Nga Sebastian Zonja

Kur ra Bashkimi Sovjetik, filozofi britanik Xhon Grei shkroi se ky është fillimi i diçkaje që e kemi parë më herët – luftëra fetare, luftëra për territor dhe luftëra etnike. Plasën kudo, nga Ballkani në Afrikë. Elitat intelektuale dhe politike të kohës nuk e besuan. Ato ishin bindur nga politologu Frensis Fukujama se kishte ardhur fundi i historisë. Sipas tij bota kishte hyrë në një etapë të re, do bëhej më e paqtë, sepse të gjitha vendet po shkonin drejt demokracisë liberale. Amerika kishte triumfuar. Nuk kishte parë asnjëherë njerëzimi të atillë superfuqie, e cila qeveriste e vetme globin. Mirëqenia u rrit me shpejtësi nëpër të gjithë botën. Amerikanët dhanë modelin e tyre. Njerëzit, nga viti në vit, filluan të jetojnë më mirë. Liritë, pak nga pak, u shtuan. Modeli amerikan ishte më i mirë se ai sovjetik dhe të mëhershmit. Morali i tyre i lartë, virtytet për një botë më të mirë, përdorimi i forcës kundër dhunuesve dhe vendosja e një rendi ku shumë shtete po prosperonin ishte fillimi i hegjemonisë së tyre nëpër botë.

Ndërkohë, me modelin e vet në mendje për të përhapur demokracinë dhe liberalizmin, i duhej edhe një armik. U rrotullua nga u rrotullua dhe gjeti fenë. Mahmud Mahmadani, babai i kandidatit demokrat për kryebashkiak të Nju Jorkut, Zohran Mahmadani, shkruan në librin e tij “Good Muslim, Bad Muslim: America, the Cold War, and the Roots of Terror” se SHBA-të, me anë të CIA-s dhe organizatave të tjera, krijuan dhe financuan formën radikale të islamit politik në Afganistan. Nën doktrinën e shparatllimit të sovejtikëve kjo formulë dha rezultat. Siç mbushën me drogë Amerikën latine për të luftuar komunizmin, këtej nga Lindja e mesme duheshin gjetur formula të tjera për të mundur sovjetikët.

Sovjetikët ikën me bisht ndër këmbë nga Afganistani. Mahmadani shkruan se, siç ndodh gjithnjë, hoxhallarët e indoktrinuar keqas mbetën pa lekë dhe filluan të përhapen nëpër botë.
Amerika s’i kushtoi vëmendje të madhe se tani kishte një bllok të tërë (ish-Bashkimi Sovjetik) që ishte hapur si treg i ri ku dhe duhej të shkonin kompanitë gjigante të investonin. Për më tepër, ishte nevoja që të rindërtohej një arkitekturë e re sigurie në Evropë, meqë kishte rënë komunizmi.

Kjo ishte më e rëndësishme se të merreshe me disa hoxhallarë të indoktrinuar që llomotisnin lart e poshtë. Por s’kaluan shumë vjet dhe bisha radikale iu kthye kundër. Ca prej indoktrinimit, ca se armiqtë filluan të ngrihen dhe ja përdorën kundër.
Në skenë doli një armik i ri. Në pamje të parë i frikshëm. Nisën kryqëzatat moderne. Nisi propaganda masive. Këta të vetët, ata të vetët. Në fund na rezultoi se besimin fetar s’e bën dot armik. Vendet me shumicë myslimane nuk patën fuqi ta përballojnë furinë amerikane. U pa se s’kanë takat as intelektual, as ushtarak, as financiar. Ndërkohë, remineshencat e kryqëzatës mbeten ende sot.

Por, siç e thamë më sipër, pa armik s’mund të rrihet. Tani ka dalë në skenë një armik i ri. Është Kina. Askush nuk e di nëse Kina gjigante do e përballojë dot furinë amerikane. Aparati i ri antropologjik ka filluar të punojë. Pak nga pak kinezët po shpallen armiq të qytetërimit. E njëjta formulë që u përdor kundër myslimanëve – Ata nuk kanë demokraci. S’kanë kulturë. Janë të pistë. Janë të çuditshëm. S’përputhen me ne. S’kanë fenë tonë. Janë të poshtër. S’i zihet besë. Janë hajdutë…
Besoj se i keni dëgjuar të gjitha këto gjatë kryqëzatës së shkuar.

Ndërkohë, siç duket sot, rendit liberal që kishin ndërtuar amerikanët, i ka ardhur fundi. Atij rendi në të cilin bota përfitoi një mirëqenie të paparë ndonjëherë në historinë e saj. Siç ndodh gjithnjë, disa shtete të fuqishme duan të ndjekin udhë tjetër nga kjo që ka ndërtuar Amerika. Teksa kemi fokusuar vëmendjen te lufta në Ukrainë dhe në Gaza, sot në botë kanë shpërthyer vatra të reja konfliktesh:

  1. Lufta Rusi – Ukrainë
  2. Lufta Izrael – H-mas
  3. Lufta në Republikën Demokratike të Kongos
  4. Konflikte rajonale në Siri
  5. Konflikt në Jemen
  6. Lufta në Somali
  7. Konflikt në Mali
  8. Bombardimet turke në zonat kurde
  9. Konflikt në zonat indigjene të Perusë
  10. Konflikt në Angola
  11. Konflikt Indi – Pakistan
  12. Konflikt në Kamboxhia
  13. Konflikt në Ganë
  14. Konflikt në Afrikën e jugut
  15. Konflikt në Tanzani
  16. Konflikt në Togo
  17. Konflikt në Trinidad dhe Tobago

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *