Pas bombardimeve të NATO-s dhe vendosjes së trupave, Bosnja mbeti mjaft e qetë. Shumë të huaj ankoheshin për armiqësinë e vazhdueshme midis myslimanëve, kroatëve dhe serbëve dhe refuzimin e autoriteteve nacionaliste me i leju refugjatët të kthehen në shtëpitë e tyre. Por, sado të brishta dhe të pakënaqshme të ishin kushtet dhe zbatimi i marrëveshjes së paqes së Dejtonit, udhëheqja e ShBA-së i kishte dhënë fund luftës së egër në Bosnje. Ndërsa 60.000 trupa të NATO-s patrullonin vendin e shkatërruar nga lufta, ata mbikëqyrën çminimin e linjave të mëparshme të konfrontimit, ndihmuan në çmobilizimin e ushtarëve dhe trajnimin e forcave të reja të ushtrisë dhe policisë, shoqëruan familjet në fshatrat e djegura dhe krijuan një ndjenjë të përgjithshme sigurie dhe shenja të para të normalitetit.

Por forcat e NATO-s kryen vetëm një pjesë të punës. Që nga krijimi i saj në 1993, gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Hagë kishte përpilu një listë të gjatë të të dyshuarve. Kur presidenti serb Slobodan Miloševići nënshkroi marrëveshjen e Dejtonit në emër të bashkëpunëtorëve të tij serbë të Bosnjës, ai u kishte kërku zyrtarëve amerikanë të shtynin vendimin që kriminelët e dyshuar të luftës të mos mund të mbanin poste të larta në Bosnje. “Në shtëpinë e të sapovarurit,” tha ai, “nuk flitet për litar.” Udhëheqësit perëndimorë qenë pajtu. Formulimi i marrëveshjes së Dejtonit ishte qëllimisht i paqartë dhe Uashingtoni, nga frika e viktimave dhe “një Somalie të re”, refuzoi të urdhëronte arrestime. Në të vërtetë, menjëherë pasi forcat e NATO-s u vendosën, komandanti Admirali Leighton Smithi u shfaq në televizionin serb të Bosnjës dhe mohoi publikisht se trupat e tij kishin autoritet për me arrestu të dyshuar. Smithi nuk u dha trupave të tij emrat ose fotografitë e të paditurve të cilët ata duhej t’i vëzhgonin. Oficerët ushtarakë amerikanë thanë se do të bënin arrestime vetëm nëse do të urdhëroheshin ta bënin këtë drejtpërdrejt nga presidenti. Ata nuk do të rrinin duarkryq, qysh ishin ndier në kohën kur kishin qenë në Somali. Prandaj, për dy vitet e para të “paqes”, banditë nacionaliste në Ballkan vazhduan të bredhnin të lirë.

Vetëm një zë brenda Pentagonit kundërshtonte rregullisht: ai i Wesley C. Clarku. Clarku, një veteran i dekoruar i Vietnamit dhe stduent i Rhodesit, kishte qenë J-5, apo drejtor për strategjinë dhe planifikimin në Udhëheqësve të Përbashkuar, gjatë gjenocidit në Ruandë dhe për pjesën më të madhe të luftës në Bosnje. Ai kishte qenë me Holbrookeun në gusht të vitit 1995, kur OKB APC u rrëzu dhe vrau tre kolegët e tyre. Dhe kishte shërby si ndërlidhës ushtarak në bisedimet e paqes në Dejton dhe e kishte parë Milosevicin nga afër. Ai kërkoi që kriminelët e luftës të arrestohen menjëherë, ndërkohë që palët ishin ende të zgjuara nga bombardimet e NATO-s. Jo për herë të fundit, Clarku u shpërfill. Në vend që të urdhëronin arrestimet, diplomatët amerikanë dhe europianë vazhduan të mbështeteshin tek Milosevici për me stabilizu situatën. Edhe pse ata e konsideruan diktatorin serb përgjegjës për gjenocidin në Bosnje, politikëbërësit perëndimorë e trajtuan atë si një partner të domosdoshëm diplomatik. Ndalesa e tyre e parë ishte gjithmonë Beogradi.

Qytetarët e Serbisë e vlerësonin më pak presidentin e tyre. Luftat e orkestruara dhe të financuara nga Milosevici dhe të luftuara nga serbët në Kroaci dhe Bosnje e kishin lënë Serbinë të rrënuar. Pesë vjet militarizim, i përkeqësuar nga sanksionet e rrepta ekonomike të Perëndimit, kishin çu papunësinë dhe inflacionin në rritje dhe cilësinë e jetës së njerëzve në rënie. Në 1996 dhe 1997, popullsia e trazuar e Serbisë organizoi demonstrata masive. Të shpërlarë trush nga vitet e propagandës serbe që thoshte se serbët ishin viktima të gjenocidit, protestuesit nuk përmendën krimet e luftës së Serbisë. Përkundrazi, ata kërkuan t’i jepet fund sundimit të korruptuar të Milosevicit dhe shtypjes së tij në vend. Milosevici u përgjigj duke forcu kontrollin. Vuri në gojë mospajtimin. Autorizoi vrasje politike. Mbylli stacione të pavarura mediatike. Vodhi zgjedhjet që partia e tij nuk mundi të fitonte. Dhe filloi të shtypë dhunshëm shqiptarët etnikë në provincën jugore serbe të Kosovës.

