Nga Agim Morina
Florence Hartmanni është shkrimtare dhe gazetare franceze e Le Monde-it, korrespondente për Ballkanin në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Në vitet 2000-2006, ajo ishte zëdhënëse e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë në Hagë. Ajo, po ashtu, është autore e disa librave shumë të rëndësishëm për luftat në Jugosllavi dhe gjykimin e kriminelëve në Hagë.
Është autore e librave: “Milosevici – Dijagonalja e një çmenduraku” (2002), “Paqja dhe dënimi – luftat e fshehta të politikës dhe drejtësisë ndërkombëtare“, (2007), “Denoncuesit, ndërgjegjet e vrara të demokracive tona” (2014) dhe “Afera e Srebrenicës – Gjaku i realpolitikës” (2015).
Gjatë punë së saj si gazetare ajo pa me sytë e saj zhvillimin e ngjarjeve në Jugosllavi dhe në tetorin e vitit 1992 zbuloi vendin e një varri masiv në Ovçarë të Kroacisë me 263 të vrarë të cilët ishin dërgu atje nga spitali i Vukovarit. Me 2006 ajo dha dëshmi në Tribunalin e Hagës kundër oficerëve të APJ-së: Mile Mrkšići, Miroslav Radići and Veselin Šljivančanini.
TRIBUNALI I HAGËS FSHEH DY DOKUMENTE DHE SHPËTON SERBINË
Gjatë punës si zëdhënëse e Tribunalit të Hagës, ajo në shkrimet dhe librat e saj nxori në shesh të vërteta që qarqe të realpolitikës dhe drejtësisë ndërkombëtare nuk i gëlltitën me lehtësi. Në vitin 2011 kundër zonjës Hartmanni u ngrit akuza nga Gjykata e Hagës për mosbindje ndaj Gjykatës dhe u dënu me shtatë ditë burg dhe gjobë prej 7 mijë eurosh, për shkak se në librin e saj “Paqja dhe ndëshkimi” kishte nxjerrë në dritë të dhëna konfidenciale në lidhje me dy vendime të Tribunalit që miratonin bllokimin dhe përjashtimin e dy dokumenteve shumë të rëndësishme të historisë së luftave në Jugosllavi të ofruara nga Beogradi për procesin gjyqësor kundër kryetarit të Serbisë, Slobodan Miloševići, që tregonin për përfshirjen e Serbisë në Gjenocidin e Srebrenicës. Hartmanni pohoi se Dhoma e Ankesave po censuronte padrejtësisht evidencën që mund të përfshinte Serbinë dhe Malin e Zi në gjenocidin që kishte ndodhë në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Vendimi i Tribunalit për me garantu konfidencialitet për pjesët kyçe të dokumenteve të luftës pranoi se zbulimi i këtyre dokumenteve “do të dëmtonte interesat vitale” të Serbisë, duke qenë se Bosnjë e Hercegovina kishte nisë procesin me kërkesën për dëme të luftës nga Serbia.
«MITROVICA NUK ËSHTË ÇËSHTJE SHQIPTARO-SERBE»
Pjesa që ne na intereson më shumti është deklarata e Hartmannit në një konferencë shtypi rreth Mitrovicës. Kjo deklaratë tepër e rëndësishme ka mbetë e pasqaruar deri në fund. Gazetarët e Kosovës do të duhej të kontaktonin zonjën Hartmanni dhe të kërkonin informacione më të thella rreth këtij pohimi të saj, sepse ato ndërlidhen edhe me ngjarjet e kohëve të fundit dhe me fatin e veirut të Kosovës.
Për fat të keq nuk e kam as citatin, as datën e saktë të kësaj deklarate, por përmbajtjen e saj e kam mbajtë në mend për shkak të rëndësisë që ka ajo. Duhet të ketë qenë në dhjetë vitete fundit. Ajo u pyet nga një gazetar rreth ngjarjeve në Mitrovicë dhe mundësinë e pajtmit mes shqiptarëve dhe serbëve. Ajo tha, po e parafrazoj, se “çështja e Mitrovicës nuk është problem shqiptaro-serb, por një problem palësh jashtë Kosovës”.
