Nga Enis Sulstarova
(artikull i botuar në revistën “Shenja”, maj 2022)
1. E djathta / e majta
Pas botimit të artikullit “Samiu i mbi-interpretuar” te nr. 128 i Shenjës nuk mendoja që brenda një kohe të shkurtër do të shkruaja sërish për Sami Frashërin në faqet e kësaj reviste. Kësaj radhe shkaku për t’u marrë me interpretimet bashkëkohore të veprës së rilindësit tonë të madh, ishte themelimi në Tiranë i Institutit për Studime Politike “Sami Frashëri” nga ana e disa intelektualëve me bindje ideologjike konservatore (shih https://samifrasheri.org/). Në një veprimtari prezantuese të këtij instituti, pjesëtarë të tij, studiuesit Ardian Muhaj dhe Mentor Beqa, parashtruan argumente se përse Sami Frashëri duhet konsideruar një mendimtar konservator. Nuk besoj se është hera e parë që Samiu cilësohet si “i djathtë”, por ironik është fakti se historiani Kristo Frashëri e hap librin e tij mbi historinë e së majtës në Shqipëri pikërisht me Sami Frashërin, për të cilin shkruan se është shqiptari i parë që njohim të ketë shprehur simpati për socializmin! Kristo Frashëri i referohet një shkrimi të Samiut të vitit 1878, ku ky komenton programin e Internacionales së Dytë të miratuar në Gota të Gjermanisë më 1875 dhe midis të tjerash shkruan edhe se “socializmi është një rrugë e madhe që e çon njerëzimin në stacionin e begatisë dhe të lumturisë” (cit. te K. Frashëri, “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së”, Tiranë, 2006, f. 11).
Lidhur me simpatinë që Samiu ka shprehur për socializmin, Kristo Frashëri nuk ka bërë tjetër veçse ka përsëritur vëzhgimin që gjendet në një nga studimet e para mbi mendimin politiko-shoqëror të Samiut, me autor Esat Reson dhe të botuar më 1962. Nisur nga metodologjia marksiste-leniniste e kohës, Resoja shkruan se botëkuptimi i Samiu ishte materialist dhe deist, se ai pranonte edhe teorinë e evolucionit, por edhe atë të krijimit hyjnor të njeriut. Reso kujdeset gjithashtu të na tregojë se Engelsi ka shkruar se deizmi për materialistin është një mënyrë e mirë dhe e lehtë për të larë hesapet me fenë, sepse, kështu nuk i duhet ta mohojë krejtësisht zotin dhe të pozicionohet si ateist dhe, në krahun tjetër, mund të pohojë se natyra vepron sipas ligjeve të veta, pa ndërhyrje hyjnore (E. Reso, “Pikëpamjet filozofike, politike dhe shoqërore të Sami Frashërit”, Tiranë, 1962, f. 49). Reso, Zija Xholi dhe studiues të tjerë në Shqipëri gjatë komunizmit e cilësojnë Samiun si një patriot iluminist e përparimtar, që ishte kundër obskurantizmit fetar dhe absolutizmit politik. Sigurisht që vlerësimi i tyre mbante edhe vulën e shtrëngesave ideologjike që u imponoheshin studiuesve nga regjimi komunist, por gjithsesi figura e Samiut që del nga studimet e asaj kohe është larg prej asaj të një mendimtari “konservator”. Edhe studiuesit shqiptarë nga trevat e ish-Jugosllavisë, të cilët kanë pasur lirinë e nevojshme për të hulumtuar aspekte të tjera të veprës së Samiut, si p.sh. artikujt kushtuar islamit e fesë në përgjithësi, nuk na kanë dhënë ndonjë Sami “konservator”. Përkundrazi, po t’i referohemi monografisë “Utopia letrare” të Sabri Hamitit, te manifesti “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” ndeshen elemente utopike në përshkrimin e Shqipërisë së ardhme (S. Hamiti, “Utopia letrare”, Prishtinë, 2013, f. 71-82). Duke e ditur se mendimtarët klasikë të konservatorizmit nuk i pëlqejnë utopitë ose i projektojnë ato në të shkuarën, Samiu, në këtë aspekt, ngjan më shumë me Kondorsenë, filozofin racionalist e liberal francez.
2. Idetë e Samiut në kontekstin historik dhe si trashëgimi
A duhet konsideruar Samiu konservator, socialist apo liberal? A është ai “i majtë” apo “i djathtë”? Po t’i vendosim idetë e shprehura në tekstet e tij brenda kontekstit osman, pamja duket e turbullt, sepse ndarje ideologjike që janë krijuar në situatat politike e shoqërore të Evropës Perëndimore nuk i përgjigjen me saktësi ndarjeve dhe përplasjeve politike në Perandorinë Osmane. Duhet mbajtur parasysh dhe censura shtetërore, e cila ndonjëherë pengonte shprehjen e drejtpërdrejtë të mendimeve në shtyp. Duhet mbajtur parasysh se Samiu shkruante herë në mbrojtje të interesave të perandorisë, herë në mbrojtje të kulturës turke brenda perandorisë, herë në mbrojtje të interesave shqiptare kundër publicistëve grekë ose progrekë që shkruanin në shtypin e Stambollit, herë në mbrojtje të interesave të islamit, kur ai mendonte se akuzohet me të padrejtë. Samiu ishte edhe shqiptar, edhe i lidhur ngushtë me kulturën turke, për të cilën ai dha një ndihmesë ndoshta më të madhe se çdo intelektual turk i kohës së tij, ai ishte edhe besimtar mysliman, qoftë edhe në trajtën e deizmit (por ta marrim si të vërtetë tezën e studiuesve të Shqipërisë komuniste), por ai ishte edhe nënshtetas osman. Nëse merrte penën për të shkruar për këto tema, sikurse e merrte penën për të shkruar artikuj popullarizues enciklopedikë, atëherë cili është Samiu ideolog? Edhe nëse e marrim Samiun vetëm si ideolog të nacionalizmit, duhet të mbajmë ndërmend se ai është ndër themeluesit e nacionalizmit kulturor turk, po aq sa i nacionalizmit shqiptar. Duhet mbajtur parasysh edhe evoluimi i ideve të tij në faza të ndryshme të jetës. Nuk them se një studim i botëkuptimit apo i transformimit të botëkuptimeve të tij është krejtësisht i pamundur. Studime të tilla janë bërë më parë dhe do të ndërmerren sërish. Ajo që po them është se kallëpet konservator, liberal apo socialist nuk vlejnë dhe aq, ose duhen përdorur me kujdes të madh për të karakterizuar mendimin e tij. Sigurisht që ai nuk ishte një konservator kur mbronte barazinë e burrit dhe gruas, sepse në perandori kishte intelektualë dhe klerikë që mbronin me zjarr pabarazinë. Në krahun tjetër, Samiu, sikurse është vënë re, nuk ishte aq radikal sa të deklarohej ateist, jo vetëm sepse diçka e tillë me gjasë do të sillte dënimin e tij, por edhe për faktin se kur ai mbronte islamin dhe qytetërimin islam prej akuzës se ata nuk ishin të përshtatshëm për botën moderne, duhet ta supozojmë se ishte i sinqertë dhe se nuk po i shërbente një ideje te e cila nuk besonte. Mund të themi se ishte liberal, por si t’ia bëjmë me faktin kokëfortë se me dorën e tij ka shkruar se socializmi është rruga e begatisë dhe e lumturisë për njerëzimin?
Ka edhe një mënyrë tjetër për t’iu qasur problemit të përkatësisë ideologjike të Samiut, që kam përshtypjen se ndjek Mentor Beqa në paraqitjen e vet të Samiut si konservator. Pavarësisht nga konteksti historik kur janë shprehur idetë e Samiut, ato tashmë përbëjnë një trashëgimi, e cila, përtej çështjeve konkrete për të cilat ato ide janë shprehur, tashmë ka marrë një peshë të vetën për të frymëzuar mendimet dhe veprimet tona në një kohë dhe kontekst tjetër. Marrë si trashëgimi ideore, mendimi i Samiut mund t’i shërbejë më shumë një rryme ideologjike se sa një tjetre, Pra, sikurse sot konservatorët në Britaninë e Madhe apo në SHBA mund të gjejnë frymëzim te Hobsi apo Bërku, por kështu edhe bashkëmendimtarët e tyre shqiptarë mund të gjejnë frymëzim te Samiu. Sigurisht që frymëzimi i të djathtëve apo i të majtëve shqiptarë te veprat e Samiut, i bën nder këtij të fundit, mirëpo unë mendoj se, prapëseprapë, karakterizimi i Samiut si i djathtë (ose i majtë) është jo vetëm i pasaktë, por edhe i dëmshëm. Është i pasaktë, sepse mendoj se konservatorët tanë kanë rënë në kurthin e vjetrimit të ideve. Në shek. XXI, kur intelektualët ekspozohen ndaj mendimeve të ndryshme dhe kur vazhdimisht përvijohen supozime filozofike nga më utopiket dhe reaksionaret në çdo cep të botës, është normale që ide të Samiut që për kohën e tij të jenë konsideruar si radikale, sot të na duken si konservatore. Po kështu, qëndrimi i matur që Sami ndonjëherë rekomandonte që nacionalizmi shqiptar të ndiqte ndaj perandorisë, i marrë veçmas koniunkturës së kohës, sot mund të na duket si maturia karakteristike e konservatorëve. Mirëpo, Samiu nuk kishte asnjë iluzion për vijimësinë e perandorisë së Ballkan dhe te manifesti i tij ai përdor një gjuhë tepër të ashpër ndaj turqve.