Serbët e trajtonin krahinën e varfër të Kosovës si krahinë të tyrin. Kosova ishte përjetësu prej kohësh si vendi i betejës së vitit 1389 në Fushën e Zogjve të Zij, në të cilën turqit kishin mundë serbët e krishterë ortodoksë, duke sjellë sundimin pesëshekullor otoman. Në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, serbët dhe shqiptarët shtyheshin për toka, vende pune dhe privilegje politike në krahinë. Për shkak të një nataliteti shpërthyes të shqiptarëve dhe eksodit serb, 1.7 milionë shqiptarë kishin ardhë pikën kur përbënin 90 përqind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Deri në vitet 1980, duke u ndi të tejkaluar në numër, serbët e Kosovës kishin fillu të ankoheshin për përndjekje. Ata morën mbështetje morale nga nacionalistët në Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Në një memorandum nxitës publik në vitin 1986, intelektualët serbë akuzuan shqiptarët e Kosovës për organizimin e “gjenocidit fizik, politik, juridik dhe kulturor të popullatës serbe në Kosovë”. Një vit më pas, Miloševići, atëherë një aparatçik i pashquar komunist, udhëtoi në Kosovë dhe ngjalli ndjenjat antishqiptare dhe entuziazmin serb. Ai shpalli para një turme të zemëruar serbe se “askush nuk guxon t’ju rrahë!” Në vitin 1989, Miloševići rriti kredencialet e tij nacionaliste duke ia heqë Kosovës autonominë që i ishte dhënë nga diktatori jugosllav Marshall Tito. Shqiptarët u pushuan nga puna, shkollat u mbyllën dhe prania e policisë serbe u zgjeru.

Në vitin 1995, kur bombardimet e NATO-s i detyruan serbët të negociojnë një zgjidhje për Bosnjën, shqiptarët e Kosovës kishin shpresu se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të bënin presion ndaj Serbisë për të rivendosë autonominë e krahinës. Në vend të kësaj, negociatorët perëndimorë në Dejton afirmuan integritetin territorial të Serbisë dhe nuk e prekën temën e Kosovës. Kjo i zemëroi shumë shqiptarë të Kosovës dhe hapi rrugën ngritjes së një grup luftëtarësh shqiptarë të panjohur, që quheshin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). 5 UÇK-ja u zotu të mbrojë popullin shqiptar në shtëpitë e tyre dhe të fitojë pavarësinë e krahinës. UÇK-ja arriti të mbledhë para nga emigrantët shqiptarë dhe të kontrabandojë armë nga fqinji i saj anarkik, Shqipëria, por në fillim nuk arriti të tërheqë shumë rekrutë në Kosovë. Vala e mirëfilltë u kthy në mars të vitit 1998, kur UÇK-ja vrau disa policë serbë dhe Miloševići u kundërpërgjigj aq dhunshëm sa mbështetja popullore për UÇK-në u rrit. Forcat serbe hynë në rajonin e Drenicës dhe vranë rreth pesëdhjetë e tetë të afërm të udhëheqësit të UÇK-së Adem Jashari, duke përfshi gratë dhe fëmijët. Me çdo sulm të UÇK-së ndaj ndonjë zyrtari serb, reprezaljet serbe intensifikoheshin, pasi persona të armatosur serbë digjnin fshatra të tëra që dyshoheshin se strehonin pjesëtarë të UÇK-së. Vitin tjetër, rreth 3000 shqiptarë u vranë dhe rreth 300.000 të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, iu dogjën pronat dhe iu ndërprenë mjetet e jetesës. Kamerat televizive kapnin civilë të ftohur nga reshjet e dëborës dhe tmerri i dimrit.

Nga fundi i viteve 1990, vëzhguesit perëndimorë kishin dijeni për Kosovën. Edhe në vitin 1992, kur administrata e Bushit kishte këmbëngulë se “nuk i interesonte me hy në luftë” në Bosnjë, ajo kishte shprehë shqetësimin për fatin e Kosovës. Në atë që u bë e njohur si “paralajmërimi i Krishtlindjeve” i Presidentit Bushi, Sekretari në detyrë i Shtetit Eagleburgeri e kishte këshillu Miloševićin se në rast të një sulmi serb në Kosovë, Shtetet e Bashkuara do të ishin “të përgatitura për me përdorë forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbinë e mirëfilltë.”   Në prill të vitit 1993, sekretari, jo fort i pushkës, i Shtetit, i Presidentit Clintoni, Warren Christopheri, e bëri dallimin e Kosovës nga Bosnja me arsyetimin se përkeqësimi në Kosovë ka të ngjarë të “fusë në sherr edhe vende të tjera në rajon – Shqipërinë, Greqinë, Turqinë”. Shtetet e Bashkuara, tha ai, kishin frikë se konflikti atje do të zgjerohej “siç pati ndodhë më parë, në një luftë botërore”. 7 Kosova gjithmonë mendohej se ishte “ndryshe” nga Bosnja për shkak të potencialit të saj për me përhapë dhunën në pjesën tjetër të Ballkanit.