Nëse do të përpiqeshim të analizonim këtë me një prapavështrim të ngjarjeve në veriun e Kosovës, përfundimi që do të mund të vinim është që njëra “palë” “jashtë Kosovës” e përfshirë këmbekrye në veri është Franca. Qarqe politike dhe ushtarake proserbe franceze janë shkaktare të krizës së pazgjidhur të veriut të Kosovës. Këtë e shpjegon më së miri dëshmia e gjeneralit, Jacques Hogardi, një antishqiptar i përbetuar dhe proserb i verbët, i cili ka një aktakuzë për krime lufte për rolin e tij në Gjenocidin e Ruandës. Ky ushtarak kriminel francez në çdo paraqitje publike ka folë kundër shqiptarëve më zi se Milosevici, Seselji e Vucici bashkë. Bile ka edhe një libër thellësisht antishqiptar “Europa ka vdekë në Prishtinë”.
Hogardi, për fat të keq, në pjesën e parë të vitit 1999, – dmth. gjatë luftës së Kosovës – ka qenë i stacionuar në Maqedoni, si pjesë e Komandës për Operacione Specale të Francës dhe pastaj ka hy në Kosovë me Brigadën Franceze të KFOR–it.
Në një fjalim të tij, në Parlamentin Europian në Bruksel, me 28 nëntor 2018, i akuzuari për krime lufte në Tribunalin e Hagës, Hogardi tha hapur:
“Sidoqoftë, unë vetë, personalisht, kurrë nuk kam mendu që “Republika e Kosovës” ka të ardhme. Unë kam thënë dhe ka shkru: ky shtet kukull nuk ka asnjë zgjidhje tjetër pos që t’i bashkohet Mëmëdheut, Serbisë, ose të shkrihet me Shqipërinë okupatore. Por do të ishte një “grabitje”, sa e padrejtë aq edhe e pabesueshme, që do të arrihej brenda një çerek shekulli nga klanet mafioze të Kosovës me bekimin e institucioneve ndërkombëtare.
Po të ndodhte kjo, sigurisht që do të ishte fillimi i një periudhe trazirash shumë të mëdha në gjithë Ballkanin.
Ne, populli francez, kemi parë në vitin 1871 atë që ndodhi me Alzasin dhe Lorenën e aneksuar padrejtësisht nga Gjermania!
U deshën pothuajse 50 vjet, pastaj një luftë botërore dhe miliona vdekje që këto provinca franceze të ktheheshin më në fund në Francë, në atdheun e tyre.
Të jemi të qartë, kur të vijë koha, kështu ka me ndodhë edhe me Kosovën. (…) Kosova e Metohija është pjesë integrale e Republikës së Serbisë.”
Ky ushtarak kriminel francez ka qenë komandant dhe njeriu që e ka nda Mitrovicën, që ua ka ndalu shqiptarëve kthimin në shtëpitë e tyre pas gjenocidit serb mbi shqiptarët, që ka ba spatrim etnik të shqiptarëve nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe që ua ka lënë duart e lira kriminelëve serbë të vrasin sa më shumë shqiptarë. Kundër këtij krimineli Shqipëria do të duhej me ngritë një akuzë të dytë për krime lufte, pas asaj të Ruandës, akuzë për gjenocid në Kosovë.
«VORRI I DYNJASË ASHT KOSOVA»
Nga ky vështrim fjalët e zonjës Hartmanni marrin kuptim të plotë. Por, cila është “pala e dytë” në këtë çështjen e veriut të Kosovës? Prap, sipas të dhënave rrethanore, del që palë e dytë duhet me qenë pala amerikane. Vetëm me stacionimin e trupave amerikane në veriun e Kosovës nisi vendosja e ligjit dhe rendit. Kështu në veri nuk po luftohet vetëm Serbia klerofashiste, por edhe qarqe neofashiste dhe antiamerikane franceze. Me bë deshifrimin e deklaratës së Florence Hartmannit, në veriun e Kosovës nuk është vetëm një konflikt i dukshëm shqiptaro-serb, por edhe një konflikt shumë më i madh i padukshëm amerikano-francez.
Ashtu si shpesherë në histori, epiqendra e lëvizjeve tektonike të interesave gjeostrategjike të superfuqive botërore është përqëndruar mbi trojet shqiptare, më saktë mbi Kosovën, dhe syçeltësia, kujdesi i shtuar, i saktë, i pagabueshëm i përzgjedhjes së aleatëve nuk është më çështje pësimi, por çështje e mbijetesës sonë kombëtare. Në këtë vijë, uniteti i klasës politike shqiptare duhet të jetë më i madh se kurrë. Ose, do të ndodhë ajo që pleqtë në Kosovë e thoshin dhe e thonë shpesh se “vorri i dynjasë asht Kosova”.
28 shtator 2023