Nga Agim Morina
Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, mediat e Beogradit patën nisë një fushatë të egër antishqiptare. E vetmja punë e tyre ishte që gjendja në Kosovë të paraqitej sa më kritike, sa më alarmante, që shqiptarët të shfaqeshin sa më të egër. Programet televizive, revistat, gazetat, librat që prodhoheshin në fabrikat propaganduese të Beogradit vërshonin gjithë Jugosllavinë dhe shpërndanin lajme të tmerrshme antishqiptare. Një nga lajmet më të zakonshme ishte thyerja e gurëve të varreve të serbëve nëpër Kosovë, sepse nuk kishte ndonjë lajm për ndonjë krim konkret kundër serbëve. Varrezat ishin të shkreta dhe të vdekurit nuk kishin gojë e nuk mund të dëshmonin se kush i bënte këto sulme makabre. Shpërndarja e pandalshme e lajmeve të rreme krijoi pa dyshim një ndjenjë urrejtjeje kundër shqiptarëve në gjithë Jugosllavinë.
Nga shpifjet më të ulëta e më të trishtueshme të kësaj kohe ishin, po ashtu, lajmet se shqiptarët përdhunonin femrat serbe. Shkohej aq larg sa thuhej se shqiptarët përdhunonin edhe motrat e nderit të kishave ortodokse.
Në kulmin e kësaj fushate denigruese antishqiptare, një politikan shqiptar i asaj kohe i Kosovës, delegat në kuvendin e federatës së Jugosllavisë, kishte kërku që të publikoheshin shifrat zyrtare të përdhunimeve seksuale në Jugosllavi për atë vit. Në këto shifra zyrtare doli e vërteta lakuriqe: në Kosovë gjatë gjithë vitit kishin ndodhë gjashtë raste që lidheshin me përdhunime seksuale. Tri nga këto kishin qenë tentime, dy kishin qenë përdhunime, – por kjo kishte ndodhë mes vetë shqiptarëve – dhe vetëm një rast kishte qenë një tentim përdhunimi i një femre serbe nga një mashkull shqiptar, edhe ky nga një person me çrregullime mendore. Ndërsa në pjesët tjera të Jugosllavisë shifrat zyrtare tregonin një gjendje alarmante: kishin ndodhë me qindra përdhunime seksuale nëpër republikat e tjera të Jugosllavisë.
Nga këto të dhëna dilte pamja krejt e kundërt me atë çfarë paraqiste propaganda e Beogradit: Kosova ishte vendi më i sigurt për femrat në gjithë Jugosllavinë. As nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse te shqiptarët çështja e nderit të femrave ishte një pikë tepër e ndjeshme.
Më kujtohet mirë një intervistë televizive e një gazetari nga Beogradi me një vajzë serbe nga Kosova. Gazetari e pyeti vajzën se a ndihej e sigurtë në Kosovë. Ajo tha se nuk ndihej e sigurtë. Pastaj ai e pyeti se pse nuk ndihej e sigurtë. Ajo tha se nuk ndihej e sigurtë për shkak të shqiptarëve. Dhe kur në fund e pyeti se a i kishte ndodhë diçka konkrete asaj vetë apo a kishte parë diçka të tillë me sytë e vet, ajo i tha se jo, asaj nuk i kishte ndodhë asgjë asnjëherë, se fqinjët e saj shqiptarë ishin të mirë, por se kështu thuhej në lajme në gazeta e televizione. Pra, pasiguria që ndiente ajo vajzë serbe në Kosovë vinte nga lajmet që plasoheshin çdo ditë nga Beogradi.
Tashti, egërsia e fushatës nga mediat e Beogradit, por edhe nga disa media të Kosovës, kundër qeverisë së Albin Kurtit, ka marrë përmasa marramendëse që po ma kujton pikërisht atë kohë të viteve tetëdhjetë, kur akuza kishte plot, por nuk kishte asnjë fakt të qëndrueshëm. Nëse mblidhen e analizohen këto lajme që po plasohen sot, del se asnjë nga pohimet që po thuhen kundër qeverisë së Kosovës për “kryeneçësinë” , “mosbashkëpunimin” dhe “moszbatimin e marrëveshjeve” nuk mban më ujë.
1) Kryeministri i Kosovës akuzohet se është “kryeneç” dhe se nuk po “bashkëpunon”. Por dihet botërisht që kryeministri, Albin Kurti, i shtyu zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës për gjashtë muaj, ashtu siç kërkuan zyrat e aleatëve perëndimorë. Kjo nuk mund të quhet as kryeneçësi, as mungesë bashkëpunimi.
2) Qeveria e Kosovës po akuzohet se nuk po lejon që procesi i normalizimit me Serbinë të shkojë përpara. E vërteta është që kryeministri i Kosovës në takimin e Ohrit jo vetëm që pranoi marrëveshjen, por kërkoi që ta nënshkrunte këtë marrëveshje. Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vucici, jo vetëm që nuk pranoi të nënshkrunte këtë marrëveshje, por e shkeli me të dyja këmbët ende pa arrijtë në Beograd me deklaratat e tija kundër Kosovës. Pra, kryeministri Kurti bashkëpunoi gjatë gjithë kohës dhe ende është i gatshëm të nënshkrujë Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa kryetari i Serbisë as sot e kësaj dite nuk pranon ta bëjë këtë. Pra, Kurti është bashkëpunues, Vucici është jobashkëpunues.
3) Nga qeveria e Kosovës u kërku që të organizonte zgjedhjet në katër komunat veriore dhe kjo u bë me kujdesin më të madh të mundshëm, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Nuk ndodhi asnjë incident, asnjë viktimë, asnjë parregullsi. Lista Serbe, e kontrolluar dhe e dirigjuar tërësisht nga Beogradi, jo vetëm që bojkotoi zgjedhjet, por edhe kërcënoi, nëpërmjet bandave në terren, këdo nga serbët që do të guxonte të merrte pjesë në zgjedhje. Kjo bëri që kryetarë të katër komunave në veri të zgjidhen katër shqiptarë.
Pra, qeveria e Kosovës bashkëpunoi, Serbia shantazhoi dhe bojkotoi zgjedhjet e pakicës serbe.
4) Sot kërkohet që të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore. Qeveria e Kosovës ka pranu edhe këtë. Pra, nuk ka asnjë kusht themelor që të mos e ketë pranu qeveria e Kosovës. Mirëpo ajo po kërkon që kjo të bëhet në mënyrë të ligjshme, pa e shkelë kushtetutën e Kosovës. Prap del që qeveria e Kosovës po bashkëpunon, Serbia jo vetëm që nuk po bashkëpunon, por edhe po shkakton probleme dhe po organizon sulme kundër ushtarëve të KFOR-it dhe po kidnapon policë të Kosovës në kufi.
Po të shikohet nga ana e ligjshmërisë, gjendja në Kosovë kurrë nuk ka qenë më shumë nën kontroll të shtetit sesa sot. Bandat kriminale e fashiste në veri, që kanë ardhë nga Serbia, kurrë nuk kanë qenë më të pafuqishme sesa sot. Për këtë arsye Serbia, me përpjekje dëshpëruese që të faktorizohet, ngriti gatishmërinë e armatës së saj rreth kufirit me Kosovën, për me u dhënë zemër këtyre bandave që po iknin, të frikësonte qeverinë e Kosovës dhe të alarmonte qarqet ndërkombëtare se çdo çast mund të plaste një konflikt ushtarak. Në këtë vijë të shkaktimit të panikut e të pasigurisë janë edhe deklaratat e Milorad Dodikut, kryetarit të Republikës Serbe në BeH, se do të bashkohej me Serbinë. Prap na del pamja e qetë e gjendjes në Kosovë dhe kërcënimet e hapura të faktorit serb.
Nën hijen e luftës së Ukrainës, natyrisht, Perëndimi është në gjendje të flijojë interesat e një shteti të dobët siç është Kosova për të parandalu një telash të mundshëm më shumë. Por, çështja është që Kosova dhe shqiptarët tashmë kanë pagu çmim tepër të madh për lirinë e tyre, ndërsa Serbia vazhdon të ushqejë klerofashizmin e vet pa u pengu nga askush.
Nëse pyetet sot një qytetar i Kosovës se a ndihet i pasigurtë në Kosovë, ai do të thotë se po. Nëse pyetet se pse, ai do të thotë – ashtu si ajo vajza serbe në vitet ’80 – se kështu po thuhet në media. Pasiguria në veri të Kosovës vinte nga terroristët e ardhur nga Serbia që për njëzet e kusur vite kanë vepruar të papenguar. Ata vritnin e rrihnin kundërshtarë politikë, ata digjnin vetura me targa të Kosovës e zyra ku mbaheshin zgjedhjet. Ishin po këta që gjujtën me plumba në ushtarët e KFOR-it. Veprimet e qeverisë së Kosovës kundër këtyre bandave terroriste nuk mund të quhen veprime ekstreme, e aq më pak veprime kundër popullatës serbe. Serbët e veriut kurrë nuk kanë qenë më të sigurtë se sot.
Një krahasim i shpejtë i veprimeve të koordinuara të klerofashizmit serb – shkaktare të katër luftave në ish-Jugosllavi – me veprimet e ligjshme dhe bashkëpunuese të qeverisë së Kosovës dhe të gjithë faktorit shqiptar në Ballkan, shfaq qartë pamjen e përmbysur e të shtrembëruar të realitetit politik që po përpiqet të krijojë kjo fushatë e egër mediatike, por edhe diplomatike. Me një analizë të thjeshtë do të dilte pamja e përmbysur, e njëjtë me atë që pati nxjerrë në shesh statistika zyrtare e përdhunimeve në vitet ’80. Alarmi i rrejshëm dhe fajtori i gabuar. Faktori shqiptar është faktori më paqedashës, më demokratik dhe më bashkëpunues në Ballkan dhe faktori serb është më jobashkëpunuesi, më luftënxitësi dhe më jopaqësori.
– Në Kosovë 3-4 për qind e serbëve kanë të drejta që 30 e kusur për qind e shqiptarëve në Maqedoni as nuk mund t’i ëndërrojnë. A nuk është ky një sakrifikim nga ana e faktorit shqiptar për paqen në Ballkan?
– Të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës shkelen egërsisht, para syve të zyrtarëve perëndimorë, pikërisht në kohën kur Serbia kërkon të formojë një Republikë Serbë në Kosovë. A nuk është ky një durim e mirëkuptim i faktorit shqiptar për paqen në Ballkan?
– Republika e Shqipërisë nuk ka vënë asnjëherë asnjë kusht ndaj asnjë shteti fqinj për çfarëdo përfitimi politik. A nuk tregon ky orientimin paqësor të shqiptarëve?
Nëse e shohim nga ky kënd del që shqiptarët po dënohen e po vetëdënohem për shkak të bashkëpunimit dhe dëgjueshmërisë së tyre në raport me Perëndimin. Atëherë, pse presioni më i madh përqendrohet pikërisht mbi shqiptarët, veçanërisht mbi Kosovën? Sepse shqiptarët janë më të dobëtit në Ballkan, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ana politike e ushtarake. Në gjithë historinë dihet ky fakt i thjeshtë, që presioni gjithmonë do të jetë i orientuar mbi palën më të dobët. Por, për të qenë fatkeqësia më e madhe, shqiptarët janë edhe më të paorganizuarit. Megjithatë, ajo që shqiptarët duhet të pyeten në këtë kohë është se a janë ata vërtet kaq të dobët në raport me presionin që po u bëhet? Jo. Shqiptarët nuk janë një faktor më i dobët se disa vite më parë. Bile shumë më të fuqishëm se disa dekada më parë. Përveç kësaj, ata janë duke u forcu gjithnjë e më shumë. Fakti që qarqe antishqiptare po e rritin presionin mbi ta tregon pikërisht këtë forcim të faktorit shqiptar. Prandaj, ajo që duhet sot është ndërgjegjësimi i shqiptarëve për këtë fakt të thjeshtë.
Me se Serbia kërcënon sot? Me faktin që mund të shkaktojë destabilizim të rajonit. Por, edhe shqiptarët, megjithëse më të dobët, mund të shkaktojnë destabilizim po kaq të madh. Ata janë të shpërndarë në disa shtete dhe nëse kërcënimi i këtillë është për të përfitu pikë politike, atëherë edhe shqiptarët munden me lujtë me këtë kartë. Por, për me lujtë me këtë kartë ata duhet të kenë një faktor politik të ndërgjegjshëm për misionin e vet sot dhe për hapat që duhet të ndërmerren. Kjo nënkupton një bashkërendim dhe bashkim energjish dhe idesh. Ngjarjet në Kosovë, në vend që të tregojnë se sa i dobët është faktori shqiptar, mund dhe duhet të tregojnë se sa i fuqishëm është faktori shqiptar. Veprimet e qeverisë së Albin Kurtit janë largvajtëse në këtë drejtim, ato synojnë të dëshmojnë fuqinë reale të faktorit shqiptar që është në forcim e sipër. Çfarëdo ngurrimi, çfarëdo gabimi në këtë vijë do të ketë një çmim tepër të madh dhe do të duhet të kalojë një gjysë shekulli, në mos edhe një shekull tjetër, që faktori shqiptar të marrë veten dhe të dëshmojë edhe një herë fuqinë e vet të vërtetë.
Çdo shfaqje dobësie, çdo kompromis joparimor me Serbinë, po ashtu, do të bëjë që Serbia të përfitojë shumë, ndërsa shqiptarët të humbin tepër. Këtë fakt Albin Kurti e din shumë mirë dhe çdo veprim i tij është në funkcion të këtij riaranzhimit të pozicioneve negociuese dhe të rivendosjes së pikave referuese politike në të ardhmen. Kjo e bën Kurtin, pa dyshim, politikan vizionar. Ai po përpiqet të ngrejë peshën dhe rolin e faktorit shqiptar në një shkallë më të lartë. Kjo, natyrisht, nuk është e lehtë, por nuk është e pamundur. Në historinë politike vetëbesimi i tepruar asnjëherë nuk ka qenë më shkatërrimtar sesa vetëmosbesimi i tepruar.