Nga Enis Sulstarova
Kur lexon morinë e shkrimeve që në shtypin shqiptar iu kushtuan kujtimit të Arbën Xhaferrit, të bie në sy një cilësi që e përmendin të gjithë autorët e tyre: mendimi. Të gjithë janë në një mendje se Arbën Xhaferri ishte një politikan mendimtar. Si çdo politikan, edhe ai pësoi ulje-ngritjet, edhe ai u urrye e u dashurua, por askush nga miqtë e armiqtë, rivalët apo bashkëbiseduesit nuk ia mohoi atij cilësinë e mendimtarit në politikë. Kjo cilësi e bënte atë të përveçëm jo vetëm për skenën politike të shqiptarëve në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM), por edhe të krahasueshëm me shumë pak politikanë të Tiranës apo Prishtinës. Ai nuk ishte dogmatik, sikurse janë shpesh intelektualët e kalibrit të lartë kur i hynë karrierës politike, por nuk ishte as “pragmatist”, sikurse u pëlqen të shprehen për veten shumë politikanë shqiptarë, atëherë kur u duhet të shkelin mbi idetë dhe premtimet e të shkojnë nga fryn era e përkohshme e interesave vetjake apo e interesave e të huajve që ata i kanë pranuar si padronë. Arbën Xhaferri në politikë synonte realizimin dhe ruajtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve, duke shfrytëzuar mundësitë dhe duke kapërcyer pengesat që krijonin rrethanat gjeopolitike të kohës. Duke pranuar se ai ishte i rrallë ndër politikanët, ne vajtojmë edhe shterpësinë dhe mjerimin e politikës shqiptare që nuk po arrin të ngrihet në nivelin që ia kërkon detyra kombëtare. Arbën Xhaferrin si njeri, intelektual dhe politikan e takojmë nëpër faqet e librit.
Në Tetovë, në kërkim të kuptimit (Koha, Prishtinë, 2011). Te kjo intervistë e gjatë që i dha gazetarit Enver Robelli shfaqen kujtimet, pasionet, librat që ai lexonte, ëndërrimet dhe idetë e tij. Te ky tekst, i cili është një ndër të fundit që ai prodhoi, ndodhen shumë argumente që mund të formojnë njëfarë amaneti politik, d.m.th. disa porosi që Arbën Xhaferri do të donte t?ia linte kombit dhe politikës shqiptare. Më poshtë po grupojmë dhe lidhim disa nga idetë dhe argumentet që na duken se formojnë një vazhdimësi logjike, por që Xhaferri i ka shpërndarë nëpër libër, sipas pyetjeve që i ka drejtuar atij Enver Robelli. Në radhë të parë vjen identiteti kombëtar shqiptar. Xhaferri mendon se identiteti kombëtar shqiptar është i formuar nga rrjedha e historisë së popullit shqiptar në trojet e veta dhe se ai nuk është aspak i shpikur apo artificial. Në këtë kuptim, mitet historike të shqiptarëve kanë një bazë të fortë në ndodhitë dhe faktet reale historike. Siç e shpreh Xhaferri, miti është i amalguar me rrëfimin historik (f. 28). Përkundrazi janë kombet e tjerë përreth që kërkojnë të ndërtojnë një të shkuar tërësisht mitike, me qëllimin për t?ia kundërvënë fakteve historike. Këtë synimi i shërben p.sh. projekti urbanistik Shkupi 2004, me anë të të cilit sllavomaqedonët duan t?u mbushin mendjen vetes dhe të huajve se ata janë trashëgimtarët historikë të gjithçkaje të vlefshme që kanë krijuar popujt e rajonit jugor të Ballkanit. Në dallim prej shqiptarëve, që ndjehen natyrshëm në identitetin e tyre, te maqedonasit “përvetësimi arbitrar i vlerave të huaja flet për kompleks të inferioritetit, për një ndjenjë të zbrazëtisë që synohet vazhdimisht të mbushet me plaçka të reja” (f. 29). Në fund të fundit do të jetë realiteti që do t?i kundërvihet mitit, nëse ky i fundit nuk e merr parasysh të parin. Kjo u ndodhi serbëve: “Serbët e humbën Kosovën ngaqë e perceptonin atë jo si atdhe, por si një fiksion romantik, si një amanet anakronik fetar, si një mit që nuk korrespondon me realitetin, me logjikën” (f. 59-60). Nëse në këtë rrugë po ecin qorrazi edhe sllavomaqedonët, përfundimi do të jetë i njëjtë. Historia e shqiptarëve është për Xhaferrin një burim frymëzimi dhe force. Ai, si të thuash përpiqet të krijojë një dialog të përfytyruar me heronj si Jeronim De Rada, Hasan Prishtina, Azem Galica e deri familja e Jasharajve, për të kuptuar motivet që i nxitën ata që t?i përkushtohen dhe të flijohen për çështjen kombëtare. Synimi është “për të kuptuar kështu veten, atë që na lidh ne me ta, për të kuptuar jo vetëm kush jemi ne, por edhe çka jemi” (f. 28). Në thelb të identitetit kombëtar shqiptar qëndron figura e Skënderbeut, sepse, thotë Xhaferri, “në kodin e tij ndërlidhen të gjitha përkatësitë dhe veçoritë kombëtare të shqiptarëve, pa marrë parasysh dallimet ekzistuese, figura e tij rrezaton vlera me të cilat identifikohen shqiptarët e besimeve dhe krahinave të ndryshme, në simbolikën e tij të gjithë ne e ndjejmë veten në shtëpi” (f. 32). Sigurisht që edhe Skënderbeu ishte një njeri, me pasionet dhe të metat njerëzore si të gjithë të vdekshmit, por Xhaferri kërkon që të ruhet profili i burrit të shtetit dhe luftëtarit që na është përcjellë. Motivet personale të përpjekjes së tij nuk është e mundur të verifikohen qartë asnjëherë, mirëpo ne kemi mundësi të njohim dhe analizojmë veprimtarinë e tij politike, ushtarake dhe diplomatike, siç pasqyrohet në dokumente dhe jetëshkrime. Është aspekti publik i jetës së Skënderbeut ai që i vlen më shumë kujtesës kolektive të kombit, prandaj Xhaferri nuk pajtohet që përpjekja e jetës së Heroit, idetë që u bënë forca vepruese nëpërmjet saj të zëvendësohen nga “një instinkt psikologjik primitiv, siç është hakmarrja” (f. 33). Dihet se te shqiptarët modernë identiteti kombëtar merr përparësi ndaj identiteteve fetare, për vetë faktin se procesi i komb-formimit shqiptar nuk u bazua ekskluzivisht te njëra prej feve ku besojnë shqiptarët, por u përpoq që të krijonte një bashkim politik e laik, të bazuar te prejardhja, gjuha e kultura, përtej ndarjeve fetare. Për këtë arsye, Xhaferri e quan shoqërinë shqiptare “atipike” (f. 30), duke pasur parasysh lidhjen e fortë me një fe që kanë kombet përreth saj. Prandaj, ai sheh me shqetësim rikthimin e simbolikës dhe emocioneve fetare në politikën ballkanike, diçka nga e cila shqiptarët duhet të jenë syçelët. Xhaferri na porosit se “diversiteti fetar nuk mund të zhbëhet, por duhet të shndërrohet në kualitet të shoqërisë shqiptare dhe të kultivohet bindja se pjesë e identitetit kombëtar është edhe diversiteti fetar. Pa këtë strategji si dhe respektimi i paluhatshëm i parimit të shekullarizimit, shoqëria shqiptare do të përballet me vështirësi të pakapërcyeshme” (f. 36). Mbitheksimi i dallimeve fetare, thellimi i vijave ndarëve midis bashkësive fetare dhe ndezja e konflikteve fetare në Ballkan ndikon drejtpërdrejt parimet mbi të cilat është ndërtuar kombi shqiptar. Shoqëria shqiptare për të ruajtur kohezionin e brendshëm ka nevojë për t?iu referuar miteve të prejardhjes etnike dhe figurave