Nga Agim Morina

THJESHT NUK PO MUNDEM ME AKORDU GITARËN

Thjesht nuk po mundem me akordu gitarën dhe vallëzimi gati sa s’ka nisë. Janë mbledhë turmë e madhe në dhomë, shumica prej tyne të dhanun mbas ahengut e mbas miqve dhe të dashunave të tyne, por prap shumë njerëz, kur po shikoj nalt nën e flokët e gjatë që më varen mbi sy, i shoh tue lëvizë rretherrotull dhomës. Rri i përkulun mbi gitarën teme, tue kthy e tue rrotullu një akordues, e rrotulloj deri në fund dhe teli gati lëvaret nga ura, krejt i dëshpëruem, dhe masandej  i bie tue i dridhë telat teksa e rrotulloj akorduesin ma shumë, ma shumë, ndëgjoj tonin qysh rrëshqet ma nalt, i bie dy telave, tash a asht në rregull? jo, gjithmonë tingëllon pak i paakorduem, apo jo, dhe e shtrëngoj ma shumë, e shtrëngoj dhe e shtrëngoj, ma shumë e ma pak, e shtrëngoj dhe e shtrëngoj dhe bateristi godet me gjithë fuqinë që ka dhe godet cimbalet dhe basisti godet gjithashtu dhe djaloshi tjetër në gitarë qëndron aty tue kcy akord mbas akordesh e unë thjesht nuk po mundem m’e akordu këtë gitarë të dreqit. E rrotulloj ma shumë akorduesin dhe teli këputet. I shtyj flokët mbrapa dhe bërtas se tel u këput. Të tjerët thjesht vazhdojnë me gumëzhimën. E heq gitarën nga priza dhe shkoj në prapaskenë, kam tela rezervë në kutinë e gitarës. E gjej një tel të ri të tretë. E zavendësoj telin, e rrotulloj akorduesin derisa teli nxjerr za. Kthehem në skenë. E fut në prizë sërish dhe filloj me akordu. Nuk ndëgjoj gja. Bërtas që të tjerët të ndalen e të mos vallëzojnë. Ata ndalen. Përpiqem me akordu gitarën. Nuk mundem. Kërkoj nga gitaristi tjetër me m’i dhanë notat, ai lun një G në telin e tretë. E rrotulloj akorduesin.

Pak ma shumë, thotë.

E rrotulloj edhe pak. Shikoj gitaristin tjetër dhe ai e tund kryet pak. E rrotulloj edhe pak, i bie telit. Aj kqyr nalt, ndalet, ngon.

Pak ma shumë, thotë.

E shtrëngoj pak ma shumë dhe i bie.

Pak ma shumë, thotë.

Atëherë nis e tingëllon qysh duhet.

Gati qaty, thotë. Ndoshta pak ma shumë.

E shtrëngoj pak ma shumë dhe i bie.

Pak ma pak, thotë.

E labërgoj pak dhe i bie.

Dreqi e hangërt, thotë. Nisja prej fillimit, ta provojmë prap, thotë.

E rrotulloj akorduesin deri në fund. Aj i bjen telit të tretë në gitarën e vet. Filloj me rrotullu akorduesin ma shumë. E ndëgjoj që po afrohet. Po afrohet. Shoh gitaristin tjetër tue pohu me krye. E rrotulloj edhe pak. Dhe tash tingëllon tamam, gati përsosmënisht.

Shumë ngat, thotë gitaristi tjetër.

E rrotulloj edhe pak dhe tash më ik, e rrotulloj ma shumë dhe e ndëgjoj që po afrohet prap. Pak ma shumë.

Venia mendjen tash, thotë gitaristi tjetër.

E rrotulloj edhe pak. Dhe e ni, teli këputet.

Dreqi e hangërt, thom.

Shko merre një tjetër, thotë gitaristi tjetër.

Shkoj prap në prapaskenë dhe për me marrë një tel tjetër te kutia e gitarës. Por nuk kam ma tela të tretë. Piskas e thom se nuk kam ma tela të tretë, thom se duhet me ma huazu një, dhe gitaristi tjetër shkon te kutia e tij e gitarës dhe kërkon një tel. E shoh të përkulun në gjuj mbi dysheme tue gërmu kutinë e tij të gitarës dhe tue kërku një tel. Më shikon.

S’po ma merr mendja që e kam një të tillë, thotë.

Gërmon rreth e rrotull në kutinë e tij të gitarës edhe pak. Çohet dhe tund kryet.

Jo, thotë. Asnjë tel G.

Masandej mendoj se ka me m’u dashë me i ra gitarës vetëm me pesë tela, thom.

Kjo ndoshta funkcionon, thotë.

Njerëzit janë këtu tashma, thom.

Hajt se kjo ka me funksionu, thotë.

(Marrë nga përmbledhja me tregime “Skena të fëminisë”, 2018, përk. në anglisht nga Damion Searle; përk. në shqip nga A.M.)

* * * 

Jon Fosse  (1959) asht shkrimtar dhe dramaturg norvegjez që ka marrë Çmimin Nobel të Letërsisë për vitin 2023 për “dramat dhe prozën risimtare që i japin za të pathanshmeve”. 

Si shtatë vjeç pati një aksident nga i cili gati vdiq. Kjo ndikoi në shkrimet e tij të mavonshme. Ka studiu letërsi krahasuese. 

Pjesa interesante e të shkruemit të tij asht se Fosse shkrun në Nynorsk, që në shqip kish me i ra me shkru në gegënishte, ngaqë norvegjishtja i ka dy gjuhë standarde.

Ka shkru romane, drama, tregime të shkurta, poezi, ese dhe libra për fëmijë. Veprat e tij janë përkthy në ma shumë se katërdhetë gjuhë. I bjen violinës. Ka marrë një varg shpërblimesh të ndryshme ndërkombëtare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *