Në këtë periudhë, vitet e kaluara, agjensitë e huaja që sjellin turistët nordikë në Shqipëri ishin të zëna me inspektime të hollësishme të strukturave akomoduese ku do të qëndronin turistët e tyre. Këtë vit, në zonën e Golemit ku përqendrohet kryesisht turizmi i organizuar, agjencitë në fjalë nuk kanë bërë asnjë monitorim.
Parimisht mes tyre dhe operatorëve shqiptarë është rënë dakord paraprakisht se do të sjellin turistë sipas shitjes së paketave që do të bëjnë dhe do të paguajnë për aq turistë sa do të sjellin. Më herët, ato rezervonin kapacitete sipas një parashikimi paraprak dhe i parapaguanin këto.
“Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me tregun nordik. Nuk kanë ardhur për vizita rutinë siç ndodhte zakonisht, pasi marrëdhënia nuk është si më parë. Gjithsesi kemi një marrëdhënie besimi, pasi kemi bashkëpunuar për disa vite. Marrëveshja me ta është ‘allotment’, do të na paguajnë aq sa turistë do të sjellin. Edhe pse garancia është diçka më e mirë, ne jemi të kënaqur që ata të vijojnë të jenë në tregun shqiptar si turistë, pasi ka tjetër vlerë për imazhin e Shqipërisë”, – tha Fatos Çerenishti, administrator i FAFA Group, një nga strukturat me kapacitetin më të madh akomodues në vend.
Tregjet që po vijnë të organizuar janë në rritje, kryesojnë polakët
Teksa la pas vitin më të mirë historik në turizëm, Shqipëria duket se ka arritur të mbajë ritmin edhe në muajt e parë të këtij viti, duke qenë një destinacion i pëlqyer.
Shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve tregojnë se hyrjet e të huajve u rritën me 54% vetëm në shkurt në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janari shënoi gjithashtu rritje dyshifrore.
Këto shifra mbështeten nga operatorët turistikë, të cilët nënvizojnë se është rritur numri i grupeve që zgjedhin vendin tonë për turet kulturore por që kanë rritur rezervimet e tyre edhe tek turizmi i rërës dhe detit.
Tregjet interesante që nuk kanë munguar më herët, por po konsolidohen tani, janë Spanja, Franca, Italia.
“Tregje me interes janë gjithashtu ai francez dhe italian që kanë nisur të operojnë me ture kulturore gjatë vitit, ndërsa nga mesi i qershorit deri në mes të shtatorit, këto grupe kanë shfaqur interes edhe për pushimet e detit.
Kjo shihet edhe nga përshtypjet që merren nga operimi i linjës së trageteve, që parashikohet të nxjerrin një program të ri për ta përshtatur me sezonin turistik”, thotë Arben Çipa, administrator i Sipa Tours.
Tregjet e pranishme prej vitesh në turizëm, ku kryesore është Polonia, këtë verë kanë rritur numrin e kontratave.
Operatorët turistikë raportojnë se polakët e parë mbërrijnë me charter në javën e tretë të majit. Agjencitë polake janë të kënaqura me çmimet dhe bashkëpunimin me palën shqiptare dhe kjo është arsyeja që kërkesa vijon të mbetet e lartë.
Të qenët një destinacion i lirë është arsyeja kryesore pse ky treg zgjedh Shqipërinë. Turqia, dikur e parapëlqyer, ka rritur çmimet me 20-60%, duke u bërë destinacion më pak të tërheqës. Polakët kanë rritur kërkesën për rezervime në sezonin e ri veror.
A do të mundet dot Shqipëria të përballojë rritjen e turizmit
Ndryshe nga tre vitet e fundit, ku për shkak të pandemisë së COVID-19, pasoja që solli ajo më pas dhe fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, viti 2023 duket ndoshta më optimisti dhe premtuesi deri më tani, por përpara mbetet një rrugë e gjatë.
Sfida më e madhe e këtij sezoni për operatorët turistikë është ofrimi i një shërbimi cilësor, i cili është nën presionin e mungesës së stafeve dhe sidomos atyre të kualifikuar, që mund të marrë një vlerësim negativ.