Ndërsa policia dhe milicia serbe kryen gjithnjë e më shumë mizori në vitin 1998, gazetarët e mirinformuar perëndimorë dhe grupet e të drejtave të njeriut erdhën në rajon. Mizoritë e viteve 1990 i kishin mësu shumë opinionbërës amerikanë se nuk mund të kërkonin njëkohësisht fundin e gjenocidit dhe politikën e mosndërhyrjes. Diplomacia pa kërcënimin kuptimplotë të forcës ushtarake shumë shpesh nuk kishte arrijtë me pengu të shpërdoruarit. Administrata e Clintonit u vu nën presion për t’u përgjigjë ushtarakisht.

Në tetor 1998, zgjidhësi i problemeve të SHBA-së, Richard Holbrookeu, negocioi përsëri një marrëveshje me Miloševićin. Në këmbim të shmangies së sulmeve ajrore të NATO-s, Miloševići pranoi të tërhiqte disa nga forcat e tij nga Kosova dhe të lejonte vendosjen e 2,000 verifikuesve të paarmatosur ndërkombëtarë. Por forcat serbe shpërfillën praninë e tyre. Më 15 janar 1999, pasi goditën qytetin e vogël të Raçakut me zjarr artilerie për tri ditë, njësitë paraushtarake dhe policore serbe mblodhën dhe ekzekutuan dyzet e pesë civilë shqiptarë, duke përfshi tri gra, një djalë dymbëdhjetëvjeçar dhe disa pleq. Forcat serbe lanë trupat e të ekzekutuarve me fytyrë përtokë në një luginë të akullt. Brenda njëzet e katër orëve, ambasadori William Walkeri, shef i Misionit Verifikues të Kosovës, mbërrijti në vendin e krimit. Walkeri, i cili kishte hasë më parë në mizori të tilla ndërsa shërbente si diplomat amerikan në Amerikën Qendrore, takoi fshatarët dhe u ngjit në një kodër aty pranë, ku pa trupin e parë. “Ishte e mbuluar me një batanije dhe kur e shplu, pashë se mungonte koka e kufomës – vetëm një gropë e hapur, tepër e përgjakshme, në qafë”, i tha Walker një gazetari. Ai ekzaminoi tre trupa të tjerë. Në secilin prej tyre ishte e dukshme një vrimë plumbi nën flokët gri ose të bardhë. Walkeri bërtiti para kamerës televizive se serbët kishin kryer një “krim kundër njerëzimit”. 8

Zyrtarët e lartë në administratën e Clintonit ishin të revoltuar dhe të tërbuar. Madeleine Albright, kryqtarja e gjatë për ndërhyrje, kishte pasu Christopherin si sekretare e Shtetit. Ajo dhe pjesa tjetër e ekipit të Clintonit e kujtuan Srebrenicën, ende i mundonte faji për gjenocidin e Ruandës dhe po kërkonin të korrigjoheshin. Kishin frikë se Raçaku ishte vetëm fillimi i një fushate të mini-Srebrenicës. Në të vërtetë, qarkulloi një thashetheme se motoja e ditës e forcave serbe ishte: “Një masakër në ditë ndihmon për me mbajtë larg NATO-n”. Zyrtarët amerikanë shoqëroheshin nga diplomatë evropianë shumë më agresivë nga sa kishin njohur në mesin e viteve 1990. Kryeministri Tony Blairi i Britanisë dhe ministri i tij i jashtëm, Robin Cooku, synonin të ndalonin Miloševićin. Në shkurt 1999, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë u mblodhën në një konferencë në kështjellën franceze të Rambujesë, jashtë Parisit, dhe paraqitën një propozim “merre ose lëre”. Beogradit iu kërku të largonte shumicën e trupave të tij nga Kosova, t’u jepte shqiptarëve autonomi të konsiderueshme dhe të lejonte që 25.000 paqeruajtës të armatosur (4000 prej tyre amerikanë) të vendoseshin në Serbi. Nëse serbët refuzonin, NATO-ja do të bombardonte. Serbët ishin mësu me kërcënimet e zbrazëta të NATO-s. Ata nuk ishin gati të dorëzonin kontrollin mbi një krahinë me rëndësi të madhe historike dhe simbolike. Negociatorët serbë nuk pranuan as të merreshin me marrëveshjen.

Duke fillu nga 24 marsi 1999, avionët e NATO-s nën komandën e gjeneralit Clarku, komandant suprem i aleatëve për Evropën, filluan të bombardojnë Serbinë. Udhëheqësit aleatë thanë se do të vazhdojnë bombardimet derisa Miloševići të pranojë kompromisin e autonomisë. Ishte hera e parë në histori që Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj evropianë po ndërhynin për me shmangë një gjenocid të mundshëm.

Pjesë nga libri ““A Problem from Hell” America and the Age of Genocide

Publikoi: Agim Morina

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *