Krijimtaria letrare është trungu i pemës shumëdegëshe i identitetit kulturor të një kombi! Është trungu sepse ruan dhe kultivon, mbi të gjitha, gjuhën e kombit! Ndaj, letërsia shkruhet dhe konsumohet prej të gjithë pjesëtarëve të një kombi, pavarësisht ku shtrihen, ku jetojnë e ku veprojnë. Letërsia e shkruar i nënshtrohet vlerësimit të kritikës profesionale kombëtare, e cila merr në konsideratë çdo vlerë letrare e shkruar në të njëjtën gjuhë, në çdo cep të botë.
Çka po ndodhë me letërsinë bashkëkohore shqiptare? A po i nënshtrohet parcializimit të grupimeve provinciale dhe ky parcializim, a po institucionalizohet apo po shkaktohet privatisht prej një grupthi krijuesish të mbërthyer nga kompleksit narcisoid? Faktet flasin se ora e letërsisë shqiptare po troket në laboratorin e ndasive kobzeza letrare dhe të krijimit të “elementeve kombëtare” të reja që do t’i përkasin “familjes së gjuhëve shqipe” (pandam grupit të gjuhëve indoevropiane)! Për të qenë tmerri dhe më i madh, për këtë “parcializim të letërsisë kombëtare” kontributin e vet e jep edhe vetë Shteti Amë!
Natyrisht, me një korrigjim të vogël, nga kjo përgjegjësi do të amnistohej Shteti, vetëm sikur sintagmës “poezia shqipe” t’i shtohet edhe fjalia “që krijohet në Shqipëri”, ose sikur të precizohej me ligj “antologjia e poezisë shqiptare që krijohet në Shqipëri” dhe jo të aludohet në poezinë si krijim i “letërsisë shqiptare”, sepse nën këtë sintagmë përfshihet letërsia e gjithmbarshme shqiptare që krijohet kudo në botë!
Shteti shqiptar ka themeluar institucionin nacional “Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”, e cila, veç tjerash, ka themeluar edhe çmimin “Poeti Laureat”, bazuar në VKM Nr. 24, miratuar më datën 16.01.2019, si dhe në Vendimin Nr. 14 të Kolegjiumit mbi projektin “Poeti Laureat”! Para dy-tri vite “Poeti laureat” në mesin e 25 poetëve konkurrent (që të gjithë nga Shqipëria) u zgjodh Rudolf Marku! Vetëm tani mund të kuptohet “antologjia” e tij që ngriti aq shumë pluhur në kritikën letrare kombëtare!
Sipas këtyre rekomandimeve ligjore të legjislacionit shqiptar në fuqi, “Poeti Laureat” do të duhet të ndërtojë strategjinë personale të promovimit të vlerave të poezisë gjatë një mandati dyvjeçar dhe të realizojë hartimin e një antologjie me poezinë për të cilën përzgjidhen veprat dhe autorët për t’u vlerësuar e që duhet të jenë ekskluzivisht persona fizikë apo juridikë që ushtrojnë veprimtari në fushën e botimit në territorin e Republikës së Shqipërisë!
Kështu, siç është konceptuar ky çmim letrar, kemi të bëjmë me një gafë të Shtetit Shqiptar, i cili kyçet në një projekt lokal gjysmë provincial, në të cilën nuk përfshihen të gjithë poetët shqiptarë! Pra, në gara për këtë çmim nacional përfshihen vetëm poetët e Shqipërisë e që ka të bëjë me poezinë shqiptare që krijohet brenda territorit të Shqipërisë! Megjithatë, “fasadën gjithëkombëtare” ia jep përfshirja e një poeteshe shqiptare nga Kosova në krye të komisionit për “Poeti Laureat” që sivjet do t’i ndahet njërit-njërës prej 10 poetëve (poeteshave)!
Poetët nga Kosova, ata nga Maqedonia e Veriut, ata nga Lugina e Preshevës, Malit të Zi, por edhe poetët shqiptarë që krijojnë nëpër botë, janë të denjë për çmime ndërkombëtare! Të mos përfshihet dhe të mos nderohet deri më sot me këtë çmim Luljeta Lleshanaku, Xhevdet Bajraj (pos hume), Sabri Hamiti, Halil Matoshi, Sali Bashota, Shkelzen Halimi, Lindita Ahmeti, Nurie Emërllahu, Nehas Sopaj etj., kjo vërtetë që shpreh një qëndrim institucional të një “komuniteti poetësh e kulturologësh” që nuk kanë haber as me librin dhe as me poezinë!
Të njëjtën gafë të paramenduar mirë po e bëjnë edhe disa asociacione “kombëtare”, të cilët, në emër të krijimtarisë shqiptare përpiqen të vendosin për do çmime që ndahen gjatë “Panairit të Librit”! Një komision i ngushtë kombëtar (të gjithë emra personalitetesh të nderuar por vetëm nga Shqipëria), e ka të pamundur që të jetë objektiv në ndarjen e çmimeve në “Panair”, sepse e kanë të pamundur që t’i kalojnë të gjithë ata autorë, ata krijues, ata botues e produksione letrare gjithëshqiptare! Nëpër këto komisione të mos përfshihen krijues e kritikë nga viset e tjera etnike si dhe nga diaspora, vërtet që flet për do politika që dëshirojnë të kufizohen vetëm brenda kufijve administrativ të shtetit shqiptar! Se cili është qëllimi i këtyre politikave, këtë mund ta dinë vetëm politik-bërësit jokombëtar! /HEJZA/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *