* * *
INTERVISTË ME PROF. – DR. MARTIN CAMAJ
Pregatitë dhe zhvillue nga: Gjeto SINISHTAJ
Pyetje: A mund te na jepni për lexuesit e “Diellit” nji pasqyre të shkurtë biografike?
Camaj: Kam lindë në Dukagjin, në krahinën e Temalit (tejmalit të Cukalit), në rrethin e Shkodrës para 52 vjetësh. Fillore e gjimnaz i kam ba në Kolegjin Ksaverian në Shkodër. Rrethanat e prunë që në vjetin 1948 të largohem nga vendi. Kam qëndrue për një kohë në Jugosllavi: në Belgrad kreva fakultetin filozofik dhe në Kosovë botova veprat e para letrare. Prej 1956 deri me 1960 kam studijue në univerzitetin e Romës. Qysh prej fillimit të vjetit 1961 jetoj në Mynhen, Republikën Federale Gjermane: në univerzitetin e Mynhenit kam dhanë sprovat e decenturës në albanologji. Prej këndej nuk kam luejtë ma vendi dhe tash kam rangun e profesorit të rregullt.
Mbasi më keni pyetë për një jetëshkrim të shkurtë duhet të ve në dukje edhe disa faktorë të jashtëm që kanë luejtë rol të madh në veprimtarinë time: kam pasë fatin të mos ndahem kurrë nga bota shqiptare dhe problemet letrare e gjuhësore tona; bile as nga shqiptarët: për disa kohë qëndrova në Tuz (1949), ku jam njoftë ma afër me banorët e Malësisë së Madhe. Kujtimet mbi këtë kohë më kanë mbetë të mbresuna përgjithmonë. Edhe kontaktet me Kosovarë kanë qenë dhe janë të pandërpreme aq sa shumkush kujton se jam Kosovar autentik, gja që do të ishte nder e madhe për mue, por s’jam. Tash një 20 vjet merrem edhe me gjuhën e kulturë të arbëreshëvet të Italisë se Jugut. Kam dhe kam në pregatitje shumë studime mbi gjuhë e kulturë të tyne. Dialektet arbëreshe janë tepër të vështira, po për mue edhe si linguist që jam, më kanë ba për vehte.
Pyetje: Simbas opinionit të përgjithshëm ju jeni shkrimtari dhe poeti shqiptar ma i miri në mërgim dhe ndoshta në atdhe. A pajtoheni ju me gjykime të tilla?
Camaj: Nuk më pëlqejnë krahasimet apo pëgjithësimet. Sidomos në këtë rast nuk janë me vend! Dhe, ja, pse: kushtet në të cilat krijojnë shkrimtarët në Shqipni janë të ndryshme nga ato në të cilat veproj unë apo secili nesh jashtë vendit. Artistët e shkrimtarët në Shqipni (nuk duhet folë gjithnjë vetëm për shkrimtarë, po edhe për piktorë, kompozitorë etj.), sidomos ata ma të rijtë, kanë pasë një tjetër rrugë formimi dhe sadopak ndër shkrimet e tyne ata praktikisht nisen nga tjera pikëpamje e qëllime. S’kemi se si të krahasohemi! Te mos harrohet se breznitë e shkrimtarëve të sotëm, tue përjashtue pak raste, nuk e kanë sosë ende ciklin e krijimit. Të njëjten gja mund të thom edhe për vete.
Pyetje: Dy veprat tueja të fundit — romani “Rrathë” dhe “Njeriu me vete e me tjerë” (poezi), si u pritën nga lexuesit e kritika letrare?
Camaj: Nuk kam mbikëqyrje të saktë se deri ku kanë mbërritë të lexohen të dy veprat e mia letrare te fundit. E di se romani ka ba shumë përshtypje: ka edhe ngurrime të gjykohen kudo për mirë ose për keq. Pra interesimi ka qenë tejet i madh. Nga letrat që kam marrë (përmbi 700 copë) shihet se lexuesi mesatar e ka kuptue përmbatjen edhe aty këtu simbolikën që fshehet mbas tij si vepër letrare që asht. Kam vërtetue dhe diçka tjetër që më gëzon: shumë lexues e kanë thye akullin e vështirësisë të kuptojnë stilin e gjuhën e romanit. Stili mund jetë i vështire tek unë, por jo gjuha. Të më lejohet të thom edhe diçka tjetër: vështirësia rrjedh edhe nga fakti se fjala shqipe që lexuesi e njeh prej gjuhës se folun, në kontekst të shkruem (tek unë apo te ndoj shkrimtar tjetër) ka tjetër ngjyrë e kuptim. Prandej nuk asht aspak turp që nganjëherë të kapet edhe fjalori në dorë ose të pyetet shoku mbi ndoj fjalë apo fjali.
(Gazeta «DIELLI», Boston, 1979)
Përgatiti për publikim Agim Morina
Vërejtje: Teksti origjinal nuk ka dy pikat mbi ‘e’ (ë). Ato janë vendosë prej meje.