kombëtare. Sërish, sipas Xhaferrit, Skënderbeu me ndërrimet e tij fetare në varësi të projektit të tij për liri, ofron “recetën e përsosur për krijim të kohezionit të brendshëm, saqë të shkon mendja se dikush, një intelekt mbinatyror na ka lënë një udhëzim për mbijetesë” (f. 32). Sigurisht që jemi të prirë që t?i japim këtë kuptim kumtit të Xhaferrit: për kombin shqiptar ka rëndësi mbijetesa e tij dhe jo vetëm mbijetesa e një prej përbërësve të tij fetarë apo dominimi i tij në dëm të kombit shqiptar. E cilësojmë këtë sepse ka pasur një tendencë të dëmshme për ta interpretuar fetarisht mitin e Skënderbeut: rritja si ortodoks, si mosha foshnjore dhe e pavetëdijshme e kombit, ndërrimi i detyruar në mysliman, si koha e robërisë dhe e pavërtetësisë së kombit dhe kthimi në katolik, si rilindje e vërtetë e kombit. Nëse mitin e Skënderbeut e pranojmë si kod të identitetit shqiptar, ashtu siç na e ka përcjellë Rilindja jonë Kombëtare, interpretimi më i saktë dhe i nevojshëm do të ishte se çdo periudhë e jetës së tij kishte vendin e saj në formimin e tij: pa lidhjen e hershme me atdheun, pa arsimimin dhe formimin ushtarak në ushtrinë osmane, pa lidhjet me botën e krishterë të atëhershme, Skënderbeu nuk do të ishte bërë ai që u bë dhe nuk do të bënte atë që bëri. Xhaferri është kundër atyre që faktin e ndërrimit të fesë te shqiptarët ta interpretojnë me një lloj papërcaktueshmërie identitare të tyren, për pasojë t?i quajnë ata të paaftë për të pasur një jetë kolektive si komb dhe të pafrytshme përpjekjen për bashkimin në një shtet kombëtar. Xhaferri na kujton se në histori kanë ndodhur e kundërta: kanë qenë shtetet ato që kanë konsoliduar bashkësitë dhe identitetet fetare, për të pasur në këtë mënyrë mbështetjen e masave. Shtetet mesjetare ballkanike kanë krijuar kishat e tyre të pavarura dhe këto ruajtën një identitet proto-kombëtar edhe kur shtetet u shkatërruan. Shqiptarët nuk kanë pasur mundësinë për të përdorur shtetin e tyre për të konsoliduar një fe kombëtare. Kësisoj tërheqja e Venedikut nga bregu i Adriatikut Lindor dhe forcimi i sundimit osman krijuan kushtet për ndërrimin masiv të fesë, por jo të përkatësisë etniko-kombëtare (f. 35-36). Xhaferri na kujton në intervistën e tij të gjatë disa fakte thelbësore për kolektivat kombëtarë: “Lufta e një populli kundër pushtuesit të huaj është obligim moral, demonstrim i përkatësisë ndaj bashkësisë që e përcakton identitetin e individit” (f. 58). Mirëpo që suksesi të arrihet duhet që parimi i përgjithshëm të realizohet në dhe përmes koniunkturave dhe këtu qëndron mjeshtëria e një politike kombëtare. Çlirimi i Kosovës u arrit, sepse lufta filloi në një çast historik kur armiku ishte i rrëzuar moralisht, ishte kompromentuar rëndë në luftërat pararendëse dhe kishte humbur përkrahjen ndërkombëtare (f. 59-61). Sipas Xhaferrit, politika shqiptare, me gjithë përçarjet, dobësitë dhe problemet e tjera të saj i kapitalizoi dështimet e armikut. Mbi të gjitha, ishte sjellja kolektive e shqiptarëve të Kosovës, diçka që Xhaferri e quan “gjenialiteti i popullit” (f. 62), ajo që ka meritën më të madhe për rreshtimin në krahun e demokracive perëndimore në kohën e duhur, si përpara, po ashtu edhe gjatë konfliktit të armatosur me serbët. Kosova u kthye në një betejë morale, në një “Armagedon ku u përball e mira me të ligën” (f. 76). Ndryshe nga shumë analiza dhe komente të përcipta që hasim në shtypin shqiptar, Xhaferri i jep vendin që i takon nacionalizmit në historinë moderne të Europës. Nacionalizmi u shfaq në politikë pikërisht me ndryshimet epokale të humanizmit dhe iluminizmit, që shënuan çlirimin e njeriut nga autoritetet e imponuara. Shteti kombëtar është një formë e suksesshme e organizimit njerëzor, në krahasim me perandoritë dhe federatat heterogjene: “Nacionalizmi u bë kështu faktori kryesor që krijoi kohezionin e brendshëm të shtetit, stabilitetin e një shoqërie” (f. 87). Xhaferri ka të drejtë kur vëren se Zvicra, e cila citohet shpesh si shembulli i një shoqërie dhe shteti shumëkulturor, është një fakt i organizuar së brendshmi sipas modelit etno-kombëtar. Po kështu po organizohet edhe Bashkimi Europian (f. 124). Pra, ai nacionalizmin shqiptar, d.m.th. doktrinën politike që kërkon krijimin e një shteti të vetëm kombëtar për shqiptarët në Ballkan, nuk e dënon si regresive, siç bëjnë rëndom dhe në kor shumica e politikanëve bashkëkohorë shqiptarë, por e sheh si një aspiratë të drejtë për emancipim dhe që është në pajtim me trajektoren historike të Europës moderne. Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë nuk janë diçka e rastësishme dhe as dukuri vendore. Sikurse demonstratat e punëtorëve në Poloni në të njëjtën kohë treguan se premtimi klasor i socializmit kishte dështuar, po kështu Kosova dëshmoi se premtimet e socializmit për zgjidhjen e çështjeve kombëtare dhe etnike nuk kishin shpresë të realizoheshin (f. 166). Shqiptarët e ish-Jugosllavisë po vendoseshin në ballë të revolucioneve që do të sillnin fundin e komunizmit në Europën Lindore. Këtu është me interes që të krahasohet mendimi i Arbën Xhaferrit me atë të një tjetri mendimtar-politikan shqiptar, Ukshin Hoti, sepse edhe ai demonstratat e vitit 1981 në Kosovë i interpretonte sipas ndryshimeve më të gjera që po përjetonte Europa. Jugosllavia ishte një krijesë artificiale e mbajtur në këmbë nga Lufta e Ftohtë. pas shpërbërjes së Jugosllavisë, IRJM-ja është pranuar si një zgjidhje realiste për të shmangur luftën ballkanike që mund të shkaktonte copëtimi i saj. IRJM-ja mbetet shteti me popullsinë më heterogjene në Ballkan, ku ndodhen dy shoqëri paralele: ajo sllavomaqedone dhe ajo shqiptare. Ka qenë një konstante e mendimit dhe e veprimit politik të Xhaferrit se nëse IRJM-ja do të kërkojë të mbijetojë si shtet, ajo duhet të respektojë dhe jo të anashkalojë çështjen e dy kombësive që e përbëjnë atë. Ekzistencës së shtetit maqedonas tani nuk i vjen rreziku nga jashtë, por nga brenda. Përvoja e vendeve demokratike ofron modelet e demokracisë bashkëpëlqimore (konsensuale), autonomisë territoriale, federatën shumëkombëshe dhe konfederatën. Në fund, nëse dy kombet që e përbëjnë këtë shtet nuk arrijnë të ndërtojnë një shtet të qëndrueshëm, atëherë i vjen radha ndarjes në paqe, sikurse ndodhi midis çekëve dhe sllovakëve dhe nesër mund ta shohim të ndodhë midis flamandëve dhe valonëve të Belgjikës (f. 145). Xhaferri do të kërkonte që elitat politike të dy kombeve ta shohin në sy realitetin dhe me guxim të merrnin përsipër detyrën historike për ta bërë IRJM një shtet demokratik, të drejtë dhe të paanshëm në trajtimin e kombeve dhe pakicave etnike që e përbëjnë