të largohesha nga xhirimi, sepse ishim në mes të filmit dhe ai duhet të përfundonte sa më parë. Kështu ata u detyruan të më imponohen me emrin tim shqiptar”.
Polemika
Bekimi Fehmiu është një artist i formatit të madh, një talent që kishte bërë inferior tërë një popull megaloman e idhnak, i cili në mënyrën e vet ushtronte dhunën ndaj të tjerëve që dëshmonin me vlera e guxim qytetari, por edhe njeriun dinjitoz, që nuk gjunjëzohej para të papriturave. Bekimi besonte në të ardhmen se në vete kultivonte një filozofi: patjetër duhet ngadhënjyer. Etikë kjo e njerëzve, që kanë besim në rrugën e vet edhe pse në atë udhë mund të jenë vetmitarë. Bekim Fehmiu në të gjithë hapësirën ballkanase është gati në përmasat e një miti.
Prej vitesh ishte shkëputur nga aktrimi dhe për të shpjeguar largimin e tij, në kohën kur suksesi i tij ishte ndërkombëtarizuar, vjen në ndihmë intervista e fundit dhënë për mediat në vitin 1987. Aty shpjegon gjithçka: “Intervistën e fundit, atë të lamtumirës, e kam dhënë më 14 prill 1987 për gazetën serbe “Politika”, kur braktisa shfaqjen “Madame Kolontine”.
Shkaqet për këtë vendim nuk kishin të bënin me të ashtuquajturin “mosorganizim” të shfajes, por arsyeja e vërtetë kishte të bënte vetëm me zgjerimin e propagandës dhe shtrirjen e urrejtjes antishqiptare, kudo në ish-Jugosllavi”, do të komentonte aktori. Ky largim ishte reagimi i aktorit, është edhe ngadhënjimi i tij.
Fakti që kishte zgjedhur të jetonte në Beograd shpesh e kishte vënë aktorin në shënjestrën nacionaliste të qarqeve të Kosovës. E gjykonin për këtë, ndonjëherë ia hanin edhe hakun. Thonin se nuk ishte reagues, se nuk kishte bërë asgjë për vendin e tij, por ai kishte zgjedhur formën e tij të reagimit: atë të largimit nga aktrimi.
“Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodh, as babanë, as vëllezërít, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen”, – shprehet ai.
Gjërat e mira të shqiptarëve, serbët nuk i kanë pranuar, ashtu si dhe shqiptarët nuk kanë marrë atë që serbët kishin pozitive. Fëmijëve të mi u kam treguar të vërtetën, duke i lënë të lirë të zgjedhin mënyrën si të jetojnë, ashtu siç kam bërë dhe vetë. I respektoj zgjedhjet e fëmijëve ashtu si nëna ime, Dija, ka respektuar zgjedhjet tona”.
Dashuria
Ndërsa në udhëtimin e tij të parë në Shqipëri, Bekim Fehmiu erdhi vetëm, megjithëse prej vitesh ishte martuar me aktoren serbe, ish-shoqen e shkollës, Branka Petriç, në udhëtimin e dytë tij në vitin 2001, ai shoqërohej nga gruaja e tij. Përkatësia e saj etnike tashmë ishte një problem i tejkaluar. Ndërsa kanë shëtitur për pak ditë Shqipërinë, nuk kanë munguar kontaktet me mediat, për të cilat, krahas aktorit shqiptar, është prononcuar edhe bashkëshortja e tij.
Një nga momentet interesante të këtij rrëfimi, lidhet me njohjen, dashurinë dhe martesën e tyre. “Ne jemi të dy në të njëjtin profesion, kujtonte Branka, studiuam të dy njëkohësisht dhe u përgatitëm të dy për teatrin, filmin dhe televizionin. Nuk është e lehtë të kuptosh problemet e aktorit, por ne e kemi kuptuar mjaft mirë njëri- tjetrin. Unë do të thoja se për një kohë të gjatë ne kemi qenë shokë në Akademinë e Arteve në Beograd, ku edhe jemi njohur, pastaj u bëmë miq, por ende nuk kishim rënë në dashuri. Kur jemi njohur, më kanë prezantuar për të luajtur së bashku”.
“Mësova që ai ishte kolegu im dhe njëkohësisht partneri im në rolin që do të interpretonim. Kështu filluam karrierën artistike së bashku për pesë vjet, thjesht si kolege dhe miq, nga viti 1963 dhe në vitin 1968 u martuam. Do të përmendja vitin 1967 kur ne ishim në festivalin e Kanës në Francë, ku u luajt filmi “Cigani i lumtur” nga zoti Sasha Petroviç.
Ai film pati sukses dhe Bekimi u duartrokit shumë veçanërisht në momentin kur në rolin e tij të ciganit, gjakos duart me copat e xhamit. Të gjithë e duartrokitën këtë film, të interpretuar bukur në gjuhën frënge. Pas suksesit të filmit ne i shfaqëm dashurinë njëri- tjetrit dhe vendosëm që dashurinë tonë ta kurorëzonim në martesë. Mbas Festivalit të Kanës ai luajti Uliksin në filmin “Aventurat e Uliksit”, që pati një sukses të madh, por të gjitha filmat e tij kanë qenë në gjuhë të huaj. Ndaj u gëzova shumë kur e pashë Bekimin krenar të recitonte në sallën e Pallatit të Kongreseve në gjuhën shqipe, që ai e do kaq shumë”.
Në vitin 2001, i ftuar në spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë”, ai recitoi në gjuhën shqipe duke ngritur peshë publikun në Pallatin e Kongreseve.
Vitet e fundit
Ai jetonte në Serbi, por e kishte bërë zakon viteve të fundit që katër muajt e verës t’i kalonte në Prishtinë dhe shpesh kafenë e pinte në foajenë e Kino ABC. Takonte miq të fëmijërisë, të afërm, artistë, çmallej teksa fliste me ta, ashtu i thjeshtë, deri në madhështi. Mëngjeseve vraponte dhe ky aktivitet sportiv ishte kthyer në një pasion të qëndrueshëm, krahas të shkruarit që e bënte me shumë dëshirë. E kishte dhënë provën e parë në vitin 2001 me librin autobiografik “Shkëlqim dhe frikë”.
Në libër përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës. Pak kohë më parë kishte përfunduar edhe pjesën e dytë të dorëshkrimit të librit, shkruar në serbisht dhe që kap periudhën prej vitit 1956 e deri sa ishte gjallë. Në libër shpaloset një jetë e begatshme filmi: rrëfime për udhëtimet e njerëzit që kishte takuar, logjikë e fortë dhe krenari kombëtare. Xhirimi i filmave, ku e kishin shpënë atë, i kishin mundësuar të mos e shikonte jetën vetëm nga çatia shqiptare. Bekim Fehmiu ndërroi jetë më 15 qershor 2010.
Burimi: Hejza