Karakterizimi i Samiut si ideolog i konservatorizmit mund të krijojë përshtypjen e gabuar se liberalizmi apo e majta në Shqipëri nuk ka se çfarë kërkon te shkrimet e këtij mendimtari. Interpretime të tilla tendencioze që e vënë figurën e Samiut në shërbim të një krahu politik shkojnë kundër mesazhit të tij për bashkimin e shqiptarëve për interesin më të madh të atdheut e të kombit. Diçka e tillë nuk do ta donte as Samiu apo rilindës të tjerë që me tekstet e tyre hodhën themelet e identitetit kombëtar shqiptar. Mendoj se intelektualë të kalibrit të Samiut apo të Vaso Pashës po të donin mund ta kishin shtruar çështjen shqiptare në terma të një ideologjie, duke e ditur fare mirë se nacionalizmi mund të shartohej me liberalizmin, konservatorizmin, por edhe me socializmin (terminologjia e “vetëvendosjes së popujve” ishte bërë pjesë e fjalorit socialist në Evropë dhe në vitin 1896 Internacionalja e Dytë Socialiste përfshiu në programin e saj një nen për “vetëvendosjen e të gjithë popujve”). Samiu, Vaso Pasha dhe rilindës të tjerë, pavarësisht bindjeve të veta ideologjike, vepruan me urtësi duke mos e kanalizuar çështjen shqiptare në një ideologji të caktuar universale. Ata kërkuan të drejtat e kombit shqiptar dhe projektuan një shtet modern shqiptar që do të radhitej pranë shteteve të zhvilluar të Evropës së kohës. Mënyrat se si do të trajtoheshin çështjet ekonomike dhe sociale në shtetin shqiptar ata nuk kishin se si t’i specifikonin në kohën kur nuk ekzistonin kushtet për organizime ligjore politike dhe nuk kishte një kuvend shqiptar ku të debatohej për këto çështje.
Për sa i përket ideve, ndarja e djathtë / e majtë mund të hetohet më herët se sa gjysma e parë e viteve 20 të shekullit të kaluar, por pak dobi ka një ndarje e tillë në mungesë të parlamentarizmit. Mund të themi se kjo ndarje përvijohet dhe merr peshë pikërisht në vitet e “demokracisë së parë” në Shqipëri (1920-1924), sepse atëherë ekzistojnë partitë, që mund të merrnin pozicione ideologjike për të ndikuar vendim-marrjen e qeverisë. Prandaj edhe në shtypin e kohës në Shqipëri vërejmë shkrime të natyrës ideologjike për mënyrën se si trajtohet zgjidhja e problemeve ekonomike e sociale. Për këtë periudhë ka njëfarë dobie të identifikohen rrymat politike e ideologjike dhe mund të dallojmë ata që marrin pozicione konservatore, liberale apo të majta-radikale. Sigurisht që edhe gjatë viteve të mbretërisë vijoi njëfarë ndarjeje ideologjike në shtyp midis “të rinjve”, “neoshqiptarëve”, “demokratëve” etj., edhe në mungesë të partive politike, sepse vijonte të ekzistonte shteti shqiptar. Në këtë mënyrë, bie fjala, Fan Noli është qartazi më i identifikueshëm ideologjikisht se sa Samiu, sepse të parit i ra fati të vepronte si politikan i një shteti shqiptar.
