Nga Hasan Bello

Në fillim të viteve 20-të, me përjashtim të ndonjë aparati kinematografik të sjellë nga ushtritë pushtuese gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore (kryesisht nga austro-hungarezët), shqiptarët kishin shumë pak informacion për kinematë. Këtu bënin përjashtim politikanët, tregtarët dhe studentët, që kishin jetuar ose vizituar shtetet europiane.

Në vitin 1922, drejtuesi i një kompanie amerikane në New York, Clayton W.Old, pasi ishte takuar me Faik Konicën dhe zonjën Williams (personaliteti i së cilës nuk bëhet i ditur), ishte bindur që t`i propozonte qeverisë shqiptare e cila në këtë periudhë drejtohej nga Fan Noli një ofertë interesante. Ai kërkoi të merrte me koncension krijimin e një rrjeti kinematografik në të gjitha qytetet shqiptare. Kompania që ai drejtonte kishte të drejtën e distribucionit të pesë kategorive të filmave:
-Udhëtime me pamje filmike nga të gjitha vendet e botës;
-Ngjarje të përditshme që kishin një interes botëror;
-Filma që tregonin aspekte të zhvillimit të industrisë dhe teknologjisë;
-Filma me karakter shkencor;
-Filma me karakter bujqësor, të cilët pasqyronin metodat dhe teknikat e përparuara.

Problem për kompaninë amerikane mbetej fakti se, në Shqipëri përdoreshin monedhat prej ari dhe argjendi. Për këtë arsye dhe për shkak se populli shqiptar nuk ishte i familjarizuar me artin e kinematografisë, kompania amerikane ishte e detyruar të caktonte çmime sa më të lira. Por kundrejtë kësaj oferte, Clayton W.Old, kërkoi nga qeveria shqiptare që për dhjetë vite ai të kishte ekskluzivitetin e rrjetit kinematografik, pa qenë subjekt tatimor. Brenda gjashtë muajsh kompania do të dërgonte në Shqipëri krahas teknologjisë edhe një grup specialistësh amerikanë. Pjesa tjetër e teknikëve që do të menaxhonin aparatet do të rekrutoheshin dhe kualifikoheshin nga mesi i shqiptarëve.

Filmat që do të dërgoheshin në Shqipëri do të ishin në përputhje me vlerat morale të popullsisë dhe të çertifikuar nga censura amerikane. Paraprakisht, sipas drejtuesit të kësaj komapanie, ato do të kontrolloheshin edhe nga Ministria shqiptare e Arsimit dhe Bujqësisë. Qëllimi i tyre ishte që, përveç argëtimit, të emanciponin shqiptarët me arritjet dhe inovacionet më të mira të kohës. Ai premtonte se aksionet e këtij biznesi, kur të vinte koha e largimit do t`u shiteshin vetëm shtetasve amerikanë dhe shqiptarëve.

Ekskluziviteti i kompanisë ishte kusht i panegociueshëm me qeverinë shqiptare. Kjo, sepse, drejtuesi i saj kishte zhvilluar bisedime me bankierë dhe inxhinierë elektrikë amerikanë nga të cilët kishte marrë premtime për ta mbështetur këtë iniciativë. Madje, ai theksonte se ata kishin shfaqur interes për të studiuar efiçencën e lumenjve shqiptarë për të prodhuar energji, e më pas për të ndërtuar tramvanja elektrike.

A ishte kjo ndërmarrje një iniciativë pas së cilës fshiheshin interesa më të mëdha në fushën e hidro-energjitikës? Apo thjesht një aventurë? Kjo është tepër e vështirë për tu konfirmuar. Gjithësesi, Clayton W.Old, jepte si referencë disa emra të njohur amerikanësh në fushën e biznesit, të cilët qeveria shqiptare mund t`i pyeste për kredibilitetin e tij moral dhe profesional.

Më 15 qershor 1922, Ministria e Arsimit i shkruante Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kishte nën varësi kinematë se nuk kishte asnjë kundërshtim lidhur me ofertën e kompanisë amerikane. Por ajo kërkonte që kompania të paktën dy herë në muaj të lejonte nxënësit e shkollave të çdo qyteti që të ndiqnin filma të përzgjedhur për ta falas, si dhe kjo ministri të kishte të drejtën e përdorimit të teknologjisë së saj sa herë që të kishte nevojë. Këto kërkesa u kundërshtuan nga ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, i cili e konsideronte të parsyeshme imponimin që Ministria e Arsimit kërkonte t`i bënte kësaj kompanie. Nga ana tjetër, ai ishte kundër dhënies me koncension të rrjetit kinematografik shqiptar për dhjetë vjet. Sipas tij, kjo do të pengonte kapitalin vendas për të investuar në një fushë kaq të rëndësishme të artit, siç ishte kinematografia. A.Zogu kërkoi që oferta e kompanisë amerikane të merrej në shqyrtim nga Këshilli i Ministrave, duke e vlerësuar atë nën prizmin e interesave kombëtare.

Si përfundim ardhja e kompanisë amerikane për ngritjen e rrjetit kinematografik shqiptar, nuk u realizua. Dyshimet se pas saj fshiheshin interesa që kishin të bënin me pasuritë hidrike të vendit tonë vijnë për shkak se në këto vite politikanët shqiptarë ishin nën presionin e qeverisë britanike dhe amerikane për çështjen e shfrytëzimit të nëntokës shqiptare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *