Nga Lumo Skendo
Me ketë letrë due të bisedoj pakë mbi Lidhjen e Prizrendit. Artikullin t’im të fundit mbi ketë ngjarje historike të Kombit t’ënë e kam botuar dhjet vjet mâ parë, në Nr. 9-10-11 të së përkohëshmes Diturija, moti 1928 fq. 321-329.
Atje rrëfenja bibliografín të varfrë të kësaj historije me kuptim aq të madh për neve. Mjerisht që atëherë s’ka ardhur nonjë kontribut’ e ré, s’dolli kush, të interesohet dhe të shkrojë.
Në Kalendarët Kombiar 1926 dhe 1928 botova tre rrëfime relatif me pikën që na prek: Të Gani Frasherit, të Gjergj Çakos dhe të Dr. Rifat Frashërit, dhe në çdo rasje, si në Hylli i Dritës (Tetor 1922, fq. 465-481) si edhe në Diturija kam persritur proponimin të formohet një shoqëri, due të thëm të bashkëpunojnë disa njerzë me vullnet të mirë, të përpiqen të kërkojnë dhe të mështjellin dokumenta të asaj kohe, landen e asaj ngarjeje [1]).
Gazeta Demokratia e Gjirokastrës në kryeartikullin e saj të 19 Nantor 1938, thotë se, në mos nuk’ ka shkruarë kush mbi ketë themë, kjo vje ”jo se mungon patriotizma dhe vullneti për punë, po sepse mungon baza historiografike.“
Do të më jipet lejë të jem në një opinion krejt të kundërt: baza historiografike është shum’ e begaçme, fort shum’ e pasur, për atà që duan të shikjojnë dhe të shohin. Por na ka munguar vullnet dhe ndoshta ajo që s’ më vete gjuha ta’ them. Në fq. 61-66 të Kalendarit 1926 kam bërë fjalë për mbledhjen e dokumentavet, kam shënuarë një program punimi, kam dëftyer jo vetëm do libra të paka, por thesarin e gjerë të gazetavet dhe të rivistavet që duan rrëmuarë. Këto janë të panumurta dhe mbajnë xhevahire për neve.
Per shëmbllë memorandumin që Shqiptarët u kanë dhënë Kabinetevet të Paris, London, Berlin, Vjenë, Romë (e botova tekstin frengisht në Hylli i Dritës dhe përkëthim shqip në Diturija) e kam gjetur shënuar në librën gjermane të Lorenz Diefenbach, Völkerkund Osteuropas, fq. 19, Darmstatt 1880. Atje flitesh prej një botimi në një gazetë, titulli i së cilës ishte rrëfyerë vetëm me tre inicjale A.A.Z.
Pata nevojë për një durim të gjatë dhe për ndihmën e bibliotekarit të universitetit, në Leipzig gjër sa të kuptonj se kisha të bënj me Ausburger Allgemeine Zeitung, Nr. 158, 7 qershor 1879, dhe të gjenj në bibliotekën e qytetit (Leipzig) fletën me artikullin që na intereson të gjithë.
Por s’është vetëm ay numur; gazeta e Augsburgut ka botuar akoma të tjera proklamata dhe memorandume të Shqiptarvet: më 1878 në numur 225; më 1879 N. 103 dhe 109. Edhe sa botime tjerë!
Sa koleksione të vjetvet 1878-1882 gazetash të botës (them dhe theksonj të gjithë botës) por edhe sidomos greqisht e tyrqishtë (si vënde mâ drejtësisht të interesuar në punët tona) duan shoshitur, duanë kopiuarë besënikisht lajmet e dhanuna, shkrimet dhe korespondencat e shpallur. Nukë mungojnë bibliotekat e huaja, në kryeqytete ose në province qoftë, me koleksione gazetash dhe revistash politike. Per atò në gjuhë greqishte do të rrëfenj depozitën e madhe në biblioteken e Parlamentit, në Athinë, dhe për tyrqishtet bibliotekën e Ali Emiri efendiut, në Fatih (Stamboll).
Kur gjendemi pra në një qytet me bibliotekë [dhe sot nuk’ ka në botë no një qytet pak’ a shum të math pa bibliotekë] mos harojmë se do të kemi bërë një sherbim të math në vofshim dhe të çfletësojmë gazetat dhe periodikat politike të atyre pêsë vjetëve dhe në marrshim shënime mbi landën që prek jetën t’enë si komb.
Që t’ i vihemi kësaj pune duhet të na dhimset për këtë Shqipërin’ e gjorë. Duhet ta kemi një dashurí edhe për gurrët e saj. Duhet të na dridhet, të na rekëtonjë zemra, shpirti, mendja për Shqipërinë t’ënë. Pa një thërmik amori, dashurije, duhet të jemi të bindur se nukë bëhet asgje në botë. Mos t’a harojmë kurr këtë të vërtetë.
Dhe mâ tepr’ akoma mos më thotë kush se ketë punim duhet t’a marrë përsiprë qeverija, me të dhënë roga, ylefe dhe arpallëke. Pse të gënjejtnë vetëhen? Dashurija nukë ngjallet me para’. Duhet te na vijë nga zemra. Kemi me qindra Shqiptarë të shpërdarë. Sa të shkojnë ditët dhe vitet në kafené, me fjala të kota, le të punojnë. Unë që shkronj këto’ radhë kam pasur fatin të njoh të vénë e historianit grek Sathas: më ka rrëfyerë se, i shoqi, gjer sa vdiq i moshuar më teprë se 80 vjeç, ka rrojtur në Venedik, me buk e me qumësht, punonte tërë natën gjer sa gdhihësh, dhe s’kishte asnjë frangë ndihmë nga qeverija greke rronte më një mënyrë mâ teprë se modeste, me pakë të holla që fitonte me shkrimet e tij dhe vdiq pothua urije. Dhe kjo nuk e ndaloj të ishte një njeri i math dhe një puntor i palodhur i kombit dhè i vendit’ tij.