“Pjesa më delikate në sektor mendoj se është stafi. Në shërbimin që ne ofrojmë zëri më i rëndësishëm apo që bën diferencën është pikërisht ai. Duke e ditur sa e ndjeshme është kjo pjesë, jam përpjekur të ruaj bërthamën që qëndron gjatë gjithë vitit, e cila mban peshën kryesore.
Sivjet realisht mendoj se do të ndiejmë vërtet mungesë stafi. Kemi nisur negociatat me shkollat profesionale dhe po përpiqemi të marrin dhe staf shtesë për pikun e sezonit.
Por në dallim nga vitet e tjera, numri i atyre që na kanë dhënë përgjigje pozitive për rikthim është më i ulët”, – nënvizon z. Çerenishti.
Zak Topuzi, njohës i mirë i tregut, vlerëson se shifrat pozitive të turizmit duhet të na gëzojnë në njërën anë, por duhet të shërbejnë edhe si kambanë alarmi për mobilizimin e të gjithëve, në anën tjetër.
“Parashikohet një vit i suksesshëm për industrinë turistike në shkallë vendi, një trend që po vihet re pas normalizimit të situatës nga COVID-19 në gjithë botën.
Booking.com konfirmon trefishim të rezervimeve për Shqipërinë, në periudhën qershor-gusht 2023.
Ky është një lajm i mirë, por njëkohësisht kambanë alarmi për mobilizimin jo vetëm të strukturave të shërbimit, por dhe Pushtetit Qendror e atij Lokal”, – thotë ai.
Mungesa e stafit të kualifikuar shihet si rrezik për bumerang për Shqipërinë, e cila duhet pranuar se po përjeton një nga momentet më të mira historike në sektor.
“Jam i sigurt se do të kemi probleme këtë sezon me fuqinë punëtore në sektorin e turizmit. Do të kemi probleme me cilësinë e shërbimit sepse përveçse një numri më të ulët fuqie punëtore, edhe punonjësit që janë, nuk ka përvojën e duhur.
Kjo do të ndodhë në një kohë kur numri i turistëve do të rritet. Shtohet puna, mungon stafi dhe ata që janë të disponueshëm, s’kanë përvojë. Të tre këta faktorë rrezikojnë të sjellin komente jopozitive”, – thekson z. Çipa.
Rritja e numrit të turistëve kërkon shtim të kapaciteteve
Rritja e turizmit kërkon shtimin e kapaciteteve akomoduese në struktura me tipologji të ndryshme, përfshirë resortet që mungojnë.
Në total, sipas shifrave zyrtare, Shqipëria kishte 98 mijë shtretër në fund të vitit 2021 (publikimi Turizmi në Shifra 2022 ende nuk ka dalë).
Durrësi dhe Kavaja duket se janë rajonet me kapacitetin akomodues më të lartë, kurse në Jug ka pasur një tendencë drejt fshatrave turistikë.
Rritja e kërkesës për Shqipërinë si destinacion pushimesh por edhe parashikimet për tregje të reja që mund të shtohen, kërkon angazhim serioz në rritjen e kapaciteteve të duhura akomoduese.
Z. Topuzi sjell në vëmendje se gjatë forumit të përbashkët të turizmit, i organizuar pak ditë më parë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit, u nënvizua mesazhi se tregu kinez i turizmit do të jetë i rëndësishëm për Ballkanin në vitet që vijnë.
“Shqipërisë i del për detyrë të shtojë kapacitetet akomoduese, kryesisht resorte, për t’iu përgjigjur këtij fluksi”, – thotë ai.
Në shumë raste, rritja e kapaciteteve mbetet peng i procedurave, duke u kufizuar në ndërtimet e reja me funksion akomodimin.
“Në Sarandë janë shtuar kapacitetet, por më shumë në apartamente dhe pak në vila.
Ndërsa hotelet janë ato që kanë qenë edhe vitin e shkuar. Ka pasur një lloj ngërçi apo vonese në leje ndërtimi dhe kjo në fakt nuk është shumë e mirë, po të kemi parasysh rritjen me të cilën po ecën sektori.
Në Durrës, kapacitetet janë më të larta dhe janë shtuar në mënyrë të dukshme nga viti në vit, ndërsa në Sarandë mbetet te leja e bashkisë që ka krijuar këtë problem të ndërtimeve në struktura akomoduese”, – tha z. Çipa.
Burimi: Monitor.al