atë. Përndryshe duhet pranuar ndarja e shtetit në linjat kombëtare dhe duhen krijuar kushtet që kjo të bëhet paqësisht. Dëshira për një shtet për kombin shqiptar është diçka e natyrshme dhe buron nga nevoja e shqiptarëve për të ruajtur dhe shpalosur identitetin e potencialet e veta si popull në erën moderne. Politikanët dhe analistët ndërkombëtarë mund të mos e pranojnë këtë fakt të thjeshtë, mirëpo Xhaferri u kujton atyre se nacionalizmat e shteteve të përparuara nuk “bien në sy”, sepse janë të institucionalizuar. Popujt e mëdhenj të botës “jo vetëm që nuk distancohen nga nacionalizmi i tyre, por atë e shndërrojnë në vlerë ndërkombëtare” (f. 187), duke eksportuar kulturat dhe vlerat e tyre kombëtare jashtë vendeve të tyre. Ndryshe ndodh me shqiptarët, ku nacionalizmit të tyre politikanët nuk i dalin për zot, sepse e duan ta fitojnë përkrahjen nga jashtë dhe gjithmonë janë në kërkim të doktrinave alternative. Si rrjedhojë, Xhaferri vëren se “nacionalizmi shqiptar është pasiv, në krahasim me popujt përreth të cilët vazhdimisht janë aktivë” (po aty). Xhaferri nuk iu shmang përgjegjësisë kombëtare, këtë e ka vlerësuar një politikan tjetër mendimtar që ndan ide të ngjashme, Albin Kurti, i cili shkruan se “porosia e Arbën Xhaferit është se Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk kanë dhe as që kanë nevojë të kenë alternativë. Bashkimin kombëtar të shqiptarëve ai e shihte si kauzë të drejtë dhe të dobishme si nga këndvështrimi kulturor dhe ekonomik, po ashtu edhe nga ai politik e historik. Arbën Xhaferi thoshte që shqiptarët për ta ndryshuar gjendjen e tyre nuk duhet të ndryshohen ata vetë si shqiptarë që janë. Ndryshimi i situatës së shqiptarëve bëhet duke mos ndryshuar shqiptarët, duke mbetur shqiptarë, duke u bërë e ribërë përherë shqiptarë”. Për aq sa na e lejon hapësira e një artikulli, paraqitëm disa ide themelore që Xhaferri ka shprehur në librin e fundit të tij, fryt i bisedës dhe bashkëpunimit të tij me Enver Robellin. Në përfundim e përsërisim se Arbën Xhaferri ishte rilindës, sepse idetë e tij janë vazhdim i ideve të Rilindjes Kombëtare. Mirëpo ai nuk ishte rilindës modern, sikurse e quajti dikush, sepse Rilindja jonë nuk është arkaike dhe as paramoderne, ajo është hapëse e modernitetit të shoqërisë shqiptare dhe idetë e saj janë aktuale edhe në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shqiptarëve. Aq më pak ishte Xhaferri rilindësi i fundit, sikurse e quajti një tjetër, sepse rilindës shqiptarë do të ketë për aq kohë sa do të ekzistojë kombi shqiptar. Sa të jetojë ky i fundit, do të ketë shqiptarë që do të mendojnë dhe punojnë për ta rimëkëmbur, për ta “rilindur”. Është e natyrshme që kur një personalitet i rëndësishëm politik dhe intelektual i kombit largohet nga jeta, përcjellja e tij të kryhet me lavdërime. Mirëpo, ndërsa koha kalon dhe gjërat ndryshojnë, kujtimi dhe nderimi i vërtetë për të do të ishte përpjekja jonë për të kuptuar jetën dhe përpjekjen e tij. Nëse gjykojmë se problemet janë të njëjta me ato me të cilat përballej Xhaferri, nëse zgjidhjet që ofronte ai vlejnë akoma për shqiptarët e IRJM-së dhe kombin shqiptar në tërësi, është detyra jonë vazhdimi në të njëjtën rrugë ku eci ai. Rrugëtimin për emancipimin e kombit të vet, ai e quante maratonë dhe ne e dimë se jemi ende larg prej finishit.