S’kërkonj njerës sa Satha dhe si Satha, por si çirakë të atí njeriu.
*
S’ka dyshim se botimet e ditarevet duanë kënduerë me nji kritikë. Talleyrandi ka thënë se njeriu foljen e ka për ta pshehur mendimet e tij. Edhe gazetat shpesh herë shkrojnë për të maskuar të vërtetën. Arrin të hedhim një sý në koleksioni 1912-1914 të fletorës Le Temps, një nga mâ të mëdhatë gazeta të botës: Asnjë e vetëm ngjarje të Shqipërisë nuk’ u-dëftue në formën e vërtet të saj. Eshtë vërtetë se, n’ atë periodë, ditarja e madhe e Parisit, ishte nënë’ influencën direkte të milionarit grek Sir Basil Zaharoff dhe të fabrikës së armëvet Schneider et Creuzot, furnitore e fuqivet balkanike.
I ndjeri dhe zëmrëbardhi Bouschier, korëspondent i gazetës londoniane Times për Balkanët më tha më 1916 në sy se, mbassi u-shit gazeta e tij në një pronár i ri, tani, mâ nukë mbeti në botë no një fletë indipendeníe, e zonja që të thotë të vërtetën.
*
Me qenë se Demokratia në atë shkrim të saj e bje fjalën edhe direkt per mua, më tokon të them dy radhë mbi dokumentat që më kan humbur: Më 1913 erdhën nga Stambolli plaçkat e shtëpisë, midis cilavet 24 arka me libra. Duallë në Vlorë dhe atje mbetnë gjer motin e dytë, kur telegrafova nga Lausanne t’ i çojnë në Fier, për mâ teprë sigurí. Depozitari i Vlorës ishte Q. Ç,; në Fier u-dërguan’ në shtëpi të Ymer Pashë Vrionit. Por atje ngjan disa herë luftë, qyteti rra nga një dorë në dorë tjatrë, dhe, passi mbaroj furtun’ e madhe shtëpija u-gjent e zbrazët.
Regretonj humbjen e një koleksioni të formuarë prei Abdyl Frashërit vetë: mazbata (shkresa kolektife), gazeta të periodës 1878-1882, shënime, letra private… të gjitha relative me Lidhjen e Prizrenit, si edhe tre dorëshkrime prej dorësë vet’ t’Abdyl Frashërit:
1° Një manuskript greqisht, afró 150 faqe, (ose 200), format gadi 25X16 santimetro; 2° tyrqisht, afró 350-400 faqe format 20X13 santimetra; 3° shqip, një tefter i gjatë pak’ a shumë 40 faqesh, format si no 30X13 santimetra. Keto’ kanë qënë, të trija, broshura me flet të qepura, por pa kapakë.
Dorëshkrimi N. 1. ishte një historí e Frashërit dhe e fëmijëvet të atí vendi, shkruarë sidomos mbas rrëfimevet të Zonjës Tato, një plakë që ishte emtë (hallo dhe teze) e gjithë Frashërllinjvet, dhe që Abdyli, në riní të tij, e kishte njohur të moshuarë mâ teprë se 90 vjeç, por fort e mëntshme dhe e shëndoshë nga inteligjenca dhe memori.
D.shkr. N. 2 ishte i tërë relatif me Lidhjen e Prizrendit. S’ishte një biografí, ose një historí biografike, por një përshkrim i plotë i ngarjevet, që në fillim, n2 gjitha fazat e aktivitetit. Në Janinë, Gjinokastrë dhe Frashër, në Dibrë dhe Prizren, në Stamboll ose në vizitën e të pêsë kabinetevet t’Europës.
D.shkr. N. 3 ishte vetëm një tefter gjenealogjije me shenime jetëshkrimi mbi çdo mis të familjes.
Po jap këto nota me shpresë sa mbase ata dorëshkrime kanë shpëtuarë nga destruktimi dhe munt që të gjenden akoma në nonjë dorë, ose hiedhur më no një çip.
*
Pa mbaruarë, pa marrë lejë nga këndonjësi, due prapë të përsërit proponimin e grupësimit të vullnetarvet për gërmime historike të periodës që na okupón. Sikundrë që e thashë dhe në fillim, dhe duke shpresuar se këtë radhë nukë po flas në shkretinë, ështe nevojë t’i vihemi punës që tani, dhe jam gati të okupohem me barren e sekretarit provizor, të ati qarku punimi.
Por, moti 1939 që na vjen, na sjell dhe një rasje. Eshte njëqintvjetori i lindjes së Abdyl Frashërit qi simbolizon per neve Lidhjen e Prizrenit. Do të jemi të zotër të diftojmë një aktivitet? A po s’na mbetet kohë nga karnavalet dhe nga karagjozlleket?
18 Dhjetor 1938. LUMO SKENDO
[1] Dua prapë të them se, gjer sa të bahetë një trup i rregullt jam gati të sherbenj provizorisht si sekretar i asaj shoqërije. Ata që punojnë për ketë çashtjë janë të lutur të drejtojnë korespondencën e tyre në adrësën t’ ime, Lumo Skendo. Tiranë.Dua, më pelqën të shpresonj se kjo thirrje të ketë një efekët.
Publikoi: Agim Morina