3. Shqiptarocentrizmi
“Duhet që çdo shqiptar të ketë gjithnjë, nat’ e ditë, ndër mend e në zemër shpëtimin e Shqipërisë e mbrothësin’ e kombit shqiptar”
Sami Frashëri
Kombit dhe atdheut i shërbehet përmes ideologjive, prandaj ideologjitë universale duhet t’ia përshtatim një vendi specifik, vendit tonë dhe jo t’ia sakrifikojmë vendin tonë e popullin zbatimit me rigorozitet të një ideologjie, siç ka ndodhur në periudhën komuniste. (Konservatorët shqiptarë mund të venë në dukje se konservatorizmi, ndryshe nga socializmi dhe liberalizmi, është gjithnjë specifik, sepse lidhet me traditat e një vendi. Gjithsesi, tashmë po qarkullon modeli “anglo-sakson” i konservatorizmit, që për disa mund të përfaqësojë një trajtë “universale” të kësaj ideologjie; të tjerë konservatorizmin po e përdorin si eufemizëm për neoliberalizmin, të cilin konservatorë si Edmund Bërku do ta kishin refuzuar.) Në vitin 2005 një grup intelektualësh neoliberalë në Shqipëri nisën përpjekjen e “ri-ideologjizimit” e debatit publik, që ky i fundit të mos rrotullohej rreth politikanëve apo siglave të partive politike, por të organizohej në dobi të ideve dhe programeve për zhvillimin e vendit. Hysamedin Feraj u përfshi në diskutim me këta “liberalë të rinj” për t’u kujtuar që të mos ngatërronin qëllimin me mjetin. Me fjalët e Ferajt, “qëllimi duhet me qenë Shqipëria d.m.th. shqiptarët ndërsa ideologjitë mjeti që i shërben qëllimit. Në këtë kuptim shpesh u kam thënë si me shaka se unë nuk kam ideologji, por nëse duan të më përcaktojnë patjetër, atëherë unë mund të jem shqiptarocentrik. Në kuptimin se në qendër (‘center’) kam vendosë (arbitrarisht) shqiptarët dhe gjithçka tjetër e shoh në varësi të këtij qëllimi, duke përfshi edhe ideologjitë… Mundet të kombinoj elementë të tyre pa u shqetësuar shumë për koherencën e mendimit. Po ashtu gjatë jetës do të ndërroja disa herë ideologjitë në varësi të kuptimit se çka është në interes të shqiptarëve tani dhe këtu, e jo metafizikisht, përherë. Me fjalë të tjera lojaliteti (besnikëria) im është ndaj shqiptarëve dhe jo ndaj ideologjive. Mbasi njeriu nuk ka shumë arsye të jetë besnik ndaj mjeteve, por ndaj qëllimeve” (artikulli i plotë mund të lexohet në Internet: https://albforumi.com/threads/polemika-mes-dr-hysamedin-feraj-dhe-liberaleve.1323/).
Duke u nisur nga pozita “shqiptarocentriste”, mendoj se rilindësit tanë, sidomos ata që i mbajmë si themeltarë të shqiptarizmit, si Veqilharxhi, vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto etj., të mos i nderojmë si përfaqësues të një ideologjie universaliste në mjedisin shoqëror e kulturor shqiptar e aq më pak t’i ngatërrojmë me “të djathtën” a “të majtën”, siç këto krahë të politikës paraqiten në partitë përkatëse në Republikën e Shqipërisë. Veqilharxhi, vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto ndërruan jetë përpara viteve 1912-1913 dhe ne nuk mund ta dimë se cilat do të kishin qenë qëndrimet e tyre mbi copëtimin e atdheut dhe mbi forcat politike në Shqipëri. Kësisoj, vlera më e madhe e veprës së tyre është mesazhi përbashkues, ai që ata e quanin “vëllazëria” shqiptare. Në hyrje të dekadës së tretë të shek. XXI kemi mbetur një komb i ndarë në disa shtete dhe na nevojiten rilindësit si apostuj të bashkimit shpirtëror e politik të shqiptarëve. Në këtë frymë, Samiut duhet t’i referohen shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, trojet e tjera etnike e diasporë; duhet t’i referohen besimtarët, laikët e ateistët; duhet t’i referohen të majtët e të djathtët etj. Çdo tërheqje e tij në njërin kamp apo në tjetrin, çdo përpjekje intelektuale për të pasur një “Sami tonin”, dobëson apelin e veprës së tij në gjuhën shqipe që i kushtohet pikërisht bashkimit të shqiptarëve. Duke shpresuar që kolegët e Institutit për Studime Politike “Sami Frashëri” ta mbajnë parasysh këtë vërejtje, u uroj suksese në kërkimet e studimet që do të ndërmarrin!