Përkthyesi dhe helenisti i shquar Gjon Shllaku, u lind në vitin 1923 dhe që në moshë të hershme nisi të përkthente. Kështu, kur ishte vetëm 17 vjeç përktheu romanin “Ben Hur” të Vallasit, duke e marrë si një shtysë për përkthimet e mëpasshme që do t’i bënte kryeveprave botërore.

Gjatë jetës së tij, jetë të cilën ia kushtoi plotësisht përkthimit, do t’i bënte të flisnin shqip personazhet e shtatë tragjedive të Sofokliut, të katër tragjedive të Euripidit, të shtatë tragjedive të Shekspirit si dhe “Prometeun e Lidhur” të Eskilit dhe “Eneidën” dhe “Gjeorgjikat” e Virgjilit.

Lexuesit shqiptarë, të etur për letërsi të dalë nga kornizat e “realizmit socialist”, do t’i jepte edhe “De reum Natura” të Lukrecit, “Metamorfozat” të Ovidit, “Martirët” e Shatobrianit, “Sidin” e Kornejt e në vitet e tij të fundit edhe eposin francez, “Kënga e Rolandit”.

Gjithashtu do të përpilonte edhe dy fjalorë me rëndësi të madhe për të gjithë studiuesit dhe filologët shqiptarë, atë Greqishte e Vjetër – Shqip me 20 mijë fjalë dhe atë të Gjuhës së Vjetër Latine – Shqip me 65 mijë fjalë.

Por, kontributi më i rëndësishëm i tij është përkthimi i një prej poetëve më të mëdhenj botërorë, poetit më të madh helen dhe një ndër poetët më influencues në letërsinë botërore, Homerit. Me përkthimet e tij, ai i dha poetëve e shkrimtarëve të mëdhenj, kryesisht helenë e latinë, hijeshinë e gjuhës shqipe dhe i dha Shqipërisë hijeshinë e vargjeve helene e latine. Për këto përkthime, ai do të vlerësohej nga Qeveria greke me çmimin “Disku i Argjendtë” ndërsa në Shqipëri me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.

Helenisti i shquar dhe i fundit i shkollës së përkthyesve të klasikëve do të mbyllte sytë përfundimisht në vitin 2003 në Shkodër, duke i lënë gjuhës shqipe një dhuratë të çmuar.

Burimi: Hejza

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *